NË KËRKIM TË RRUGËS SONË

Që nga dita kur ne u privuam nga trashëgimia e tokës, bota islame është ndodhur në një gjendje të mjerueshme mes dobësisë së myslimanëve dhe sulmeve të pareshtura të armiqve. Padrejtësia, dhuna dhe shtypja mund të përbëjnë veti të agresorëve, por dobësia e myslimanëve është e papranueshme. Kur i Dërguari i Zotit tha: “O Zoti im! Unë kërkoj mbrojtje tek Ti nga guximi i mëkatarëve dhe nga dobësia e atyre që të kanë frikë!”, ndoshta i referohej këtij fakti. Fakti që mendja dhe arsyeja e myslimanëve u godit dhe u dëmtua, domethënë, stanjacioni dhe kalbëzimi ndaj të cilit myslimanët ishin keqorientuar, i shmangu ata nga rruga e drejtë, e cila ecën përgjatë Kuranit dhe sillet përreth Profetit. Ky zvetënim e veniti universalitetin e Islamit dhe e pengoi këtë fe të përbotshme të përmbushë funksionin e saj. Është e qartë se një devijim i tillë, që është shndërruar në kronik në radhët e myslimanëve të shekullit të fundit dhe veçanërisht në radhët e udhëheqësve myslimanë, nuk mund të ç’rrënjoset, as me ngritjen e disa shkollave, komisioneve, apo mbajtjen e disa konferencave, e as nuk mund të kuptohet tërësisht me anë të ca fjalimeve në ajër, leksioneve, apo propozimeve. Për të ç’rrënjosur këtë lloj devijimi të gjatë në kohë, rrënjët e të cilit shkojnë disa shekuj më parë dhe që janë ushqyer nga përdorimi i gabuar i shkencës dhe i teknologjisë së sotme, lypset që ne ta rizbulojmë vetveten, të gjejmë dhe të njohim kush jemi dhe ta pajisim veten me ndërgjegje dhe stilin e të menduarit dhe të arsyetuarit islam. Nevojiten përpjekje për një kohë të gjatë, zell i vazhdueshëm, kohë e mjaftueshme, durim i pareshtur, shpresë e madhe, vullnet i palëkundur dhe vetëpërmbajtje konstante. Megjithatë, në qoftë se nuk mund të gjejmë stilin tonë dhe do të vazhdojmë të kërkojmë në një rrugë tjetër nga rruga e vërtetë për të dalë nga gropa ku kemi rënë, do të gënjejmë vetveten dhe do të biem në kundërshtim me brezin tonë edhe njëherë tjetër.
Nga kjo pikëpamje, është detyrë për ne të kuptojmë siç duhet konceptet, në mënyrë që t’i shohim krijimin dhe ngjarjet nga këndvështrimi islam dhe të studiojmë hollësisht gjithçka me anë të arsyes islame. Për të arritur këtë, dija jonë rreth njerëzimit, jetës dhe universit, duhet të jetë së pari në akord me thelbin dhe realitetin e çështjes, në të njëjtën rrugë dhe në orbitë me origjinën dhe objektivat e saj. Të gjitha pjesët duhet të mbështesin njëratjetrën dhe të bashkëpunojnë, tërësia dhe pjesët e veçanta duhet të lidhen dhe ndërveprojnë si zëra të ndryshëm që shprehin të njëjtën temë, si një kompozim me të njëjtin ritëm dhe me të njëjtin sistem matjeje, si një motiv i imët i rrethuar nga një skicë e përsëritur. Çdo fenomen, apo çështje duhet të perceptohet dhe të njihet si i ndërlidhur thelbësisht në një mënyrë, apo në një tjetër dhe në mënyrë domethënëse me çdo gjë tjetër që e rrethon. Së dyti, meqenëse çdo gjë, qenie dhe fenomen në univers janë të përbërë prej plot botësh të ndryshme, kuptimësie, përmbajtjeje dhe mençurie që i ngjajnë një libri të hapur për çdo qenie dhe ngjarje, një vepre të bukur arti me shumë faqe, të mbushur me bukuri dhe që pasqyron e paraqet vepra të panumërta hyjnore, arsyeja dhe logjika duhet të përdoren për të kuptuar gjithë këto gjëra dhe ngjarje, për të njohur lidhjen ndërmjet pjesëve të vogla, pa u ngatërruar në çikërrima. Përkundrazi, duke qenë të ndërgjegjshëm për të përgjithshmen dhe universalen që shtrihet pas dhe për të veçantën kur ajo futet me guxim brenda të përgjithshmes dhe universales, në mënyrë që të përfshijë edhe zonat më të largëta të detajeve dhe veçantive, ne mund të aftësohemi dhe të sigurohemi se disa pjesë të punës dhe studimeve tona, vërtetimet dhe konfirmimet tona, ashtu si edhe ndryshimet e periudhave dhe të kohërave, nuk bien në kundërshtim, nuk mohojnë, apo përplasen me njëra-tjetrën.
Kjo nuk duhet të sjellë përshtypjen e gabuar se specializimi, apo fragmentizimi duhet të injorohen. Sigurisht secili nga ne duhet të specializohet në fushën e vet, të përpiqet të shkëlqejë në atë karrierë dhe të arrijë objektivat e dëshiruara në fushën e vet të veprimit. Megjithatë, duke vepruar kështu, nuk duhen lënë pas dore kuptimi, përmbajtja, statusi dhe veçanërisht, qëllimi dhe objektivi i tërësisë. Kjo duhet të realizohet në mënyrat e duhura, qoftë nëpërmjet ndërgjegjes kolektive, qoftë me anë të përpjekjeve vetjake për të arritur tek dija, apo nëpërmjet koordinimit të mirëfilltë dhe gjenialitetit. Nuk ka dyshim se ne kemi nevojë për një këndvështrim të tillë universal dhe gjithëpërfshirës, ashtu siç kemi nevojë edhe për një vlerësim të përgjithshëm dhe objektiv. Në kohën tonë, para së gjithash, ne kemi nevojë të ngutshme për një mendje objektive, që do ta shohë të djeshmen dhe të sotmen së bashku, që do ta përfshijë njerëzimin, jetën dhe universin brenda këndvështrimit të vet, të gjithin dhe përnjëherësh, që mund të ndërmarrë krahasime. Një mendje që të jetë e mprehtë në perceptimin e tërë shkaqeve dhe arsyes së ekzistencës. E tillë që të ketë njohuri në lidhje me skenarët e ngritjes, të vazhdimësisë dhe rënies së kombeve dhe bashkësive. Kemi nevojë për një mendje që mund të gjykojë gabimet, fajet dhe meritat e sociologjisë dhe të psikologjisë, e cila të jetë e paralajmëruar për lindjen, rënien dhe vdekjen e stadeve të qytetërimeve, të ketë aftësi, ndërgjegje kumbuese dhe pavarësi për të dalluar metodat dhe përfundimet, që do të respektojë objektivat dhe do të ketë familjaritet me parimet dhe mençurinë e Ligjit Hyjnor dhe me qëllimet e përcjellësit të ligjeve (Profetit), që të jetë koshiente për shtyllat e pranuara si baza të fesë dhe njëkohësisht e hapur për mendimet dhe frymëzimet që rrjedhin nga Zoti.
Gjatë kohës që ne jemi duke pastruar dhe liruar korridoret e bllokuara të mendjes sonë dhe duke rindriçuar sistemin tonë të arsyetimit, i cili ka qenë i larguar nga sublimja duke u bërë kështu bajat, në mënyrë që ai të udhëtojë nëpër orbitën e duhur rreth Kuranit, ne nuk duhet të zhvlerësojmë sekretet e njerëzimit, jetës dhe universit. Duke vepruar pareshtur nën urdhrat fetarë, duke i bërë ata pjesë të jetës sonë, veprim ky, i cili përbën një nga bazat më domethënëse për një vazhdimësi të gjatë dhe të pandërprerë. Ne duhet t’ia lehtësojmë rrugën vetes, ashtu siç bëri i Dërguari i Allahut me anë të së bukurës dhe fisnikes, tolerancës dhefaljes,
duke u treguar të tjerëve se kjo është një mënyrë inkurajimi, e cila të fton me anë të sihariqeve dhe jo një rrugë, e cila i tremb dhe i zmbraps njerëzit duke i mbushur ata me shije të keqe dhe neveri. Ne duhet të vendosim fuqinë e dijes dhe të meditimit në thelb të Islamit dhe të interpretimit islam, duke sjellë përfundimisht fundin e epokës së shterpësisë dhe mosarritjeve të përjetuar në shekujt e fundit. Ne duhet të vendosim kudo, në shtëpi dhe rrugë, në shkolla dhe vende adhurimi, vëzhgues me anë të të cilëve të mund të vërehet e vërteta që qëndron pas njerëzimit, jetës dhe universit. Ne duhet të rihapim rrugët e të përjetshmes të cilat kanë qenë të bllokuara për disa shekuj me radhë. Ne duhet ta ngremë Islamin në vendin e parë dhe më të rëndësishëm të axhendës duke e injektuar atë në çdo element të jetës.
