Sinqeriteti, sekreti i shpëtimit
Sinqeritet do të thotë që veprat e njeriut të përputhen me ndjenjat e tij të brendshme, ndërsa fjalët me mendimet dhe bindjet e tij. Pra, i sinqertë është ai njeri që thotë të vërtetën dhe ka qëllime të pastra në veprat e tij.
Por, përse duhet të jemi të sinqertë?
Gjithçka që ekziston në këtë botë është e krijuar për një qëllim dhe në një formë që i përgjigjet vetëm llojit të vet. Ajo vërteton faktin e ekzistencës së Allahut. Goja dhe gjuha jonë, nuk janë krijuar që të ngjallin urrejtje midis njerëzve duke gënjyer. Allahu na i ka dhënë ato, që nëpërmjet tyre të shprehim dëshirat tona, mendimet, ndjenjat, si dhe falënderimet ndaj Tij, për mirësitë që na ka dhuruar.
Nëse në veprat dhe fjalët tona jemi të sinqertë, atëherë edhe pozita e gjendja jonë, si dhe tërë veprat tona do të jenë të mira. Sinqeriteti është cilësi e njerëzve të mirë. Po të jesh i sinqertë di të fitosh edhe respektin e njerëzve të tjerë.
Profeti Muhamed (a.s) ka thënë: “Thuaje të vërtetën edhe nëse është e hidhur.” “Shpëtimi është në të vërtetën.”
Sinqeriteti është një faktor kryesor për shpëtimin e njeriut në këtë jetë dhe në jetën pas vdekjes. Sinqeriteti është një virtyt që sjell përparimin e pandërprerë të një populli.