Vuajtjet e bëjnë njeriun më të fortë…

 

“E çuditshme është çështja e besimtarit. Çështja e tij është e gjitha e mirë për të dhe nuk është e tillë për askënd tjetër. Nëse besimtarit i vjen një gëzim, ai falënderon Allahun, e kjo i sjell dobi. Nëse e godet e keqja, ai bën durim dhe kjo është sërish e mirë për të.”

Çdo njeri ndeshet në pengesa. Edhe ti sigurisht ke hasur në to… Ke shijuar hidhërimin e dhimbjes, të vuajtjeve dhe të lotëve. A ke qenë ndonjëherë i sëmurë? A ke humbur dikë që e ke pasur të afërt dhe të dashur? A ke përjetuar zhgënjim për dikë që e ke dashur, e ke nderuar dhe e ke çmuar? A ke përjetuar poshtërimin nga mendjemëdhenjtë e krekosur? A ke pësuar dështim në punë?…

Pyetjet mund të radhiteshin pa fund, sepse format e vuajtjeve, gjithashtu edhe fatkeqësitë, janë pjesë e pandashme e jetës së kësaj bote. Ato janë pjesë e jetës sonë. Njeriu i mban në vete dhe rreth vetes.

Disa dekurajohen, i dorëzohen dëshpërimit, hidhërimit, humbin besimin në vetvete. Kërkojnë shpëtim në lot, në gjëmë, në britma e nuk kanë as fuqi, as guxim… Disa të tjerë iu duket e shtrembër gjithçka rreth tyre. Ata tërbohen e mallkojnë… Zemërimi shpërthen në çdo fjalë të tyre, në çdo shikim. Këta janë shpirtra të vrazhdë, të mësuar në dëfrime e llastime. Këta janë shpirtra që nuk njohin vuajtjen dhe që nuk kanë fuqi ta pranojnë dhe ta kuptojnë atë si thirrje…

Ndërkaq njerëz të tjerë i përballojnë trimërisht vuajtjet dhe hidhërimet. E kuptojnë si domosdoshmëri që i ka goditur, si të vërtetë dhe si provë, që Allahu ua ka dërguar me qëllim të lartë dhe të caktuar. Ata në dhimbje dhe në hidhërim gjejnë kuptimin, qëllimin që Zoti ua ka urdhëruar.

Ata janë të tillë që besojnë në caktimin e Zotit, ndaj janë në gjendje që heroikisht t’i përballojnë ato. Ata dhimbjen do ta shfrytëzojnë për ta forcuar besimin e tyre, për ta fisnikëruar shpirtin e vet dhe veprat e tyre. Pas përballimit të vuajtjeve njeriu bëhet më i mirë, më fisnik, më me karakter dhe më me shpirt! Ti e di se hekuri kalitet në flakën e zjarrit. A thua hekuri i pakalitur ndonjëherë do të bëhej çelik, sikur të mos të ishte kalitur në zjarr?

Postime të ngashme

%d bloggers like this: