Turpi buron nga besimi…!

Fjala “haja” ka kuptimin e të ndierit i ndrojtur dhe i turpëruar. Në rastin tonë duhet kuptuar si turp e ndrojtje prej Allahut dhe shmangie e sjelljeve dhe e fjalëve që Ai nuk i dëshiron. Një ndjenjë e tillë, e mbështetur në ndjesinë e turpit që gjendet në natyrën e njeriut, e bën individin të jetë më i vetëpërmbajtur dhe më i ekuilibruar në çështje të edukatës dhe të respektit. Në thelb, tek individët që nuk ekziston një ndjesi e tillë, si dhe tek ata që nuk e kanë njohur atë në mjedisin ku janë rritur, zhvillimi i ndjenjës në fjalë është zakonisht shumë i vështirë.

Turpi mund të ndahet në dy kategori:

1. Turpi i natyrshëm (hajaul fitri), që mund të quhet edhe turpi i egos (hajaun nefsi). Ai e ndalon njeriun prej shumë sjelljeve që konsiderohen të turpshme.

2. Turpi që vjen nga besimi dhe që shpreh një thellësi të rëndësishme të Fesë Islame.

Kur turpi i natyrshëm ushqehet dhe zhvillohet me ndjenjën e turpit brenda shpirtit të Fesë Islame, krijohet një barrierë e fuqishme kundër paturpësisë dhe sjelljeve të turpshme. Ndërsa kur mbetet i vetëm, në kushte e gjendje të caktuara lëkundet, thyhet e madje ndonjëherë mund të rrënohet krejtësisht.

Po, po. Një ndjesi turpi e ndrojtjeje që gjendet në natyrën e njeriut dhe që shpjegohet me vetëdijen e besimit (imanit) në ajete si “A nuk e di ai se Allahu e sheh?” (Alak, 14), nëse nuk ushqehet me konceptin e ihsanit që shprehet në pohime si “Pa dyshim, Allahu sheh e vëzhgon gjithçka mbi ju” (Nisa, 1), nuk mund të ketë jetë të gjatë, sepse edhe ekzistenca dhe zhvillimi i ndjesisë së turpit, edhe vijueshmëria e saj është e lidhur me besimin.

Në lidhje me këtë, Zotëria i të gjitha krijesave (paqja qoftë mbi të!), kur dëgjoi një sahab t’i thoshte një tjetri që të mos e tepronte me ndrojtjen për një sjellje të caktuar, i tha: “Lëre atë. Turpi buron nga besimi…” Në një tjetër rast ai ka urdhëruar e thënë: “Besimi ka shtatëdhjetë e ca degë. Edhe turpi është një degë e besimit.”

Në këtë pikëpamje, mund të themi se turpi i natyrshëm, njëlloj si farëzat e tjera të mirësisë që qëndrojnë të fshehura në natyrën e njeriut, zhvillohet në masën që njeriu e ushqen dhe e përforcon me dinamikat e diturisë, kthehet në një gjymtyrë të rëndësishme shpirtërore e morale dhe ngre barriera e bëhet pengesë për shumë dëshira jolegjitime të nefsit. Në të kundërt, nëse kjo ndjenjë nuk zhvillohet përmes besimit (iman) dhe diturisë (marifet), nëse nuk përforcohet përmes vetëdijes së ihsanit se Allahu vëzhgon gjithçka ne bëjmë, jo vetëm që nuk forcohet e nuk bëhet e qëndrueshme, por atrofizohet duke u zhveshur përballë honeve të ferrit të egoizmit, ndërsa në planin individual e shoqëror zvarritjet dhe çjerrjet që e turpërojnë njeriun përballë së njerëzishmes bëhen të pashmangshme. Profeti ynë (paqja qoftë mbi të!) ndalet në këtë çështje dhe thotë: “Kur s’të vjen turp, bëj ç’të duash!” Fjalët “haja” (turp) dhe “hajat” (jetë) janë pranë njëra-tjetrës dhe kjo afri mund të mbijetojë e të gjejë përmbushje vetëm nëse zemra ushqehet me besim dhe me dije. Jeta ekziston me dinamikat e veta, sikurse edhe turpi ekziston po me dinamikat e veta. Përndryshe, rënia dhe shthurja e të dyjave është e pashmangshme.

