Të kesh synime të larta në jetë
Roli i Islamit në jetën e besimtarit është thelbësor. Ai nuk qëndron i mbyllur vetëm brenda katër mureve, por depërton më tej, derisa përfshin të gjithë jetën, në çdo aspekt të saj. Ai luan një rol të madh, përderisa ngulit fort te ithtarët e tij, se është një sistem i tërë jetësor, që nuk bën ndarje midis fesë dhe jetës, e bashkon me të realitetin dhe sfidat e saj. Pra konceptimi i tij si një i tërë, do na ndihmonte më shumë të kuptonim qëllimet e tij të larta dhe rëndësinë që ka për jetët tona.
Prej atyre koncepteve që trajtohen në burimet tona themelore, është edhe çështja e të paturit synime të larta në jetë. Së pari, përderisa është fe hyjnore, na mëson dhe urdhëron fillimisht përmirësimin dhe adhurimin ndaj Zotit dhe më pas të jetuarit në paqe me çdo krijesë. Shtysa më e fortë qëndron përmbi faktin e forcimit të lidhjes me Krijuesin dhe adhurimin e Tij. Ky është pikërisht edhe hapi i parë që hedh, për zgjerimin dhe ndriçimin e horizontit tonë.
Por, a mund ta argumentojmë në mënyrë analogjike, se Kurani dhe hadithet profetike flasin për këtë çështje? Sigurisht që po! Një prej shumë shembujve ku Kurani hedh dritë edhe mbi këtë temë të rëndësishme është ajeti, që pavarësisht se në dukje i drejtohet Profetit Muhamed (a.s), kuptimi i tij mbetet i hapur. Allahu i Lartësuar thotë: “ Prandaj, ti bëhu i durueshëm, ashtu siç kanë duruar me këmbëngulje të dërguarit e vendosur”! (Ahkaf, 46/35) A është e mundur vallë, që një njeri i thjeshtë të durojë sa një profet, madje sa ata më të duruarit dhe më të sprovuarit? Jo, kurrsesi, por ky ajet na mëson rritjen e synimeve tona. Objektivi ynë duhet të jetë ai lloj durimi, të gjejmë forcë tek ai, pa bërë kompromis me rënien dhe degradimin.
Përveç kësaj, edhe Profeti Muhamed (s.a.s) me shembullin dhe fjalët e tij na porosit rreth kësaj teme. Ai shprehet në një hadith të njohur: “Kur të kërkoni prej Allahut, kërkoni xhenetin Firdeus”. (Sahih Ibn Hiban) Firdeusi, sipas transmetimeve është grada më e lartë e Xhenetit, thuajse pika qendrore e tij. Ftesa është për rritjen e synimeve dhe objektivave, paçka se jo çdokush mund të futet në të. Nëse kërkon Firdeusin, më të lartin, edhe punët do t’i bësh në përputhje me atë që kërkon dhe gjithnjë do të jesh njeri me aspirata të larta. Kjo nuk është thirrje për mediokritet, por për përpjekje dhe qëndrueshmëri.
Të gjithë njerëzit e suksesshëm në këtë botë kanë një të përbashkët, atë të planifikimit dhe synimeve të larta. Hapi i parë për të realizuar diçka është ta projektosh atë në mendjen tënde dhe më pas të ushqesh shpresë dhe objektiva madhore. Njeriu pa objektiva në jetë është sikurse anija pa busull, e cila pavarësisht se me anë të dallgëve të mëdha mund të dalë në breg, nuk mund të mendohet se ka arritur në destinacionin e kërkuar. Jeta duhet planifikuar ashtu sikurse planifikojmë një udhëtim të largët, ku nuk harrojmë të interesohemi edhe për detajet më të vogla.
Mendja dhe vullneti i lirë janë dy instrumente me të cilat Allahu i ka begatuar njerëzit. Përdorimi, zhvillimi dhe aftësimi i tyre është lënë në dorën e njeriut. Njeriu që thur plane të rëndësishme dhe ka aspirata të larta për këtë botë ku ndodhet dhe atë tjetrën, kuptohet se do të arrijë shumë në jetë. Nga ai pritet ndërtimi i kësaj bote në përputhje me kënaqësinë e Allahut, përmirësimi i kushteve të jetesës dhe sigurimi i lumturisë. Objektivat e larta i japin njeriut forcë, e bëjnë të jetë i përqendruar dhe këmbëngulës.