Streha Vorfnore, misioni i (pa) ndërprerë në këto 100 vjet
Nga Ferit Lika
“Aty ka shumë histori, suksesi e dështimi, histori që kanë mbetur në kujtesë e të tjera të harruara, të lëna pas. Të ndryshme, por edhe të ngjashme, histori fëmijësh jetimë, të braktisur e të pastrehë, që gjejnë ngrohtësinë e munguar nën strehëzën e hershme, në Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli”.
E ndodhur në një zonë mjaft të populluar në rrugën e Elbasanit, shumë pranë kodrave të Liqenit, shtëpia “Zyber Hallulli”, ngrihet e lartë dhe mjaft komode, me lulishte e gjelbërim përreth, por ky komoditet nuk ka shumë që ka “zbritur” aty, pasi ka vetëm pak kohë që është rikonstruktuar, madje as inaugurimi nuk është bërë ende. “Do të vijë të hënën Kryeministri për të prerë shiritin”, tregon z. Zaloshnja, roja i shtëpisë.
Në këtë shtëpi gati 100 vjeçare, e cila ka pritur e përcjellë qindra apo mijëra fëmijë, sot jetojnë vetëm 29 të mitur, 17 djem dhe 12 vajza. Sapo futesh brenda, në mure sheh një foto të vetë Zyber Hallullit, dy foto të fëmijëve në strehën e vjetër vorfnore si dhe një pllakatë ku tregohet shkurtimisht historiku i saj. Aty shkruhet: “Më 28 nëntor 1917, me rastin e 5 vjetorit të pavarësisë, u hap për herë të parë nga Zyber Hallulli, Kryetar i Bashkisë së Tiranës “Streha Vorfnore”, duke mbledhur fëmijë nga e gjithë Shqipëria, pa dallim besimi dhe krahine. Zyber Hallulli iu përkushtua aq shumë kësaj strehe, sa që me vullnetin dhe dëshirën e tij, para se të vdiste i dhuroi “Strehës Vorfnore” të gjithë pasurinë e tij personale. Me kalimin e kohës streha mori formën e një institucioni, i cili vazhdon të jetë edhe në ditët e sotme. Krahas Zyber Hallullit, për strehën kanë dhënë kontributet e tyre edhe disa nga tregtarët dhe bamirësit e asaj kohe, siç ishin: Myrtesim Këlliçi, Ismail Ndroqi, Hasan Vogli, etj. Në vitin 1994, “Streha Vorfnore” merr emrin e themeluesit të saj: Shtëpia e Fëmijës “Zyber Hallulli”.
Të dhënat historike janë të pakta. Dokumente apo histori të arkivuara nuk ekzistojnë, një pjesë e tyre që kanë qenë, janë zhdukur nga regjimi komunist, ku çdo “triumfator” e ndryshon dhe e shkruan historinë sipas tij.
Streha Vorfnore është hapur më 1917 te rruga e Kavajës, aty ku sot është Ministria e Punës, mendohet se ka qëndruar aty deri në vitet e para të komunizmit, ku dhe është zhvendosur në vendin ku dhe është sot, tokë kjo e cila mendohet të ketë qenë pronë e Zyber Hallullit, harta e së cilës gjatë monizmit u zhduk. Nuk ekziston asnjë dokument se kur është zhvendosur aty ku është, por dihet vetëm që gjatë komunizmit mori emrin e shtëpisë së partisë “8 nëntori”. Ndërsa pas viteve ’90 shtëpia mori emrin “Zyber Hallulli” nga kryebashkiaku i asaj kohe i Tiranës Albert Brojka, për nder të atij që e hapi për herë të parë këtë strehë, ndoshta edhe për t’i kthyer nderin e humbur.
Por a i është kthyer në të vërtetë ky nder Zyber Hallullit? Sot askush ose shumë pak veta e dinë se Zyber Hallulli rridhte nga një familje tiranase me tradita të pasura fetare islame dhe jetoi si fetar i devotshëm, madje as vetë punonjësit që janë sot aty nuk e dinë një gjë të tillë, pothuajse nuk dinë asgjë.
22 vitet e demokracisë së vendit tonë të vogël, nuk kanë sjellë ndonjë ndryshim të madh, përveç rikonstruksionit që është bërë muajt e fundit. “Shyqyr që u rregullua godina, sepse çfarë binte jashtë, rridhte brenda”, thotë drejtoresha e sapoemëruar Albana Dule.
Ndryshe nga ç’përpiqen anëtarë të stafit ta paraqesin gjendjen dhe kushtet që me të vërtetë janë goxha të mira, roja i kësaj strehe z. Zaloshnja, tregon një anë tjetër të fëmijëve. “Fëmijët janë të pandërgjegjshëm për veprimet e tyre pasi është edhe mosha e tillë, por nuk janë as edhe të miredukuar, nuk mësojnë, dalin lypin rrugëve. Për tu qethur e për tu larë duhet t’i çosh me zor, shumica e tyre janë romë të ardhur nga rruga, një pjesë e tyre i kanë prindërit e burgosur, të divorcuar e me probleme mendore, etj.”, thotë ai.
Në fakt sa i përket mësimit këtë e pranon edhe psikologia e institucionit Enkelejda Isaku. “E kanë të vështirë të përqendrohen dhe të mësojnë, për shkak se vijnë nga një fëmijëri e vështirë, vijnë nga rruga, nga familje me probleme dhe kjo ka pasoja në zhvillimin e personalitetit të fëmijës. Çdo hendek, boshllëk do të reflektohet diku”, thotë ajo.
Në vazhdën e bisedës me rojën, ai prek edhe një temë tjetër të rëndësishme sipas tij, atë të edukimit fetar. “Edukata fetare është e domosdoshme për këta fëmijë, pasi do t’i edukonte më mirë. Feja të mëson si të sillesh, pastrohesh, të jesh i moralshëm, të edukon si të ndërtosh familjen. Kleriku flet me shpirt ndërsa edukatorja vjen, bën punën, merr paratë dhe ikën”, thotë ai.
Edhe drejtoresha znj. Dule, ndryshe nga psikologia, e cila është disi skeptike në këtë aspekt, – është e parimit se religjionet duhet të jenë të pranishme në edukimin dhe formimin e një individi. “Gjithë bota e ka, merr informacion ç’është feja, çfarë përfaqëson, që të mos ngrihen tabu, “katolik”, “mysliman”, pastaj zgjedhja është e lirë. Feja përqafohet në mënyra të ndryshme nga individë të ndryshëm dhe gjithsecili është i lirë të zgjedhë besimin e tij. Jam shumë e hapur për këtë”, thotë ajo.
Nëpër korridore mbretëron qetësia, tej nga një dritare gjysmë e hapur dëgjohen si në humnerë të qeshurat e fëmijëve që janë duke lozur jashtë. Ndërsa ngjitesh një kat më lart, në katin e dytë, aty ku dhe jetojnë fëmijët, punonjëset na tregojnë ambientet të cilat janë mjaft të mira edhe pse diku nuk ka përfunduar ende arredimi.
Në mungesë të dashurisë së prindërve shtëpia që la një shekull me parë Zyber Hallulli, vazhdon të strehojë këdo që ka nevojë. Drejtoreshë Albana, duket optimiste dhe plot energji për të sjellë ndryshimin, por vallë a do t’i bëjnë ballë energjitë e saj burokracive të shtetit, kontratave e marrëveshjeve që të çojnë atje ku ata duan?
Për të është dita e parë e punës dhe ajo kërkon të ketë sa më shumë kontakte me shoqata dhe institucione të ndryshme, të cilat do të mund të jepnin kontributin e tyre. “Krahas një fondi të caktuar që jep qeveria ne kemi edhe kontrata me disa fondacione e shoqata të vogla. Me këto të ardhura mbulohen aktivitete të veçanta si ditëlindjet e fëmijëve apo mbulimi i shpenzimeve për pushimet verore, por këto nuk mjaftojnë. – tregon ajo. – Gjeta një godinë të re dhe dua të fus në të frymën e familjes. Edhe fëmijët të ndihmojnë kujdestaren në punët e shtëpisë, por jo që kujdestarja të rrijë dhe t’i urdhërojë ata. Familja nuk zëvendësohet sigurisht, por dua që kjo frymë familjare të gjejë zbatim në mënyrë që fëmijët ta ndiejnë veten si në shtëpi.”
Të gjithë këta fëmijë janë problematikë, traumatikë, në krijimin e familjeve të tyre në të ardhmen pasi duhet të shohin një model, ta përjetojnë dhe pastaj ta jetojnë vetë.
Në realizimin e këtij misioni në Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli”, punon një staf prej 35 punonjësish, mes të cilëve, mjekë pediatër, punonjës socialë, psikologë, instruktorë që merren me argëtimin e fëmijëve dhe kultivimin e prirjeve të tyre jashtëshkollore dhe sigurimi i të gjitha kushteve, të paktën kështu na thuhet.
Enkelejda Isaku, psikologia e kësaj strehe, është punëtorja më e vjetër. Ajo ka 8 vjet që punon aty dhe na tregon se si funksionon dhe se çfarë përjetojnë fëmijët, të ndodhur në një situatë të tillë, pa familje.
Pas viteve ’90 ka pasur më shumë fëmijë që fati i ka degdisur rrugëve, pasi me hapjen e shoqërisë, edhe problemet sociale e familjare janë shtuar. Që nga kjo kohë kjo shtëpi nuk quhet më jetimore, por Institucion i Përkujdesit Social. Me kthimin në isntitucion, duket se nuk e ka më atë ngrohtësinë që ofronte dikur “Streha Vorfnore”, ku ata që punonin aty, në shumicën e rasteve e bënin për bamirësi.
Prindër që për një arsye a tjetër nuk mund t’i mbajnë fëmijët qoftë për arsye shëndetësore, ekonomike apo sociale, si për shkak të divorceve, burgimeve, duan që fëmija i tyre të strehohet në këtë shtëpi. Shumica e atyre që kanë ardhur aty, janë sjellë nga vetë familjarët. Nevojat social-ekonomike i detyrojnë familjet e tyre që t’i sjellin aty, që edhe pse kushtet janë shumë të favorshme, siç rritet në familje, aty nuk do të rritej kurrë, pranon Enkeleda.
Në dukje ata bëjnë një jetë normale dhe të qetë. Ngrihen në mëngjes, vishen, hanë mëngjesin dhe shkojnë në shkollë. Pas kthimit nga shkolla hanë drekën, kanë dy orë kohë të lirë për të pushuar apo për të lozur dhe nga ora katër pasdite deri në orën shtatë studiojnë. Më pas vjen darka dhe në orën nëntë vihen për të fjetur. Por ata duan të dalin jashtë të largohen, dhe për psikologen kjo është një gjë normale. “Gjithmonë dëshira për të dalë jashtë mbetet, sepse sado mirë që të jetë këtu, vjen një moment që velen. Për mua kjo është një gjë normale”, tregon ajo.
Përveç avantazheve ka edhe shumë vështirësi. “Të punosh me këtë grupmoshë është goxha e vështirë, komunikimi, marrëdhënia me njëri-tjetrin, shumica janë adoleshentë dhe kjo është koha kur mendon se gjithçka rrotullohet rreth tij, se vetëm ai ka të drejtë dhe të tjerët e kanë gabim,.”, tregojnë punonjësit.
“Kur mungon dashuria gjithmonë ka probleme, sepse kur je i rritur me dashuri, je njeri më i mirë për veten, familjen, shoqërinë. Një njeri që i ka munguar gjithë jetën dashuria ka problemet e veta”, tregon psikologia.
Tani si në shtëpi
Shtëpia është luksoze, e rikonstruktuar së fundmi dhe e mobiluar nga donatorë të ndryshëm, duke i dhënë pamjen e një shtëpie të vërtetë përmes projektit “casa famiglia” (shtëpi familje), duke e kthyer këtë qendër, në një shtëpi me kushte optimale për strehimin e të miturve. Ndryshe nga vitet e mëparshme, ku fëmijët qëndronin në mënyrë kolektive, tashmë ata janë ndarë në grupe dhe gjini të ndryshme në miniapartamente. “Casa Famiglia” është një model i ri europian, që synon t’i transformojë strehët sociale në ambiente familjare, ku fëmijët të ndihen të rrethuar nga atmosfera e ngrohtë e shtëpisë.
Punonjësit tregojnë se fëmijëve u pëlqen ambienti edhe pse ka vetëm një muaj që aplikohet si projekt, ata nuk preferojnë të dalin jashtë, por duan të rrinë në ambientet e tyre, të shohin televizor, të flasin me njëri-tjetrin, etj. “Ky projekt është mjaft i mirë – tregon drejtoresha – ka konceptin e familjes, praninë e femrës në shtëpi, në mënyrë që ata të dinë si të sillen, deri ku janë limitet, rregullat e edukatës, etj.”
Duket qartë që të paktën sot për sot kushtet janë optimale, por shumicës së fëmijëve nuk u tregohet nga familjarët se ku po i çojnë dhe se sa do të rrinë aty. Nuk flitet me to përpara dhe trauma që pëson fëmija nga kjo shkëputje e papritur është e madhe. Edhe pse sot gjendemi në një kohë tranzicioni e materializmi, ka ende njerëz të mirë, bujarë që mendojnë për ta. Qytetarë të thjeshtë, në raste festash, dhurojnë diçka nga ajo që ata kanë dhe preferojnë të mbetën anonimë, pasi siç thonë ata “e bëjmë nijet për shpirtin tonë dhe për të ndihmuar ata të gjorë dhe jo për tu dukur”.
Çfarë ndodh më pas?
Rikthimi në familjen biologjike është puna më e arrirë për institucionin, pasi e gjithë puna e sektorit social ka të bëjë me rikthimin në gjirin e familjes së tyre, në rast të kundërt ata mbeten në rrugë.
Ligji për statusin e fëmijëve jetimë është ende ai i vitit 1996, që funksionon në një realitet, i cili ka ndryshuar shumë. Shtëpia “Zyber Hallulli” ofron strehim nga mosha 6-15 vjeç, derisa mbarojnë arsimin e detyrueshëm, e më pas ata mbetën në mëshirë të fatit. “Shteti nuk ofron asnjë lloj shërbimi për këta fëmijë pas moshës 15 vjeç”, thotë Enkelejda. Ata dërgoheshin në shkollat e mesme publike profesionale që u siguronin edhe konviktet, por me ardhjen e kryebashkiakut të ri Lulzim Basha, konviktet kaluan nën administrimin e pushtetit lokal e këta fëmijë nuk lejohen më të rrinë aty, vetëm ata që përfitojnë statusin e jetimit, por siç tregon Enkelejda, nga “Zyber Hallulli” vetëm një ose dy fëmijë e përfitojnë këtë status. Për të tjerët shikohet mundësia që ata të strehohen pranë shoqatave, deri në moshën 18-vjeçare, por nëse këto të fundit kanë kapacitete, në të kundërt, fëmijët duhet të përballen me realitetin në rrugë, për të gjetur një strehë.duke u bërë një gjah i lehtë për rrjetet e krimit të organizuar dhe prostitucionit. Shumë prej tyre detyrohen të braktisin shkollat dhe të gjejnë alternativa dhe rrugë të pandershme për të mbijetuar. Këtu nis dhe kalvari i gjatë i vuajtjeve dhe përpjekjeve për të përballuar vështirësitë e shumta të jetës. Aty fillon edhe drama më e madhe e jetës së tyre, ku shpresat për të ardhmen veniten dhe askush nuk kujtohet më për ta.
Zyber Hallulli, fetar e atdhetar i shquar
Profili i atij që la pas këtë strehë për fëmijët jetimë dhe për ata në vështirësi social-ekonomike, nuk ka se si të jetë ndryshe, veçse atij të një bamirësi të dhembshur dhe zemërgjerë, mirësi kjo e cila rridhte padyshim nga të qenët besimtar të tij. Shtëpia 100-vjeçare e fëmijëve “Zyber Hallulli” është nga më të hershmet në vend, ndaj dhe Zyber Hallulli me të drejtë u quajt nga bashkëkohësit e tij, “Babai i Jetimëve”.
Zyber Hallulli lindi në Tiranë më 1842 dhe rridhte nga një familje tiranase me tradita fetare e patriotike. Mësimet e para i kreu në shkollën e mesme “Ruzhdie” të vendlindjes. Më vonë vazhdoi shkollën e lartë për teologji dhe për filozofi në Stamboll. Me t’u kthyer në atdhe, ai iu përkushtua me pasion hapjes së shkollës shqipe dhe mësimit të besimit islam, sepse pa çlirim mendor e shpirtëror, nuk mund të bëhej çlirimi kombëtar. Si kryetar bashkie i Tiranës, krahas shumë detyrave të tjera të mëdha, i lindi ideja e arsimimit dhe edukimit të fëmijëve jetimë, të cilët, për rrethanat historike që po kalonte kombi ynë, ishin shtuar shumë. Ngritja e “Strehës Vorfnore” kërkoi ngritjen e një komisioni me bamirës të njohur të qytetit të Tiranës, ku përfshiheshin fetarë, përfaqësues të parisë, tregtarë e zejtarë, që do të financonin veprimtarinë e këtij institucioni. Më 28 nëntor 1917, me rastin e 5 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, u hap për herë të parë ky institucion, duke u grumbulluar fëmijë nga e gjithë Shqipëria, pa dallim krahine e besimi fetar.
Jetoi si fetar i devotshëm dhe punoi si patriot i ndershëm. Ai ishte një ndër përkrahësit më të zjarrtë të Shpalljes së Pavarësisë, të ideve demokratike të Kongresit të Lushnjës dhe të Revolucionit Demokratik të Qershorit 1924. Njihet për pjekurinë që kishte si predikues i Islamit, ishte antikomunist dhe përhapës i ideve përparimtare të rilindësve. Vdiq më 1927. Kujtohet me respekt e nderim nga banorët e Tiranës si vazhdues i denjë i patriotëve fetarë paraardhës.
Mision i (pa) ndërprerë
Gjërat kanë ndryshuar shumë që nga ajo kohë, nga një kryebashkiak që lë të gjithë pasurinë e tij për fëmijët, sot në një kryebashkiak tjetër që i nxjerr ata në rrugë. Kjo shtëpi u ngrit si një strehë për varfnorët, si një vatër e ngrohtë për skamnorët, me një qëllim dhe mision të qartë, dashuri dhe ndihmë për ata që s’kanë, e sot në këtë 100 vjetor, ende ngrihet pyetja se: A e ka kryer apo jo misionin e saj shtëpia e fëmijës “Zyber Hallulli?