Në rastin e turpit, shkalla e tij e parë është kur njeriu nis ta shohë vetveten me vështrimin e Hakut. Nëse një njeri e ndjek vetveten në përmasat caktuara prej Tij dhe ushtron vetëkontroll në këndvështrimin e Tij, tek ai lind një ndjenjë fisnike ndrojtjeje që i mundëson një njeriu të tillë të gjallojë kurdoherë në ndjenjat dhe në mendimet e tij.

Shkalla e dytë është e lidhur me vetëdijen në përshtatje me afrinë ndaj Zotit dhe është e lehtë të arrihet prej atyre që rrugëtojnë në horizontin e ajetit “Kudo që të ndodheni, Ai është bashkë me ju.” (Hadid, 4), ndërsa Profeti ynë, në lidhje me këtë çështje, na transmetohet të ketë thënë kështu: “Kundrejt Allahut silluni sa më të ndrojtur që të jetë e mundur! Ai që tregohet i ndrojtur në masën e duhur kundrejt Allahut, le të vërë nën kontroll kryet dhe ç’ka brenda kresë, stomakun dhe ç’ka brenda stomakut! Të mos e mbajë, gjithashtu, larg kujtesës vdekjen dhe kalbjen! Ai që e dëshiron Ahiretin, i lë pas dore bukuritë kalimtare të botës… e pra, kush sillet në këtë mënyrë, ai vlerësohet të jetë treguar i ndrojtur sa ç’duhet prej Allahut.”

Ajo çka një njeri përfiton prej të qenit i njerëzishëm është në përpjesëtim të drejtë me pjesën e ndjesisë së turpit. Nëse udhëtari për te Zoti i Vërtetë nuk ia del të orientojë sjelljet e veta duke u kthyer krahët përpjekjeve për të përfituar sipas interesash të ulëta dhe nuk kthen kryet për të parë kah përjetësia, nëse nuk jeton me etikë e në përulësi të thellë, ekzistenca e tij, në njëfarë mënyre, për atë vetë është një turp dhe për të tjerët një barrë. Pikërisht mbi këtë mendim, të diturit kanë thënë: “Për Zotin, kur turpi ikën e shkon, as në jetë, as në botë nuk mbetet kurrfarë mirësie.”

Turpi është një moral hyjnor dhe një mister i perëndishëm. Nëse njerëzit do ta dinin se me çfarë është i lidhur ai, do të silleshin me më shumë përkorje e vetëpërmbajtje. Për ta sqaruar më mirë këtë çështje, tregohet një ndodhi:

Zoti i Madhëruar i thotë një të vjetri që i kërkon llogari në mahsher: “Përse i bëre këto mëkate?” Ai, duke mohuar, thotë se nuk ka bërë mëkate. Atëherë Mëshiruesi i Mëshiruesve urdhëron: “Në qoftë kështu, merreni këtë njeri dhe çojeni në Xhenet.” Kësaj radhe ndërhyjnë engjëjt që thonë: “O Zot, Ti e di që ky njeri i ka kryer këto mëkate.” Allahu u përgjigjet: “Po, ashtu është. Mirëpo e pashë se ishte njëri prej umetit të Muhamedit, me mjekrën dhe flokët e thinjur; më erdhi turp t’ia hedh turpin e vet në fytyrë.” Sipas transmetimit, kur Xhebraili ia bëri të ditur këtë lajm Profetit tonë, ai njeri i dhembshur e i ndrojtur u prek, sytë iu mbushën me lot, qau dhe tha: “Zoti i Madhëruar ka turp të ndëshkojë mjekërbardhët e umetit tim, kurse mjekërbardhët e umetit tim nuk kanë turp prej kryerjes së mëkateve.”

Postime të ngashme