Të largohesh prej egoizmit
Ndjekja një më një e kritereve të sunetit profetik në të gjitha marrëdhëniet që lidhim me njerëzit, për të mos hyrë në mendime të gjithfarëshme të të qenit i ndryshëm, dhe për ta prurë ndjenjën e thjeshtësisë në një thellësi dimensionale të natyrës njerëzore, është e një rëndësie të veçantë. Për shembull, Krenaria e Njerëzimit na thotë kështu në një hadith Tijin:
“Kërkoje edhe për të tjerët atë çfarë dëshiron për veten tënde që të mund të bëhesh besimtar.” (Tirmidhi, zuhd, 2; Ibni Maxhe, zuhd, 24) Andaj, njeriu duhet të jetë aq mendjehapur, i ndjeshëm dhe i ndërgjegjshëm, sa t’i kërkojë dhe t’i dojë edhe për të tjerët ato që dëshiron për veten, që të mund ta mbartë cilësorin e të qenit besimtar. Ndërsa pjesa tjetër e polisemisë së këtij hadithi është: Nëse një njeri nuk i dëshiron edhe për të tjerët ato që do për veten, dhe nëse i do për të tjerët ato që nuk do t’i donte për veten, është larguar saora prej atmosferës mbrojtëse të besimit, dhe po ecën në një terren të rrëshqitshëm, nga mund të rrokulliset nga çasti në çast.
Nga ana tjetër sjelljen sikur po i shohim të tjerët duke ecur veç shtrembër, duhet ta kthejmë në një sjellje që komenton për mirë: “Vallë me ç’urtësi veproi kësisoj? Vallë ç’arsye, të cilën unë nuk po e rrok dot, pati ai që veproi kështu? Cila urtësi e shtyu atë të vepronte kështu, që mua mu duk si e gabuar?” Me fjalë të tjera, duke përdorur ndonjë fakt të arsyeshëm apo urtësi të përshtatshme duhet t’i interpretojmë si pozitive veprimet e të tjerëve, të cilat mund të duken si të gabuara nga një vështrim i jashtëm, e që janë të dyshimta. Pikërisht, një afrim i tillë karshi të tjerëve, ashtu siç është një mburojë e mirë kundër keqpandehmës, është edhe një shtysë e përsosur për t’ju çuar drejt mirëpandehmës. Përpos të tjerash, edhe rruga më e mirë për të mos e parë çdo gjë të lidhur me egon tonë kalon pikërisht prej të thelluarit në mendime të kësinatyrshme.