Ne duhet të bëhemi të ndjeshëm ndaj çështjes së shkaqeve dhe pasojave duke vepruar në mënyrë racionale dhe të llogaritur mirë, në përputhje me parimet e lidhjes dhe proporcionit të shkaqeve. Një cilësi e tillë e kuptimit, perceptimit, njohjes dhe maturisë, do ta lehtësonte rigjallërimin dhe reformimin tonë dhe do të na siguronte gurët e themeleve të jetës së pasosur. Disa mund të mendojnë se nuk është korrekte t’i atribuosh shkaqeve një rëndësi kaq të madhe. Deri në njëfarë mase, edhe unë pajtohem me këtë. Megjithatë, njerëzimi duhet të bëjë atë që është i detyruar ta bëjë dhe nuk duhet të ndërhyjë në çështjet hyjnore. Një detyrë e tillë është përgjegjësia jonë, ndaj, konsiderimi i shkaqeve në përmbushjen e kësaj detyre, përbën një formë lutjeje, apo kërkese të paraqitur në dyert e mëshirës së Zotit, e barasvlershme me një lutje të bërë për arritjen e një objektivi të dëshiruar. Të pranuarit për të vepruar në këtë mënyrë, përbën një parakusht për njohjen e faktit që ne jemi të krijuar dhe Ai është Krijuesi dhe i njohjes së Cilësive të Tij Hyjnore. Ekziston megjithatë edhe ana tjetër e medaljes. Zoti na ka dhënë vullnet të lirë dhe e pranon atë si një ftesë drejt Vullnetit të Tij, duke na premtuar të vendosë projektet më thelbësore nën sundimin e këtij vullneti, plan ky, të cilin Ai e ka vënë në zbatim dhe do të vazhdojë ta vërë edhe në të ardhmen. Zoti e krijoi vullnetin tonë për shkak të mëkatit dhe si bazë për shpërblim dhe ndëshkim, ndaj Ai e pranon atë si një element për përshkrimin e së mirës dhe së keqes.
Duke pasur parasysh rrjedhojat që lidhen me të, Zoti i jep vullnetit tonë, që në vetvete nuk ka ndonjë vlerë, një vlerë mbi të gjitha vlerat e tjera. Pra, në rast se Ai nuk do të kishte vepruar në këtë mënyrë, jeta nuk do të kishte pushuar së ekzistuari, por qeniet njerëzore do të ishin katandisur në sende, shtrirja e obligimeve të shërbëtorëve të Zotit do të ishte bërë e papërcaktuar dhe çdo gjë do të ishte kthyer në të padobishme dhe absurde. Kjo është arsyeja përse Zoti i ka dhënë rëndësi të madhe vullnetit tonë të lirë, si dhe dëshirave dhe ëndrrave të njerëzimit. Ai e pranon atë si një kusht për ndërtimin dhe përparimin, si të kësaj bote, ashtu dhe të botës së pasosur, duke e bërë këtë vullnet një shkak të konsiderueshëm, që i ngjan një çelësi magjik të një mekanizmi elektrik të fuqishëm që është në gjendje të ndriçojë botët. Në të njëjtën mënyrë, Ai mund të krijojë dhe t’i japë ekzistencë një oqeani nisur vetëm nga një pikë ujë, një dielli nga një atom dhe botëve të tëra nga asgjëja, duke manifestuar kështu një nga dimensionet misterioze të fuqisë së Tij. As shkaqet e as një ligj, qeveri, apo fuqi, nuk mund të ndikojë tek Zoti, Krijuesi i Plotfuqishëm. Asgjë nuk e pengon Vullnetin dhe Fuqinë e Tij Hyjnore. Çdo gjë është e vendosur dhe Zoti është Ligjvënësi i vetëm dhe absolut. Por, edhe vëzhgimi i shkaqeve, duke u dhënë atyre ndikim dhe duke vlerësuar arsyet për këtë ndikim si një pjesë e vogël e të vepruarit, përbën gjithashtu një urdhër të Zotit. Prandaj, kur njerëzit nuk i zbatojnë parimet e ligjeve të natyrës, të krijuara nga Zoti e të quajtura “sunetullah”, ne besojmë se ata do të dështojnë keqas, si në këtë botë, ashtu edhe në botën e përtejme. Sa kuptimplote ishte sjellja e halifes Omer, kur duke dashur të shmangte një zonë të infektuar nga kolera, u tha atyre të cilët ishin të paaftë të ndanin këtë vendim të tij nga ideja e dorëzimit ndaj fatit dhe nënshtrimit ndaj vullnetit të Zotit: “Po iki nga ky caktim i Zotit, tek caktimi i Zotit.”

Postime të ngashme