Tre çështje të rëndësishme për edukimin e fëmijëve
a) Edukata e të folurit
Gjithsesi, në një shtëpi, do të bisedohen punët që kanë të bëjnë me këtë botë, çështjet që lidhen me jetën. Ndërkaq, kur këto gjëra bisedohen në prani të fëmijës, duhet mbajtur parasysh vazhdimisht prania e tij. Ndërkaq, po të ketë mundësi, çështjet që nuk e interesojnë atë ose nuk i sjellin dobi atij, sidomos gjërat që do ta shqetësonin atë, të mos bisedohen në sy të tij. Sigurisht, veçoritë që do të zhvillohen në shpirtin e tij në një periudhë të caktuar, duhet të përcaktohen shumë mirë dhe ai s’duhet të bëhet viktimë e gjërave të padurueshme për të. Kudo që të jemi, në shtëpi apo në punë, kur t’i kemi fëmijët pranë, takimet dhe bisedat duhet t’i bëjmë duke pasur parasysh gjithmonë praninë e tyre.
Me sa të kemi mundësi, bisedat në sy të fëmijëve duhet t’i bëjmë mbi çështje të tilla si besimi te Allahu (xh.xh.), te të mirat e dhëna prej Tij dhe feja e tij. Parimisht, në shtëpi duhet të diskutohet për çështje që kanë lidhje me formimin dhe të ardhmen e fëmijëve në mënyrë që ata të rriten me vetëdijen që kërkojnë prindërit. Po qe se këto porosi pranohen si një recetë, një pjesë e madhe e problemeve që i përkasin të ardhmes së fëmijës marrin zgjidhje që më parë. Ndërkaq, çdo periudhë e jetës së fëmijës do të ketë edhe problemet e veta specifike tek të cilat do të ndalemi kur t’u vijë radha.
b) Masa në bujari dhe dhembshuri
Një çështje tjetër që duam ta prekim këtu, është edhe zhvillimi tek fëmijët i ndjenjës së bujarisë dhe dhembshurisë, përgatitja e tyre si heronj dhembshurie. Edhe në këtë çështje, rruga më e drejtë është shembulli personal. Fjala vjen, kur vjen dikush te dera dhe shtrin dorën dhe burri me gruan dalin me duart plot me gjëra për të dhe, me një sjellje përvujtnie, ia dëgjojnë me kujdes hallet, kjo bëhet për fëmijën mësimi më me efekt për edukimin e tij si njeri i dhembshur e bujar.
Ndjenja e dhembshurisë te fëmijët është edhe e trashëgueshme. Për shembull, disa fëmijë, qysh të vegjël, përloten shpejt. Kjo është shenjë se ata në të ardhmen do të bëhen njerëz pak a shumë të ndjeshëm, të brishtë, delikatë. Ç’është e vërteta, disa herë fëmijët përloten për të tërhequr vëmendjen ose për të arritur që t’u plotësohen dëshirat, por përlotja e ndjerë është diçka tjetër. Qoftë kështu apo ashtu, po qe se mendojmë t’i kemi ose të na bëhen fëmijët të butë, bujarë dhe të dhembshur, duhet ta bëjmë familjen një mjedis të ngrohtë, të butë, plot dashuri dhe dhembshuri mes pjesëtarëve të saj.
Rritja e fëmijës si koprrac ose, siç thotë populli, dorështrënguar, të dhënë pas interesave dhe mirëqenies materiale, mund të quhet shkak që, në vartësi të disa kushteve të caktuara, ai të bëhet egoist, interesaxhi, ambicioz, ekspansiv dhe kundërshtues. Po qe se një fëmijë i tillë nuk rritet sipas moralit hyjnor, kjo gjendje përbën për të fatkeqësi si për jetën e kësaj bote, ashtu dhe për jetën e pasosur të tij.
Mëshira dhe dhembshuria janë shumë të rëndësishme. Bujaria është shfaqje e një shpirti të tillë. Heronjtë e dhembshurisë janë gjithmonë të humbur materialisht. Por bujari mund të hyjë në xhennet edhe në qoftë mëkatar apo heretik, kurse mundësia e besimtarit koprrac për të hyrë në xhennet është e ulët. Prandaj fëmijëve u duhet zhvilluar ndjenja e keqardhjes dhe dhembshurisë, u duhet shtuar ndjenja e dhënies dhe mirëbërësisë me qëllim që të mos bëhen ambiciozë e të jepen pas interesave të kësaj bote, për rrjedhojë, t’i harrojnë Allahun dhe njerëzit. Sigurisht, do t’ia mësosh fëmijës të dhënët që të mos bëhet materialist, që në jetën shpirtërore të lidhet pas Allahut. Ndërkaq, le ta kujtojmë edhe një herë se, të dhënët, përsa i përket vlerës si shembull personal i edukatorit, po s’u tregua praktikisht dhe po s’u mbështet edhe me fjalë, nuk ka ndikim. Kur veprojmë, fjalët që i shoqërojnë veprimet bëhen ndikuese si frymëmarrje engjëjsh.
c) Shpërblimi
Fëmija duhet shpërblyer në raport me suksesin që arrin. Ndërkaq, duhet të theksojmë se qoftë në çështjet e jetës besimore-fetare, qoftë në çështjet materiale të kësaj bote, shpërblimi për çdo arritje ose sukses legjitim është domosdoshmëri e moralit hyjnor.
Nga ky këndvështrim, “nënë dhe baba” do të thotë pak edhe mendimtar, erudit dhe edukator. Prindërit do të dinë, do të mendojnë, do të vëzhgojnë, do të kujdesen për fëmijët dhe do të dridhen mbi kokë të fëmijëve. Sigurisht, po qe se prindërit nuk do t’u japin rëndësi fëmijëve sa ç’u japin makinës, kopshtit ose arës, është e qartë se ata do të mbeten të pazhvilluar në ndjenja e mendime ose, e thënë ndryshe, me ndjenja e mendime të atrofizuara. Edhe në këtë rast, ashtu siç u parashtrua më lart, kur është fjala për edukimin tek fëmijët të ndjenjave të larta, duhet t’i drejtohemi burimit bazë që është morali i Allahut (xh.xh.). Atyre që bëjnë punë të mira, Allahu u jep në jetën tjetër xhennet, kurse atyre që bëjnë punë të këqia, ndëshkim.
Kur’ani thotë: “Po qe se falënderoni, edhe unë jua shtoj të mirat; po qe se tregoheni mosmirënjohës, ndëshkimi im është shumë i rëndë!” (Kur’ani, Ibrahim, 14/7)
Dhe, të pajisur me moralin e Allahut, do të përpiqemi që sjelljet dhe qëndrimet tona para fëmijës t’i kemi aq të matura, sa edhe Allahu të mos na shtyjë ne në vetmi!