Tre fjalët që njerëzit i kundërshtojnë

Përgjithësisht, fjalët e njerëzve janë shumë hapa para veprave të tyre. Njeriu e ka të lehtë që me gjuhë të pretendojë, por të vështirë që t’i veprojë atë që thotë. Sikur të ishim më të vetëdijshëm për kuptimin e fjalëve që nxjerrim nga goja, do t’i kursenim më shumë ato. Fjalët e pakta janë përgjegjësi e paktë përpara Zotit dhe mundësi për të punuar më shumë.

Më poshtë do të përmendim tre shprehje, që i përmend shumica e njerëzve, por që janë neglizhentë ndaj kuptimit të tyre. Këto shprehje janë të përhapura gjerësisht, kuptimi i tyre merret si i mirëqenë dhe nuk reflektohet mbi madhështinë e tyre.

Shakik el-Belhi (r.a) ka thënë: “Njerëzit i thonë këto tre shprehje, por veprimet e tyre bien ndesh me to. E para; “Ne jemi robërit e Allahut.” E thonë këtë gjë, por sillen sikur janë lënë të lirë dhe pa përgjegjësi. Kështu me veprimet e tyre e kundërshtojnë këtë gjë.

E dyta; “Allahu është garantuesi i furnizimit tonë.” E thonë këtë gjë por zemra e tyre është e lidhur me këtë botë dhe kënaqet vetëm me të mirat e grumbulluara prej saj. Sërish veprat e kundërshtojnë fjalën e tyre.

E treta; “Nuk ka shpëtim prej vdekjes.” E thonë këtë gjë dhe sillen sikur do të jetojnë përjetësisht në këtë botë dhe sikur s’ka vdekje. Edhe në këtë gjendje sërish bien ndesh me pretendimin e tyre.

Vëllai im, shihe mirë veten! Me cilin trup do të dalësh përpara Zotit, me cilën gjuhë do t’i përgjigjesh Atij, në ditën kur do të pyetesh hollësisht për çdo gjë?

Postime të ngashme