Urtësitë e caktimit të namazit në pesë kohë
Kuptimi që shpreh koha e ikindisë
Koha e namazit të ikindisë është intervali nga dalja e kohës së namazit të drekës, gjer në perëndimin e diellit. Koha e ikindisë është koha kur dielli priret drejt perëndimit. Prandaj kjo kohë na kujton çastin e mplakjes së njerëzimit dhe, bashkë me ardhjen e profetit Muhamed, perëndimin e tij. Duke e falur ikindinë, ne kuptojmë se çdo gjë ka filluar të perëndojë, se pas disa orësh, çdo gjë mbi tokë do të fshihet e humbet dhe se, me sëmbimin në këmbët, me dhimbjen e mesit dhe thinjat e kokës, edhe vetja jonë është e vdekshme dhe se po i afrohet dalëngadalë perëndimit. Ja, pra, në një kohë kur do të biem në pesimizëm e do të na thyhet zemra, na vjen në veshë zëri i ezanit dhe gëzohemi se e gjetëm rrugën për ta përjetësuar këtë jetë të vdekshme dhe, me këtë gëzim, vrapojmë për në namaz!
Kuptimi që shpreh koha e akshamit
Koha e namazit të akshamit fillon me perëndimin e diellit dhe vazhdon gjer në kohën kur shuhet plotësisht muzgu (shafak) dhe bie errësira. Sipas Ebu Hanifes, shafak është ndriçimi i bardhë ose muzgu që pason, në mbrëmje, kuqëlimin e horizontit pas perëndimit të diellit. Sipas Ebu Jusufit, Muhamedit dhe imamëve të tri medhhebeve të tjera, si dhe sipas një rivajeti tjetër nga Ebu Hanife, shafak është kuqëlimi që shfaqet në horizont. Me shuarjen e këtij kuqëlimi, koha e namazit të akshamit del. Është mustehab që namazi i mbrëmjes të falet në kohën e parë. Meqë koha e namazit të akshamit është e ngushtë, nuk është mirë që të shtyhet. Ky namaz nuk duhet të shtyhet gjer në shuarjen e kuqëlimit. Koha e mbrëmjes është një kohë perëndimi e shuarjeje. Dita mbaron, dielli perëndon dhe ne hyjmë në një pjesë të veçantë kohe. Kjo situatë, bashkë me vdekjen e një dite njëzetekatërorëshe, na lajmëron edhe për vdekjen tonë: do të vijë dita, do të vdesim dhe, të mbështjellë brenda një qefini me këmbë, duar dhe nofullat të lidhura, do të na fusin në varr. Pastaj do të na mbulojnë me dhé, do të na ngulin mbi varr dy gurë si shenja të varrit, do të ikin dhe ne do të mbetemi atje vetëm… Nga ana tjetër, kjo kohë na tërheq vëmendjen edhe për gërhimat e globit tokësor në agoni. Ashtu siç bashkë me perëndimin e diellit, lëvizja e sekondës na lajmëron për lëvizjen e akrepave të orës, na kujton edhe perëndimin dhe shuarjen e çdo gjëje, shkatërrimin e të gjitha sistemeve dhe ne bëhemi dëshmitarë të të vërtetës së përshkruar në Kuran: “… dhe kur të paloset dielli, kur të derdhen yjet, kur të vihen në lëvizje malet…” (Tekvir, 81/1-3) Dhe ne, për t’i dhënë ngushëllim zemrës sonë të plagosur mes këtij tmerri dhe çoroditje dhe për ta qetësuar shpirtin, vrapojmë për në namazin e akshamit.
