Qëndrimi i besimtarit karshi sprovave të jetës

Profeti (a.s) ka thënë: “Kur besimtarin e godet ndonjë e keqe, duhet të thotë: Ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi…”

Rrugët e jetës njerëzore nuk janë të thjeshta. Shpeshherë ndiejmë dhimbje, vuajtje, sprova dhe pengesa. E ndoshta dikush do të pyesë: “Përse nuk ka gëzim të amshueshëm”?

Besimtari dhe besimtarja do të përgjigjen: Unë këtë nuk e di, por e di Krijuesi im, Allahu xh.sh. Ndoshta Ai nëpërmjet dhimbjeve dënon për të kaluarën mëkatare dhe të pakuptimtë. Ndoshta Ai e kalit njeriun për ardhmëri, që ta forcojë, ta bëjë të fuqishëm, ta bëjë trim që trimërisht t’i presë vuajtjet edhe më të mëdha. Ndoshta Allahu nëpërmjet dhimbjeve do t’ia hapë sytë për seriozitetin e jetës, t’i paraqesë horizontet më të reja e më të thella të besimit.

Ndoshta atë që vuan, e pastron nga mëkatet e kaluara dhe ia përgatit Xhenetin në shkallët më të larta të tij… Por ndoshta me anë të vuajtjeve dëshiron që ta fisnikërojë njeriun, që ta bëjë më të mirë, më bujar e më të virtytshëm. Çdo hidhërim, dështim, e vuajtje, janë sprova që Allahu xh.sh na i dërgon.

Sepse besimin në zemrën e vet, besimtari duhet patjetër ta dëshmojë me anë të sprovës. Sprova është pjesë e jetës. Allahu thotë në Kuran: “Ne do t’ju sprovojmë me ndonjë frikë, uri, humbje nga pasuria e nga jeta dhe nga të lashtat, por ti përgëzoji durimtarët. Të cilët kur i godet ndonjë sprovë thonë: Ne jemi të Allahut dhe vetëm tek Ai do të kthehemi. Të tillët janë që te Zoti i tyre kanë bekime e mëshirë dhe të tillët janë të udhëzuarit në rrugën e drejtë”.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: