Shkurtim i kohës dhe i vlerave
Tani duam t’i bëjmë gjërat sa më shpejt dhe me sa më pak njerëz. E gjithë kjo për të kursyer kohën tonë dhe kohën e tyre.
Ushqimet tona janë ose gjysmë të gatuara ose të gatuara shpejt e shpejt dhe me lloj-lloj pajisjesh elektronike. Jemi shumë të lumtur që po kursejmë kohë dhe harrojmë se atë kohë e kalojmë më vonë në spital, për shkak se marrim shumë pak vlera ushqyese nga ushqimi ynë.
Njerëzit e urtë kanë thënë se e mira shtohet kur ndahet me shumë njerëz, ndërsa e keqja pakësohet. Për të kursyer kohën tonë, duke qenë se nuk presim dot njerëz, pasi duhet të gatuajmë, të lajmë e të pastrojmë, preferojmë që të mirën dhe të keqen ta ndajmë me veten tonë. Më vonë detyrohemi t’i ndajmë këto përjetime me ndonjë psikolog. Vetmia na gërryen.
Ankohemi gjithë kohën për mungesë kohe, ndërkohë që ajo na është dhuruar për të bërë mirë, për ta adhuruar Zotin dhe për t’i ndarë mirësitë me krijesat e Tij.