Koha e akshamit është ose vajtim pranë një perëndimi, ose mbajtje e ritmit të një thyerjeje, ose shprehje e përjetimit të emocionit dhe dridhjes së rregullimit të gjendjes sonë të botës tjetër. Zërat e ezanit që dëgjohen në rrethana të tilla kur të gjitha gjërat, duke i thënë lamtumirë njëra-tjetrës, këndojnë këngët e ndarjes dhe dëshirojnë të shprehin me një rropamë gjëmuese ndjenjën e thyerjes, na lajmërojnë brenda perëndimit për një agim të ri dhe ne përjetojmë me të gjithë forcën e shpirtit, bashkë me vdekjen, një ngjallje dhe ekzistencë të re. E shprehur ndryshe, ezani i kënduar në këtë kohë bëhet si zëri i bririt të Israfilit që i fryn për ringjallje dhe, në një çast kur çdo gjë vdes dhe merr fund, na thuhet se “ka ringjallje dhe dalje para Zotit”! Gjithashtu, ezani i kënduar në këtë kohë bart kuptimin e braktisjes së gjërave të vdekshme, siç pati thënë edhe Hz. Ibrahimi, “… s’i dua ata që perëndojnë…” (En’am, 6/78), dhe kthim kah Allahu që është i paperëndueshëm e i pavdekshëm! Sepse Allahu (xh.xh.) është Ehad (një i vetëm) dhe Samed (i vetëmjaftueshëm dhe vetekzistent), është Ai që tregon shenjë qenieje në mosqenie, që i bën të perëndojnë ata që perëndojnë, që i ekzekuton ata që janë të dënuar me shuarje dhe asgjësim. Prapë është Ai që do ta kthejë mosqenien në qenie, që do të dhurojë fuqi pas shuarjes, që do t’u japë pasion dhe emocion zemrave pas vdekjes dhe mendim mendjeve pas shuarjes së çdo mendimi në to, që do t’u japë jetë zemrave të vdekura!
Kuptimi që shpreh koha e jacisë
Koha e namazit të jacisë fillon nga koha kur shuhet kuqëlimi dhe muzgu i mbrëmjes dhe bie errësira, domethënë nga koha kur del koha e namazit të akshamit dhe vazhdon gjer në feksjen (fexhrin) e dytë. Koha e jacisë është koha kur muzgu i mbrëmjes shuhet krejt dhe s’mbetet asnjë shenjë nga drita e diellit (e ditës). Në këtë kohë s’ka asgjë që të mund të na japë ndonjë ide apo mendim mbi ekzistencën e një dite të lënë pas. Sepse, pas ikjes, dita pati lënë si një kujtim të shkurtër të saj një muzg të bardhë ose të kuqërremtë; pas shuarjes edhe të këtij muzgu, çdo gjë mbaron. Koha e jacisë, na kujton, bashkë me mbarimin e çdo gjëje, edhe mbarimin e jetës së njeriut. Vdekja është gjë tjetër sepse, kur vdes njeriu, pas tij mbeten ata që e qajnë. Por, pasi të kalojë një kohë, nga mendjet shuhet çdo gjë që ka të bëjë me qenien e tij, shpirtrat zbrazen nga kuptimi për të dhe, sipas shprehjes së ajetit Kuranor, njeriu “ikën e harrohet”. Domethënë se, me kalimin e viteve, njeriu bëhet sikur s’ka jetuar fare. Ja, pra, koha e jacisë i kujton njeriut atë çast kur çdo gjë të jetë konsumuar e të ketë mbaruar dhe kur ai të mbesë pa asnjë lloj ndriçimi. Ndërkaq, gjëja e vetme që duhet të bëjë njeriu me zemër të thyer në këtë mënyrë, me ndjenjat të shembura e të kthyera përmbys, është që, për të kërkuar ngushëllim edhe në atë çast, madje, të vrapojë në namaz për tek Zoti i tij, për ta ndriçuar natën e vet me atë prani hyjnore, për t’i ngulitur në qiellin e vet sërish yjet që i janë derdhur e shpërndarë gjithandej dhe për ta bërë jetën e vet të anuar nga shuarja, fillim të një jete të re, të mendojë se “këtu morëm fund, por perëndimi bart edhe sihariqin e një lindjeje dhe ne do të ringjallemi”, dhe, me këto ndjenja, ta mbështesë ballin në tokë!