Qëllimi i martesës
Familja nuk është fabrikë e prodhimit të fëmijëve, siç e mendojnë disa autorë. Familja është pjesa më jetësore e shoqërisë dhe embrioni i parë i çdo kombi. Për rrjedhojë, ajo s’është as inkubator, as mjet për të kënaqur dëshirat trupore që ka çdokush. Familja është një institucion i shenjtë. Kurse vija më e shquar e shenjtërisë së saj është kurora martesore. Kurorë martesore quhet bashkimi i çiftit me anë të një akti kontraktual në kuadër të parimeve të caktuara, pra një marrëveshje me qëllimtë qartë. Allahu (xh.xh.) i sheh si adulter të gjitha bashkimet që s’kanë për qëllim parimet e kurorës martesore.
Bashkimin legal nën emërtimin “kurorë”, feja e pranon si themelin, shtyllën, fondamentin e një kombi të mirë. Ndërkaq, edhe bashkimet legale e kanë një synim përfundimtar, ndaj të cilit janë të kushtëzuara . Meqë martesat spontane, pa kurrfarë qëllimi i cenojnë kufijtë e legjitimitetit, myslimani është, në këtë çështje, mjaft i ndjeshëm. Sigurisht, synimi i martesës duhet të jetë rritja dhe përgatitja e një brezi që aspiron të fitojë pëlqimin e Allahut (xh.xh.) dhe Profetit Muhamed (s.a.s.).
Martesat pa qëllim janë të pabegata ashtu si edhe adhurimet e bëra pa asnjë qëllim. Kur mungon synimi, bashkimet që i përngjajnë një martese të bërë me një person të panjohur, duke parë vetëm pamjen e jashtme të tij, pa u interesuar për fenë, besimin, etj., krahas mungesës së thellësisë sublime, shpesh herë përfundojnë me mospuqje dhe pashkueshmëri ndër veti. Sidomos po të jenë bashkuar dy njerëz, nga të cilët njëri i beson Kuranit, kurse tjetri, jo;njëri e njeh Profetin (s.a.s.), e tjetri, jo! Po qe se bëhet fjalë për mendime të kundërta mes pjesëtarëve të familjeve lidhur me besimin, fërkimet besimore e ideore bëhen të pashmangshme dhe nxjerrin krye mospërputhje që janë të pamundura për t’u rikuperuar.
Po të mendohet gjerë e gjatë, “martesa me synim” është, krahas të qenit ndjesore, edhe racionale. Dhe në familje ka qetësi e kënaqësi kur në martesë veprohet duke u menduar synimi për të cilin po veprohet. Kurse në përfundim të martesave të bëra pa pasur një synim të qartë dhe pa u menduar përfundimi, shfaqen shqetësime nga më të ndryshmet. Në një fole të tillë, pjesëtarët e familjes jetojnë vazhdimisht të paqetë e të pakënaqur.
Feja, duke e konsideruar, nga njëra anë, martesën legale, e duke e nxitur atë kësodore, nga ana tjetër, e kufizon çështjen brenda kornizës së synimit. Fundja, në çdo punë dhe sjellje të njeriut duhet të ketë një synim të caktuar, në mënyrë që njeriu të jetë i vendosur në iniciativat që do të marrë dhe hapat që do të hedhë dhe të përpiqet për të arritur në atë synim. Po qe se njeriu nuk ndjek një synim të caktuar, as veprimtarinë e tij nuk e rregullon dot dhe kurrë nuk arrin në ndonjë finalizim. Është e vërtetë se, po qe se në veprimet dhe sjelljet tona nuk ndjekim ndonjë synim, mendohet se edhe shansin për sukses e kemi humbur në një masë të konsiderueshme