Cilat janë dëmet e prostitucionit?

Dëmet e prostitucionit janë aq të shumta, sa nuk mund të numërohen! Prostitucion do të thotë që njeriu ta lëshojë veten në kënaqësi dhe dëfrim jolegal (nga ana fetare). Në të kundërt, përfitimi nga kënaqësitë dhe dëfrimet brenda kuadrit legal (nga ana fetare) nuk janë prostitucion. Po, kënaqësitë legale janë plotësisht të mjaftueshme, prandaj nuk del nevoja për të hyrë në gjëra të ndaluara, pra, në mëkat. Thuhet se Profeti ynë as është afruar te prostitucioni, madje as që e ka zënë me gojë atë! Personi i tij si profet karakterizohej nga atributi i pafajësisë (inocencës). Të jesh i pafajshëm do të thotë të mos hysh në mëkat, të mos i hedhësh sytë kah harami (gjërat e ndaluara) dhe të mos kesh prirje për kah harami. Sikur edhe gjëja më e vogël prej këtyre të shfaqej qoftë edhe një herë të vetme tek ai, armiqtë që planifikonin ta shkatërronin atë në çdo rast të mundshëm, do të kapeshin pas kësaj dhe do ta shfrytëzonin gjer në fund. Ç’nuk i patën thënë armiqtë: magjistar, poet, fallxhor, jetim, i varfër! E patën akuzuar se kërkon të bëjë këtë e atë, por kurrë nuk mundën ta akuzojnë për çështjen në fjalë dhe as që mund të thoshin ndonjë gjë për të, sepse askush nuk do t’i miratonte ato shpifje. Ai pati jetuar me nder. Ai as që pati shqiptuar, madje, fjalë të këqia, e as veshi nuk ia pati pranuar! Përkundrazi, ai pati treguar reaksion ndaj përdorimit edhe prej të tjerëve të fjalëve të tilla! Një radhë, patën ardhur disa çifutë e, duke e shtrembëruar përshëndetjen “Es-selamu alejkum”, “Paqe ty (juve)!”, i patën thënë: “Es-samu alejkum sam”, “Vdekje edhe për ju!” Kurse Profeti u qe përgjigjur shkurt dhe në një mënyrë të denjë për të: “Ve alejkum”, “Edhe për ju!”, duke mos e shqiptuar fjalën vdekje, duke ia lënë peng në dorë armikut edhe qëllimin e keq, edhe fjalën e keqe! Pastaj, pasi patën ikur çifutët, ia pati tërhequr vëmendjen Hz. Aishesë: “O Aishe, mos u bëj e ashpër, mos u bëj e vrazhdë!” “A nuk e pe se ç’të thanë, o i Dërguari i Allahut?” – qe mbrojtur Aisheja. Kurse Profeti: “Po unë ç’u thashë? Edhe për ju!” Profeti jepte përgjigjen e merituar por pa përdorur fjalën e keqe. Dhe mund të themi se fjalët e këqia as që i patën shkuar ndërmend Profetit dhe as që i patën vizituar gojën! Profeti urdhëron: “Innallahe la juhibbu fahishel bezi”, “Me të vërtetë Allahu nuk i do ata që përdorin fjalë të këqia!”

Në ditët tona, për fat të keq, prostitucioni ka marrë një përhapje të madhe. Mirëpo ai, me të gjitha aspektet e tij, me trajtat, me institucionet që i shërbejnë, i bën shërbim djallit. Janë disa parime e rregulla të vendosura nga Islami kundër prostitucionit. Për sa kohë ata që besojnë do t’i zbatojnë ato, nuk do të rrëmbehen nga vorbulla e prostitucionit, nuk do t’i kapë e zvarritë gjer në asgjësim lumi i rrëmbyer i prostitucionit. Por kur të mos respektohen ato rregulla e parime, do të jenë të dënuar t’i rrëmbejë rrjedha siç shkul e rrëmben drurë e trungje e i merr me vete!

Çështja më e rëndësishme për të cilën shqetësohemi vazhdimisht si për vete, ashtu edhe për të gjithë shokët dhe vëllezërit tanë besimtarë, është se mos një ditë i godet shejtani mu në këtë pikë. Shoqëria e njerëzve të mbrapshtë të dhënë pas kënaqësive të mbrapshta të kësaj bote, është kah tregohet seriozisht e zellshme për t’i çoroditur një pjesë shokësh tanë naivë që punojnë jashtë duke u rënë më qafë me anë të femrave. Ajo shoqëri po përdor të gjitha mjetet: paranë atje ku duhet paraja, pozitën atje ku duhet pozita, llumin e imoralitetit atje ku hyn në punë imoraliteti. (Zoti na mbrojttë të gjithëve!)

