• July 8, 2020

Rrugicat e gurta…

Ferit Lika

nga Ditari i një gazetari

“…rrugicat e gurta janë aty si dëshmi e së vjetrës, rrënjët e të cilave janë ngulur thellë në historinë e një realiteti shumë kohë më parë.”

Lëmë pas rrugën e vjetër të Kërrabës për t’u futur në tunelin e ri, në autostradën që lidh Tiranën me Elbasanin, një investim i madh dhe i rëndësishëm i kohëve të fundit, por fatkeqësisht, siç ndodh rëndom, i lënë përgjysmë apo me punime që vazhdojnë e askush nuk është në gjendje të të japë një përgjigje se kur do të përfundojnë.

Elbasani, edhe pse me ritme të ngadalta, ka ndryshuar disi vitet e fundit. Zgjerimi i rrugëve, investimet e reja, stadiumi, e veçanërisht, lyerja e fasadave të pallateve me ngjyra të ndezura plot jetë, që ngjajnë si tablo ku piktori ka materializuar botën e tij të brendshme, duket sikur do t’ia rikthejnë sërish epitetin e humbur “Nusja e Shqipërisë”. Fatkeqësisht, “velloja” e së cilës vazhdon të mbetet e zymtë nga djegiet e mbeturinave dhe nga katrani i Metalurgjikut!

Elbasani sigurisht që ka ndryshuar, por betonimi ka filluar të shtrijë krahët.

Në rrugëtimin tonë në kërkim të njohjes së trashëgimisë e kulturës sonë tradicionale, gjendemi përballë një ndërtese dykatëshe me tjegulla e parmakë prej druri të vjetruar. Muzeu Etnografik. Kjo godinë njihet nga elbasanasit e vjetër si shtëpia e Sejdinëve, familje e pasur aristokrate e shekullit 18, që vazhdon të ketë edhe sot e kësaj dite trashëgimtarët e saj. Kjo shtëpi muze është ndoshta e vetmja që përpiqet të mbajë gjallë traditën, teksa dërrasat e saj kërcasin dhimbshëm, e çatia rëndon nga vitet.

Më tutje lartohet rrapi shekullor i Bezistanit, i shpallur monument kulture. Kohët e fundit nën rrënjët e tij është zbuluar një tjetër vlerë e lashtësisë, Bazilika Paleokristiane, e fare pranë tij ngrihet hamami i vjetër i pazarit, i ndërtuar që në shekullin e 16, i ruajtur në një gjendje të mirë, i kthyer në një kafene. Përballë, me madhështinë e tyre, shfaqen muret e kalasë së kafenjtë.

Kalaja e Elbasanit është një ndër kalatë më të mëdha fushore në Ballkan, me një sipërfaqe 1.4 hektarë. Kjo zonë paraqet një qytet më vete, “Qytetin Kala”, me rrugica e kalldrëme të hershme, me shtëpi me arkitekturën e tyre origjinale. Sot, si për çudi, ajo numëron rreth katër mijë banorë, po aq sa kishte në zanafillën e saj.

Edhe pse jo në shkëlqimin e dikurshëm, ajo qëndron edhe sot si një relikte e vjetër, si një copëz historie që edhe po të duash ta harrosh, nuk mundesh dot, pasi reflekton një histori shekujsh, që kur Sulltan Mehmeti e ringriti mbi themelet e saj ekzistuese. Duket se vitet mbi supe e kanë rënduar, por një pjesë e saj qëndron ende e fortë, për t’i rezistuar “pushtimit” të ndërtesave shumëkatëshe përreth saj.

Në hyrje qëndron kulla e Sahatit, një tjetër vepër arkitekturore mjaft e rëndësishme, e ndërtuar në vitin 1899, me një lartësi prej 30 metrash. Rrugicat dhe shtëpitë karakteristike të lagjes kala të kujtojnë skenat e kinematografisë së vjetër shqiptare. Në brendësi të saj shtohen ndërtesat “moderne” të kohës, por shtëpitë e vjetra dhe rrugicat e gurta qëndrojnë aty, si dëshmi e së vjetrës, rrënjët e të cilave janë ngulur thellë në historinë e një realiteti shumë kohë më parë. Më tutje shfaqet xhamia Mbret, e cila është një ndër më të vjetrat në vend. Vendi më i “zhurmshëm” në qetësinë e kësaj lagjeje, pasi aty vijnë më shpesh njerëz për të kryer obligimet e tyre fetare.

Pas një ecjeje të shkurtër nëpër rrugicat e heshtura të kalasë, do të gjesh një prift, i cili të flet me emocion mbi mesazhin që Profeti Muhamed i përcolli njerëzimit. Duket që e njeh shumë mirë. Një klerik i cili thotë se përpara fesë qëndron kombi, atdheu. Një prift i cili thekson se myslimanët “janë njerëz të cilët i shërbejnë të mirës”. Ai është At Nikolla Marku, famulltari i kishës “Shën Maria”, një ndër dëshmitë më të hershme të praktikimit të riteve ortodokse. Brenda mureve të saj, dikur ka meshuar edhe Fan Noli, themeluesi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.

Në brendësi të kësaj lagjeje gjenden vepra monumentale dhe godina historike me vlerë mbarë kombëtare. Aty gjenden edhe shtëpitë e akademikëve shqiptarë si: Kostandin Kristoforidhi, Aleks Buda, Ylli Popa e Theodhor Haxhifilipi (Dhaskal Todri). Aty gjen godinën e ish Muzeut të Luftës, me një arkitekturë tipike të viteve ’20-‘30, apo shtëpinë e gjuhëtarit të njohur Aleksandër Xhuvani, e kthyer kohët e fundit në një galeri arti. Një tjetër objekt i rëndësishëm në këtë lagje është edhe Hamami i Grave, i cili pas viteve ‘90 ka shërbyer si lokal, por që tashmë qëndron i mbyllur.

“Elbasani është ndër qytetet e vetëm në Shqipëri ku është ruajtur mirë tradicionalja dhe ku modernia mbështetet mbi tradicionalen; ka një Kala në mes të qytetit, kalaja më e madhe fushore në Ballkan, e cila ka brenda dy lagje të ndara, një lagje myslimane dhe një ortodokse; ka brenda kishën dhe xhaminë në një distancë prej rreth 50 metrash nga njëra-tjera; ka një mozaik, bazilikë, që është 10 metra nga porta e kalasë, si dhe mjaft objekte që janë monument kulture, të cilat ruhen dhe trajtohen me kujdes”, tregon kryebashkiaku i Elbasanit, Qazim Sejdini.

Ndërsa gazetarja Bardhë Nergjoni tregon se Elbasani ka ditur të ruajë traditën. “Ndërtesat tradicionale janë ruajtur, pavarësisht se kanë nevojë për restaurim. Objektet e kultit, kishat, xhamitë po ashtu janë ruajtur, një pjesë e tyre dëshmojnë historinë e këtij qyteti. Edhe pse Elbasani përballet me efektin e modernizimit, vetë elbasanasit kërkojnë ta ruajnë këtë traditë; e ruajnë nëpërmjet këngëve të Isuf Myzyrit, nëpërmjet kostumeve popullore, nëpërmjet valleve; mundohen ta ruajnë nëpërmjet shtëpive karakteristike. Elbasani ka një Muze Etnografik shumë të pasur, i cili i shërben ruajtjes së kësaj tradite dhe mendoj që transmetimi te brezi i ri mund ta kthejë Elbasanin në një qytet model në ruajtjen e traditës”, shprehet ajo.

Xhamitë

Dikur Elbasani njihej edhe si qyteti i poetëve dhe i minareve. Rreth 100 minare lartonin mbi majat e çative të vjetra të tij dhe vetëm pak prej tyre i kanë mbijetuar shekujve. Xhamitë janë ndërtuar në fillimet e prezencës së Perandorisë Osmane në këto troje. Ato mbartin vlera të veçanta fetare, historike dhe arkitekturore. Për këtë disa prej tyre janë shpallur monumente kulture, ndërkohë që shumë të tjera janë shkatërruar.

Mes viteve që shkojnë pa reshtur, shekujt osmanë në Elbasan, sollën rritjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të qytetit, ku me rritjen e popullsisë, u ndërtuan edhe vepra të mëdha arkitekturore. Ndër veprat më të mëdha që Perandoria Osmane ndërtoi në trojet shqiptare, ndoshta ndër më madhështoret dhe më të bukurat, ishin xhamitë.

Xhamia ishte ndërtesa kryesore rreth së cilës ngrihej bërthama e qytetit dhe objekte të tjera publike.

“Objektet e kultit, kudo që ndërtohen, kanë rëndësinë e tyre të veçantë, sepse i afrojnë njerëzit me Zotin, Krijuesin. Natyrisht feja islame i kushton një rëndësi të veçantë ngritjes së objekteve të kultit në qendra të banuara, aty ku më së shumti mblidhen njerëzit”, shprehet Myftiu i Elbasanit Agim Duka.

“Mua më vjen keq se në drejtim të objekteve të kultit në Elbasan është investuar shumë pak, por edhe ato investime që janë bërë nuk janë të kohës. Nga ana tjetër më vjen shumë mirë që ritet ditore të faljes kryhen nga besimtarë të moshave të ndryshme. Për mua kultet janë domosdoshmëri edhe për një arsye shumë të madhe, sepse i shërbejnë edukimit të brezit të ri me norma të larta morale. Unë kam biseduar me ish kryetarin e Komunitetit Mysliman, por edhe me kryetarin aktual. Elbasani është një vend që meriton më shumë vëmendje, është një vend me një popullsi të urtë që rrezaton mirësi”, tregon z. Sejdini.

Në shekullin 17, kohë në të cilën qyteti është vizituar nga kronikani i njohur osman, Evlia Çelebi, Elbasani kishte 46 xhami, ku më e vjetra është ajo e Muhamed El-Fatihut, e njohur ndryshe si Xhamia Mbret.

Sipas studiuesve, vetëm qyteti numëronte 36 xhami. “Në rrugën e sotme nga Rrapi i Bobollës afër stadiumit e deri te Zaranika, numëroheshin përafërsisht 36 xhami, në kohën kur qyteti ishte me përmasa dhe me popullsi më të vogël. Aktualisht ekzistojnë 8 xhami. Dy xhami të vjetra që janë shpallur edhe monument kulture, Xhamia Mbret dhe Xhamia e Nazareshës. Kjo e fundit, falë bashkëpunimit me TIKA-n, është kthyer në identitet. Elbasani sot numëron rreth 140 mijë banorë dhe ka nevojë për shumë xhami të tjera. Shihet qartë që në ditën e xhuma besimtarët falen jashtë, në shi e në të ftohtë”, tregon Myftiu Duka.

Xhamitë qëndronin pranë njëra-tjetrës në qendër të qytetit, përgjatë bulevardit të sotëm “Qemal Stafa”. Të gjitha minaret ishin në harmoni njëra me tjetrën, në të njëjtën lartësi, duke krijuar një ansambël të vërtetë minaresh.
Xhamia e parë e ndërtuar në Elbasan rezulton të jetë Xhamia Mbret, një ndër xhamitë më të hershme të vendit tonë, e ndërtuar nga sulltan Bajaziti II. Një xhami tipike me çati dhe minare. Vetëm pak kohë më parë ajo është rikonstruktuar, ku prej vitesh ngrihej ashtu rëndë me mure të plasaritura, pa minare.

Një tjetër xhami e rëndësishme është edhe Xhamia e Nazareshës. Edhe kjo bën pjesë në “fondin” e xhamive më të hershme të vendit tonë. Mendohet të jetë ndërtuar në vitin 1599. E para faltore monumentale, në të cilën, më 7 dhjetor 1990, u organizua ceremonia e parë për rikthimin e besimit fetar, akt që i parapriu edhe protestave të mëvonshme për rrëzimin e diktaturës komuniste. Kjo xhami e vogël, nëpërmjet teknikës arkitekturore ndërlidh traditën e artit të ndërtimit të periudhës pararendëse bizantine me atë osmane. Pas një rikonstruksioni të përgjithshëm, ajo vazhdon të ruhet dhe të funksionojë normalisht edhe sot në shekullin e ri.

Xhamia e Ballies. E ndërtuar në vitin e largët 1604, sot nuk ekziston më. Për qytetin e Elbasanit ajo vinte e dyta, pas xhamisë së Nazareshës, me të cilën kanë të njëjtën gjuhë tipologjike. Elementi më tërheqës i saj ishte minarja, e cila i konkurronte të gjitha të tjerat, me lartësinë dhe modelimin e saj dekorativ, por edhe ballkoni, që ishte i vetmi i këtij modeli në Shqipëri. Në vendin e saj po ngrihet një xhami e re, më e madhja në Elbasan, por sipas një stili modern, shumë larg asaj që dikur njihej edhe si Xhamia Blu e Elbasanit.

Xhamia e Gazi Sinan Pashës. Xhamia e Pashës është mbi 150 vjeçare, por që nuk i ka rezistuar dot kohës. Ajo është rindërtuar tërësisht mbi themelet e së vjetrës në vitin 1996. Xhami të tjera të qytetit mund të përmendim: Xhamia e vjetër e Fatihut, Xhamia e Aga Biçakçi Zadesë, Xhamia e Gazi Sinanit apo edhe “Xhamia e poetëve”. Kjo e fundit njihej si e tillë për shkak se në të gjitha muret e saj ishin shkruar vargje poetike, lëvdata e fjalë profetike nga poetët dhe udhëtarët që vinin nga të katër anët e Perandorisë. Sipas Evlia Çelebiut, në muret e saj kishte aq shumë mbishkrime sa mund të formohej një vëllim me 1500 faqe.

Pas kësaj periudhe, përmenden edhe xhamia e Lepurit, xhamia e Sinan Beut, xhamia e Tabakëve, xhamia e Beqarëve dhe 20 mesxhide (faltore).

Krahas qytetit, edhe në fshatra, si në Fushë Buall dhe Godolesh, ekzistojnë gjurmë të xhamive shekullore.

Të gjitha këto, shekujt i rrënuan e tashmë nuk ekziston asnjë prej tyre. Ato që u ndërtuan përreth 500 vjet do të shkatërroheshin për vetëm 45 vite nga regjimi famëkeq komunist.

Në vitet e demokracisë në Elbasan, u ndërtuan edhe faltore të tjera islame çka ia shtuan edhe më shumë frymën fetare qytetit, ku ndër të tjera spikat Xhamia El-Hagri pranë universitetit. E veçanta e saj është se frekuentohet dhe drejtohet nga të rinjtë studentë.

Aktualisht në Elbasan nuk ka asnjë fshat pa xhami, ndërsa qyteti ka 7 xhami, e teta është në ndërtim.

Dekadën e fundit, në tre qytete që përfshin Qarku i Elbasanit, Librazhd, Gramsh e Peqin, si dhe në shumë fshatra, janë ndërtuar mjaft xhami të reja.

Vlerat arkitekturore e monumentale të faltoreve islame, të kishave dhe së bashku me monumentet e tjera të kulturës, janë pasqyrë e së kaluarës, pjesë e historisë sonë, trashëgimi të cilën lypset ta ruajmë me fanatizëm dhe jo ta lëmë në harresë.

Mikpritja dhe Harmonia

“Portat e hanedanëve bujarë, përherë rrinë çelë për miq e të huaj. Mbi porta shkruhej një vjershë arabike: Mëngjesi yt është i shoqëruar me nder e lumtuni edhe porta jote është çelë për njerëzit nevojtar”, Evlia Çelebi.

Gjithnjë shtëpia e elbasanasve ishte edhe e miqve. Ata kishin vendin e nderit kur vinin dhe priteshin mjaft mirë, traditë kjo e cila vazhdon të ruhet ende.

Elbasani njihet edhe për mikpritjen e hebrenjve gjatë terrorit nazist, miqësi që ruhen edhe sot e kësaj dite. Solidariteti dhe humanizmi ndaj tyre ka lënë gjurmë që prej periudhës antike, mesjetës e deri në kohët moderne.

“Banorët e këtij qyteti janë shprehje e mikpritjes, vlerave dhe traditës virtuoze që manifeston i gjithë populli shqiptar. Ka një traditë të admirueshme në këtë qytet lidhur me komunitetin, familjen dhe fqinjësinë. Në brendësi të tyre lulëzojnë ndjenjat bazë të humanitetit si: dhembshuria, miqësia dhe respekti, ato të cilat nuk e lënë njeriun të humbasë”, ka thënë ish ambasadori amerikan John Withers.

Elbasani i kishave, xhamive, teqeve, e ka reflektuar ndër kohëra, si e gjithë Shqipëria, harmoninë mes besimeve. Në lagjen kala rrinë pranë e pranë xhamia e kisha. Njerëzit që moti respektonin festat dhe ritet fetare të njëri-tjetrit.

“Kjo tregon dashurinë e madhe dhe respektin që kemi për njëri-tjetrin, traditën e bukur dhe historike që kemi ne në Shqipëri dhe kjo kështu do të vazhdojë, sepse kështu na e kanë lënë trashëgim të parët tanë. Kur jemi afër xhamisë, e respektojmë dhe kur jemi afër kishës, përsëri e respektojmë. Unë kam shumë miq njerëz të nderuar të komunitetit mysliman. Ndërmjet nesh nuk ka as njëlloj ndryshimi, sepse ne ushqejmë mbi të gjitha respektin për njëri-tjetrin dhe dashurinë te Perëndia, sepse kur ke dashurinë te Zoti, gjithçka është në krahët e Tij”, shprehet At Nikollë Marku.

“Elbasani e ka trashëguar harmoninë fetare që në kohët e hershme. Kristoforidhi shkruan se festat e besimeve të ndryshme festoheshin bashkë. Kjo ishte një shenjë e asaj harmonie që ne e trashëgojmë edhe sot. Mendoni që një ortodoks të jepte sadaka ose të festonte Bajramin. Kjo ishte shumë domethënëse për harmoninë që ka ekzistuar në këtë qytet. Këtu të gjitha festat bëheshin bashkë, të gjithë uronin njëri-tjetrin dhe në lagjen kala, që është shembulli i kësaj bashkëjetese, kanë jetuar dhe jetojnë myslimanë e ortodoksë bashkë”, shprehet Bardhë Nergjoni.

“Në Elbasan kjo është e trashëguar prej vitesh. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për harmoni të institucioneve fetare, por edhe besimtarët kanë një marrëdhënie të mirë me njëri-tjetrin, që është për t’u pasur zili. Interesante është se qytetari, vetë popullsia, e ruan këtë harmoni. Tek unë, në tavolinë sot sheh Kuranin, po të hapësh ndonjë nga sirtarët do të gjesh ndonjë vezë të kuqe. Festat janë gjithmonë të barabarta. Edhe festat pagane si dita e verës, në Elbasan e festojnë të gjithë bashkë, myslimanë, ortodoksë e katolikë”, nënvizon z. Sejdini.

“Elbasani është një qytet që i ka ruajtur marrëdhëniet e mira mes besimeve të ndryshme. Jo vetëm që nuk ka pasur asnjë lloj problemi, por marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera. Ka pasur dhe ka një harmoni të shkëlqyer mes besimtarëve. Ne shkëmbejmë vizita me njërit-tjetrin. Ata vijnë dhe na urojnë për Bajram dhe ne i urojmë për Pashkët”, thekson Myftiu Duka.

Harmonia ndërfetare është e theksuar në këtë qytet. Kjo harmoni ka shërbyer si katalizator dashurie në jetesën dhe në marrëdhënien e njerëzve me njëri-tjetrin. Në këtë qytet ekziston një gërshetim besimesh e pikërisht nga kjo buron edhe forca e madhe e popullit shqiptar.

Ky është Elbasani sa modern aq dhe tradicional. Aty ku tradita, edhe pse çalë-çalë, përpiqet t’i mbijetojë modernizimit. Përpjekja dhe dëshira e pushtetit lokal për të ndërthurur modernen me elemente të traditës së qytetit, është për t’u vlerësuar, edhe pse kjo nuk mjafton.

Postime të mëparshëm

Kushtet e martesës në Islam

Postime të rradhës

Ç’është Israfi?