Meditimi rrit përqëndrimin dhe qetësinë shpirtërore tek fëmijët
Meditimi i ndihmon fëmijët të ndihen më të qetë dhe të mësojnë më mirë në shkollë. Kështu thonë rezultatet e studimeve të ndryshme të realizuar me fëmijë të shkollave fillore.
Një studim i vitit 2015 zbuloi se fëmijët e klasave të katërta dhe të pesta që ndoqën një program meditimi katër mujor, treguan përmirësime në aftësitë njohëse, kujtesë afatgjatë dhe nota më të mira në matematikë. Një studim i publikuar së fundmi në revistën akademike “Mindfulness” zbuloi përmirësime të ngjashme në rezultatet matematikore të nxënësve të klasave të pesta me mungesë të përqëndrimit dhe sjellje hiperaktive (sindroma ADHD). Gjithashtu një studim në një shkollë fillore në Kore tregoi se tetë javë meditim ulin nivelin e agresivitetit, ankthit social dhe stresit.
Këto studime tregojnë se praktikat medituese kanë aftësinë të ndryshojnë strukturën e funksionimit të trurit në atë mënyrë që rrit suksesin akademik.
Neuroshkenca sugjeron se meditimi mund të ketë më shumë ndikim në aftësitë njohëse, kur truri është në fazat më të hershme të zhvillimit. Kjo ndodh sepse truri i zhvillon lidhjet në lobin paraballor më shpejtë gjatë fëmijërisë. Megjithëse edhe të rriturit mund të përfitojnë nga meditimi për të reduktuar stresin dhe lodhjen fizike, efektet e tij në rritjen e vëmendjes dhe kontrollit konjitiv janë më pak ndikuese se sa tek të vegjlit.
Këtë e ka provuar dukshëm një studim klinik i publikuar në Revistën e Studimeve Familjare dhe për Fëmijë (The Journal of Child and Family Studies). Fëmijë të moshave 8-12 vjeç të diagnostikuar me sindromën ADHD, së bashku me prindërit, u përfshinë në një program meditimi tetë javor në të njëjtat kushte. Rezultatet treguan se meditimi i vetëdijshëm rriti ndjeshëm aftësitë përqëndruese dhe kontrollin e inmpulseve tek të dyja grupet, por përmirësimet ishin dukshëm më të mëdha tek fëmijët.
Shumë prindër pohojnë përfitimet nga meditimi në moshë të hershme. Heather Maurer është një nënë, e cila e ndihmon vajzën e saj 9-vjeçare me teknikat e meditimit tre herë në javë dhe thotë se ajo tani i kontrollon më mirë emocionet e saj dhe është më e përqëndruar.
Amanda Simmons ka parë përmirësime të ngjashme tek djali i saj 11-vjeçar, i cili ka sindromën ADHD dhe simptoma të autizmit. “Por këto simptoma pothuajse janë zhdukur që kur ai ka filluar të praktikojë meditimin para gjashtë muajsh. Meditimi vepron si një “rinisje” e trurit të tij duke rregulluar luhatjet e humorit dhe duke pakësuar zemërimin”, thotë znj. Simmons.
Meditimi i ndihmon fëmijët të vetërregullojnë kontrollin e emocioneve dhe të jenë më të përqëndruar, pavarësisht nëse ata vuajnë apo jo nga ndonjë çrregullim shëndetësor. Ndoshta në të ardhmen meditimi dhe ushtrimet fizike do të bëhen pjesë po aq e rëndësishme e prindërimit sa edhe të ushqyerit shëndetshëm.