Parimet e Islamit në lidhje me subjektin që po shqyrtojmë, përmblidhen kështu: Islami pranon si realitet çdo gjë që i përket njeriut. Për shembull, prania tek njeriu e ndjenjave të tilla si inati, ekspansiviteti dhe vrazhdësia është një realitet. Ndërsa përdorimi me vend i këtyre mund të shërbejë si pretekst për mbarësi, begati dhe dobi, në të kundërt, ato e shtyjnë njeriun në konfrontime e konflikte. Në të njëjtën mënyrë, Islami edhe epshin e pranon si një realitet njerëzor. Epshi është një prioritet, një dhuratë hyjnore e dhënë njeriut në shërbim të jetës së tij personale dhe me qëllim vazhdimësinë e brezit. Profeti ka thënë: “Tenakehu tekaseru feinni ubahi bikumul ummeme jevm el kijameh”, “Martohuni e shumohuni; ditën e kiametit do të krenohem me ju!” Por me kë do të krenohet ai? Jo me atë që e kalon agjërimin në mejhane e bajramin në puthane (shtëpi publike). Ai krenohet e do të krenohet me atë shumicë njerëzish që falen, që kthehen kah drejtimi ynë, që janë të dhënë pas të vërtetës e që thonë ato që themi ne. Për rrjedhojë, mund të thuhet fare hapur se ndjenja e epshit tek njeriu është një ndjenjë e bekuar.

Si në çdo çështje tjetër, edhe këtu Islami ka sjellë një kriter dhe një ekuilibër. Esenciale është që njeriu të mos hyjë në mëkat e të mos cënojë nderin dhe personalitetin vetiak të tjetrit, pra, të mos cënojë konvencionet mbi të cilat është ngritur dhe qëndron shoqëria njerëzore.

Martesa vjen në krye të zgjidhjeve që ruajnë ekuilibrin në fjalë. Njeriu duhet të martohet sapo që ta ketë të nevojshme një gjë të tillë dhe kur të ketë mundësitë materiale përkatëse. Në pamundësi të martesës, Profeti ka rekomanduar agjërimin. Agjërimi është si një mburojë përballë mëkateve. Vetëm se agjërimi kërkon plotësimin e disa kushteve të caktuara, përndryshe nuk vlen për asgjë. Në krye të këtyre kushteve vjen të ngrënët me masë. Agjërimi duke u shembur në të ngrëna as vlen për gjë, as dhe ka ndonjë kuptim.

Njeriu duhet të jetë i përkorë në të ngrënë e në të pirë edhe në kohët normale. Të hash pak e të flesh pak është një parim islam i pandryshueshëm. Profeti ynë këshillon që ushqimit t’i lihet, më e shumta, një e treta e stomakut dhe po kaq, ujit. Pjesa tjetër këshillon të lihet bosh. Përsëri Profeti pohon se ndaj Allahut, ena më e papëlqyeshme është një stomak i mbushur plot e përplot.

Ndërsa nga njëra anë Islami e këshillon të riun të martohet ose të agjërojë, nga ana tjetër u kushton vëmendje të veçantë veprimtarive anësore që e brejnë si krimbi shoqërinë, sidomos nxitjen e seksit. Në kohën e Profetit, kur një femër apo mashkull përbënte në këtë drejtim rrezik për shoqërinë, përdorej masa e largimit të tyre nga vendbanimi dhe mjedisi aktual.

Njeriu i ditëve të sotme ndodhet para një rreziku shumë serioz. Profeti pati tërhequr vazhdimisht vëmendjen për një rrezik të tillë dhe pati thënë: “Gjëja për të cilën kam frikë më shumë për bashkësinë time, është femra.” Si edhe: “Nuk di të kem lënë pas një intrigë më të madhe se intriga e femrës!

Intriga e femrës ka fshirë shumë popuj nga faqja e dheut. Po, shumë fise e popuj të vjetër janë shkatërruar e humbur vetëm për shkak të femrës. Roma dhe Bizanti qenë degjeneruar dhe shpërbërë nën pushtetin e ndjenjave epshore. Po ashtu edhe ajo Andaluzia e bukur… Pandeh se këtë do ta pranonte çdo njeri që do të vështronte pikturat e turpshme të hamameve të sarajit të El Hamras. Pikturat e bëra pa ndonjë kufizim e si interprete të ndjenjave epshore – në emër të artit këto – tregojnë haptazi se sa poshtë ka pasë rënë morali ato kohë. Allahu – mos qoftë e thënë – nuk është mizor. Mizorët janë shpata e Allahut, Ai merr hak me anë të tyre. Ngritur mbi këtë urtësi, është thënë: “Ezzalimu sejfullah jentekimu bihillah summe juntekamu minhu”, “Mizorët janë shpata e Allahut; me ta ai merr hak dhe, pastaj, lëshon ndëshkimin edhe mbi ata vetë!” Kur Zoti ua lëshoi në qafë muslimanëve të Spanjës mizorin Ferdinand, ata kishin kohë që e kishin lëshuar veten dhe ishin shtypur nën kthetrat e ndjenjave epshore. Po kështu na i pati lëshuar në qafë mizorët grekë e bullgarë sepse në disa zona të vendit tonë besimtarët organizonin orgjira nate. Kur u ranë në qafë mizorët grekë e bullgarë, s’u erdhi mirë e u revoltuan ndërsa duhet të kishin reflektuar me kohë për atë se ç’po bënin. Me atë ç’ka u ra mbi kokë, Zoti ua hiqte veshin njerëzve tanë dhe u jepte mesazhin: “Ejani në vete!

Po, prostitucioni është një sëmundje e frikshme që ka marrë sot përmasa të jashtëzakonshme duke u shoqëruar edhe me sëmundje të tjera po aq të rrezikshme si alkooli dhe droga. Ne këto i quajmë figurativisht sëmundje sepse nën shtratin e këtyre notojnë sëmundje të vërteta të rënda si aidsi dhe sëmundjet degjenerative. Të gjitha këto së bashku tregojnë se sa e krimbur dhe e kalbur është nga brenda shoqëria jonë botërore e qytetëruar që duket e bukur nga jashtë.

 

Një nga çështjet më të diskutueshme, në këtë mes, është jeta e përbashkët meshkuj-femra. Edhe pse kjo është bërë një tipar dallues i shoqërisë dhe në pamje si diçka e paevitueshme, nuk do të thotë se është, për pasojë, edhe e drejtë. Veçanërisht nuk është i drejtë pretendimi se jetesa e përbashkët dhe lakuriqësia qoftë e meshkujve, qoftë e femrave, shkakton ambientim dhe, për pasojë, uljen e interesit dhe të nxitjes seksuale. Kjo është një gënjeshtër e madhe dhe një mashtrim i madh! Eshtë njëlloj si të thuash se ndejtja vazhdimisht e një njeriu me njerëz që pijnë alkool dhe në mjedise ku pihet alkool, e bën atë të pandjeshëm ndaj pijeve përkatëse! Eshtë një e vërtetë shkencore se veset dhe dëshirat e ndryshme si dhe ato erotike nxiten më shumë e më shpejt kur përfytyrimi mbi to plotësohet edhe me realitetin e tyre.

Realiteti i shoqërisë së sotme në planin moral është pamundësisht i mohueshëm, pavarësisht nga justifikimet dhe lustra e jashtme, pavarësisht nga vetëmashtrimi me anë të të cilave bëhen përpjekje për t’u anashkaluar problemeve. Megjithatë, ky realitet nuk është fatal dhe i pashmangshëm. Atje ku janë shkaqet, duhen kërkuar edhe zgjidhjet. Shkaku kryesor është ateizmi dhe braktisja e moralit fetar, domethënë mungesa e çfarëdolloj morali, për pasojë, e çfarëdolloj vetëdijeje e përgjegjësie njerëzore. Shkaku i dytë është braktisja e traditave të shëndosha mijëvjeçare kombëtare në saje të të cilave është ruajtur identiteti kombëtar dhe pastërtia e brezit. Shkaku i tretë është indiferentizmi i individit, shoqërisë dhe i shtetit ndaj faktorëve dhe forcave të errëta që e gërryejnë nga brenda në mënyrë të vazhdueshme e të padukshme shoqërinë. Në lidhje me këto, veçanërisht në lidhje me prostitucionin për të cilin e patëm fjalën si dhe për faktin se njeriu nuk është kurdoherë dhe në masën e duhur i informuar për rreziqet që i kanosen, Kur’ani tërheq vëmendjen në këtë mënyrë: “Ata që dëshirojnë që te besimtarët të përhapet amoraliteti, i pret një ndëshkim i hidhur si në këtë botë, ashtu edhe në botën tjetër. Allahu di, kurse ju nuk dini!” (Kur’ani, Nur: 19)

Postime të ngashme

%d bloggers like this: