Nevoja e dërgimit të Profetëve

Njeriu me aftësitë e veta mendore do të ishte në gjendje t’i kuptonte fshehtësitë e disa dukurive, por shumë çështje do të mbeteshin të pazgjidhura për të, sikur të mos kishte dërguar Allahu xh.sh. Pejgamber. Qëllimi i dërgimit të Pejgamberëve bashkohet në të njëjtën pikë me qëllimin e krijimit të njeriut. Kjo pikë qëndron në vijën që përcakton pozitën e njeriut si rob i Zotit, për rrjedhojë, adhurimin e Zotit nga njeriu. Allahu xh.sh. na e tregon në Kur’an kësisoj:

وَ مَا خَلَقْتُ الْجِنَّ وَ الإِنسَ إِلاَّ لِيَعْبُدُونِ

 “Unë nuk i krijova xhindet dhe njerëzit për tjetër veçse që të më adhurojnë Mua.” (Dharijat:56)

Edhe sikur njerëzit me mendjen e vet ta gjejnë Allahun duke parë dukuritë që ndodhin në ekzistencë, nuk mund ta dinë pa ndihmën e Pejgamberëve qëllimin final dhe urtësinë e krijimit të tyre, nga kanë ardhur e ku do të shkojnë dhe si duhet t’i drejtohen Krijuesit të tyre (adhurimet). Ja, pra, Allahu xh.sh. ka dërguar Pejgamber për të plotësuar këtë nevojë të njerëzve. Prandaj një tjetër qëllim në dërgimin e Pejgamberëve është kumtesa fetare dhe sigurimi i drejtpeshimit botë – amshim.

Po të mos ishin Pejgamberët, njerëzit, nën presionin e dëshirave dhe kërkesave të tyre kalimtare, do t’i ngatërronin me njëra-tjetrën gjërat e drejta me gjërat e dëmshme që i vijnë të këndshme vetes dhe nuk do të merrnin dot vendime të qëlluara. Shembulli i bukur që Pejgamberët e shpalosën është një tjetër qëllim në dërgimin e tyre.

Ka nevojë për Pejgamberë edhe për t’i ngarkuar njerëzit me përgjegjësi të caktuara dhe, për rrjedhojë, për t’u dhënë atyre shpërblim dhe ndëshkim. Vetëm në këtë mënyrë është parandaluar që, në jetën pas vdekjes, njerëzit të mos dalin para Allahut me pretendimin se “s’dinin gjë”! Këtë specifikë Kur’ani e prek kështu në një ajet të tij:

رُّسُلاً مُّبَشِّرِينَ وَ مُنذِرِينَ لِئَلاَّ يَكُونَ لِلنَّاسِ عَلَى اللَّهِ حُجَّةٌ بَعْدَ الرُّسُلِ

 “Ne dërguam pejgamber përgëzues e paralajmërues që, pas kësaj, njerëzit të mos nxjerrin pretekste (arsyetim) para Allahut.” (Nisa:165)

Profeti i parë është Hazreti Adem, kurse i fundit, Pejgamberi ynë i dashur, Muhamedi a.s., që është vula e pejgamberisë, dhe pas tij nuk ka më Pejgamber tjetër. Mes këtyre të dyve kanë ardhur shumë Pejgamberë të tjerë. Nuk e dimë numrin e plotë të tyre, edhe pse thuhet se ka pasur 124 mijë sosh. Në Kur’an përmenden vetëm emrat e njëzetepesë prej tyre dhe nga Allahu jepen të dhëna për ta. Emrat e tyre janë: Adem, Idris, Nuh, Hud, Salih, Lut, Ibrahim, Ismail, Is’ hak, Jakub, Jusuf, Shuajb, Musa, Harun, Daud, Sulejman, Ejub, Junus, Iljas, Eljesa, Dhulkifl, Zekeria, Jahja, Isa, Muhamed (alejhimus-selam).

Profetët a.s. nuk shmangen nga e drejta. Kurrë nuk ka ndodhur të gënjejnë. Janë njerëz shumë të zgjuar. Ata nuk bëjnë mëkate. Urdhrat e marrë nga Zoti ua kumtojnë njerëzve në përpikëri.

Kur përmendet emri i një Pejgamberi, duhet shoqëruar me shprehje lutëse për mëshirë dhe paqe, si “alejhisselam” (a.s.), “paqja qoftë mbi të!” ose “sal’lall-llaahu alejhi vesel’lem” – “mëshira dhe paqja e Allahut qofshin mbi të.”

Postime të ngashme

%d bloggers like this: