Si arrin t’i mbash të gjitha në zemër?!

Një ditë Profeti a.s pyet Hz. Aliun r.a: O Ali a e do Allahun?
– Po, o i Dërguari i Allahut. – i përgjigjet.
– Po të Dërguarin e Tij, a e do?
-Po, o i Dërguari i Allahut. – ja kthen.
– Po gruan tënde, a e do?
-Po, e dua, o i Dërguari i Allahut.
-Po fëmijët a i do?- e pyet profeti a.s
-Po dhe ata i dua. – ja kthen Hz. Aliu r.a
Duke buzëqeshur, Profeti a.s e pyet: Si arrin t’i mbash të katërta njëkohësisht në zemër o Ali?
Hz. Aliu heziton të përgjigjet, por pastaj i kërkon kohë Profetit a.s që të mendohet. Profeti a.s e lejon dhe ashtu i mendueshëm Hz. Aliu r.a largohet drejt shtëpisë së tij. Kur bashkëshortja e tij Hz. Fatime r.a e shikon kështu të mendueshëm, e pyet se çfarë e kishte bërë atë që të mendohej ashtu.
-Nëse është diçka e kësaj botë, braktise atë, sepse nuk të shkon ajo ty, por nëse është diçka e ahiretit, eja t’a mendojmë sëbashku.- i thotë ajo.
Kur Hz. Aliu r.a i tregon çështjen sesi ishte, Hz. Fatime r.a vë buzën në gaz dhe i thotë: Thuaj kështu babait tim
Allahun e dua me mendjen dhe besimin tim!
– Profetin e dua me zemrën time!
– Gruan e dua me nefsin (egon) time!
– Fëmijët i dua me dhembshurinë time!
Pasi merr këto përgjigje Hz. Aliu r.a niset menjëherë drejt Profetit a.s për t’ju përgjigjur për pyetjen që Ai i kishte bërë.
Profeti a.s i thotë: O Ali, ajo që më solle ti ishte një trëndafil i këputur prej pemës profetike.

Përgatiti: Marius Tafani

Postime të ngashme

%d bloggers like this: