Detyrat tona ndaj fëmijëvë

1) Përgatitja e mjedisit të edukimit

Që fëmijët tanë të mund të rriten në mënyrë të përsosur, është kusht që edhe mjedisi ku rriten dhe edukohen të jetë po i tillë. Sigurisht, çdo fëmijë formësohet sipas mjedisit, dhe në njëfarë kuptimi, konsiderohet fëmija i atij mjedisi. Në krye të ele­menteve të mjedisit në fjalë vjen familja. Pastaj, shkolla. I treti, shokët dhe miqtë. I katërti, rrethi shoqëror i mësimeve dhe i studimit. Në jetën shoqërore mund të përmendim edhe dyqanin e rrobaqepësit, punishten e marangozit, qendrën e pastrimit të rrobave dhe sektorë të tjerë të shërbimeve. Po qe se ju nuk keni bërë dot një vlerësim të mirë të këtij mjedisi dhe nuk i keni zhvi­lluar instinktet e tij në këtë drejtim, infektimi i tij një ditë me një virus çfarëdo është i pashmangshëm. Sigurisht, po qe se mje­di­si është i prishur, edhe fëmija një ditë patjetër do të prishet. Prandaj mjedisin, duke filluar që nga familja e duke vazhduar në çdo etapë të rrugës dhe njësi të jetës, duhet ta bëni të për­shtatshëm për rritjen dhe edukimin e përsosur të fëmijës suaj, sepse, pasi të ngjajë e keqja, është e pamundur t’i kthesh gjërat nga fillimi dhe ta rregullosh gjendjen.

 

2) Ushqyerja i fëmijës me gjëra hallall

Edhe ushqimi i fëmijës me gjëra hallall, të fituara me të drej­të e në mënyrë legjitime, duke filluar nga periudha e parë e for­mimit të tij që në barkun e nënës, ka rëndësi të jashtëzakonshme. Duhet ta dimë në mënyrë të prerë se, në periudhën e zhvillimit të fëmijës, një shkëputje në një ndodhi çfarëdo në të cilën jemi të detyruar të lidhemi pas Allahut (xh.sh.), reflektohet edhe te fëmija si një rrethanë negative qoftë edhe përkohësisht, gjë që është nga dukuritë e shpeshta.

Një sasi haram në damarët tuaj ose një send i dyshimtë që e keni shtënë në dorë në këtë apo atë mënyrë, duke pasur para­sysh këtu, qoftë ju, qoftë gruan tuaj, mund të bëhet shkak për rrëshqitjen e përkohshme ose të përjetshme të asaj fëmije.

 

3) Mbrojtja nga syri i keq

Pasi të vijë fëmija në botë, ashtu siç kujdesemi për ushqimin, mirërritjen dhe pamjen e tij, ka shumë rëndësi edhe që ta mbrojmë atë edhe nga syri i keq.

Për shembull, patjetër duhet llogaritur që, nën rrezatimet e syve mëkatarë të dikujt me ndjenja, mendime dhe sjellje të fëlliqura, disa ndjenja të holla të fëmijës mund të atrofizohen.

Të gjitha këto janë pjesë të detyrave që duhet të plotësojmë ndaj fëmijës si shprehje të marrëdhënieve tona me fenë dhe Allahun (xh.xh.) e me fenë. Po t’i realizojmë siç duhet këto detyra, me përpi­km­ëri, mund të kthehemi në një shoqëri engjëjsh.

 

4) Rregullimi i mjedisit familjar

Në hadithin profetik porositet: Fjala e parë që duhet të thotë fëmija kur fillon të flasë, duhet të jetë “La ilahe il’lallah, nuk ka zot tjetër veç Allahut!”[1]

Kur fëmija është ende 2-3 vjeç, fjalët e para që i dalin nga goja vetvetiu janë “nënë dhe baba”, kurse fjala që ai duhet ta thotë së pari, me vullnet, duhet të jetë “Allah”. Sepse Allahu është Paraekzistent, Pasekzistentdhe i Gjithëqenë[2]. Pastaj, pas këtij shtre­simi bazë, mbi të do të ngrihen gjëra të tjera, rreth të cilave do të mbështillen, sipas moshës dhe horizontit njohës të Tij, termat atdhe, tokë, flamur, liri, pavarësi, etj. Kur fëmija të jetë në vitet e para të shkollës, do t’i jepen njohuri sipas asaj moshe. Kur të shkojë në të mesmen, ku do të merret me filozofi, shkenca sho­qërore, etj, do të mbështetet dhe përforcohet me materialet e atij niveli. Po qe se në një shtëpi ka respekt ndaj Allahut dhe bisedohet shpesh për Të, mund të konsiderohet se kemi kapur synimin për ta bërë fëmijën të thotë atë që kërkojmë të thotë. Sigurisht, në qoftë se në një shtëpi bihet në ruku e në sexhde me emrin e Allahut dhe ndjehet një impresionim i thellë kur përme­ndet emri i Tij, nuk do të jetë e vështirë që fjala e parë që do të thotë fëmija në mënyrë të vullnetshme, të jetë “Allah”! Sepse në një shtëpi të tillë çdo gjë mendohet se ecën në orbitën e vet!

 

5) Sistemimi i dozës së dashurisë

Kur Allahu të na dhurojë një fëmijë, ashtu siç shprehet edhe Kurani, nuk duhet të ndodhë që, duke u lëshuar pas tij me të gjithë zemrën dhe me një dashuri të pakufishme, të kalojmë në ekstrem duke shfaqur, larg qoftë, ndaj fëmijës një dashuri si ndaj Allahut!

Një sjellje e këtillë, në vështrimin e Allahut (xh.xh.), mund të quhet si njëfarë politeizmi. Po, nuk ka dyshim se shtënia drejt­përdrejt pas dashurisë për fëmijën duke e harruar Allahun është një gabim i madh. Veçanërisht, në një aspekt, edhe një dashuri që do t’ju shtynte ju në veprime të tilla të pallogaritura ndaj fëmijës është e dëmshme. Ja pra, kjo duhet të jetë dashuria e ndaluar sipas Allahut (xh.xh.). Nëse dashurinë që duhet të tregoni ndaj Allahut (xh.xh.), e drejtoni ndaj një qenieje tjetër çfarëdo, të vdekshme, kjo mund ta prekë ndonjëherë durimin hyjnor.

Prandaj, maturia në dashuri është shumë e rëndësishme sepse:

  1. Mbreti i zemrave është Allahu (xh.xh.). Askush nuk duhet ta zërë në zemër vendin e dashurisë së përcaktuar për Të.
  2. Duhet ta dimë pa dyshim se fëmija është amaneti i Alla­hut (xh.xh.) për ne. Dashuria dhe interesimi që ndjejmë ne për fëmijën është një paradhënie dhe stimul për ne me qëllim që të kujdesemi për atë amanet. Po, dashuria juaj për fëmijën është vetëm një dhuratë e Allahut Mëshirues e Shpërblyes që ju të kujdeseni pa të metë për atë amanet që Ai jua ka lënë në dorë.

 

6) Shembulli i mirë

Ndjenjat që ushqejmë për fëmijët që po rrisim, mendimet, fjalët, jeta ndjesore, sjelljet tona duhet të kenë gjithmonë për synim nivelin e shembullores. Po deshëm që ata të rriten në mënyrë të përkryer, jemi të detyruar t’i kushtojmë jashtëzakonisht vëme­ndje kësaj veçorie. Për shembull, po dëshiruam që ata të falin namaz, duhet të falemi në sytë e tyre me kujdesin më të madh, duke treguar me sjelljen tonë kufijtë e edukatës që duhet treguar karshi Allahut (xh.xh.). Duhet të themi gjithmonë të drejtën duke u shmangur nga gënjeshtra. Po deshëm që ata të mos thonë fjalë të papër­shtatshme, nuk duhet të përdorim në shtëpi asnjë fjalë të papër­shtatshme dhe në kujtesën e tyre nuk duhet të shkruhet asnjë fjalë e tillë. Po menduam që të bëhen të vyer, që të jetojnë të ndershëm, që të jenë të ndjeshëm ndaj nderit të të tjerëve sa ndaj nderit të vet, duhet të bëjmë çmos që shembullin e kësaj ata ta marrin në shtëpi duke u bërë ne heronjtë e parë të kësaj pune.

Po deshëm që fëmijët tanë të këndojnë Kuran, që të bëhen të afërt të të vërtetave kuranore, duhet që në shtëpi të disku­tohet Kurani nga mëngjesi në mbrëmje, duhet të tregojmë res­pekt për pozitën e lartë të Kuranit në mënyrë që të mos i shtyj­më ata drejt kundërshtive.

Prandaj, fjalët, ndjenjat, emocionet dhe sjelljet janë në shtëpi faktorët edukativë më me ndikim dhe duhet të vlerësohen pa­tjetër. Ndryshe, nëse ua lini çështjen vetëm të tjerëve; duke u thënë: “Tregojini diçka këtij”, s’keni bërë asgjë.

 

7) Edukimi i fëmijëve me ndjenjën e vlerësimit dhe dashurisë për Allahun

Siç dihet, në vitet e shkollës tetëvjeçare, më saktë gjer në moshën e pubertetit, fëmija nuk është i detyruar të kryejë detyra fetare, prandaj, nëse kryen ndonjë detyrë të tillë, por me të me­ta, kurrsesi nuk duhet qortuar.

Ndërkaq, duhet ditur edhe se gjithçka që do t’i themi a tre­gojmë fëmijës gjatë kësaj periudhe kur ai s’ka përgjegjësi fetare, do t’i mbetet përjetë në mendje e në zemër. Edhe ndjenja e vlerësimit është ndër gjërat që duhet t’i edukohen dhe nguliten atij në këtë periudhë. Kjo ka shumë rëndësi. Fëmija duhet t’i njohë të mirat që i vijnë dhe, para të mirave, duhet ta falënde­rojë edhe Allahun (xh.xh.), edhe njerëzit. Ndjenja e vlerësimit, e edukuar në këtë periudhë, do të bëjë që në të ardhmen ai të bë­het një njeri mirënjohës dhe falënderues. Madje, me kohë, kjo ndjenjë do të kthehet në një cilësi të pandashme të karakterit të tij.

Në këtë mes, një çështje të veçantë përbën tregimi fëmijës i dhembshurisë, mëshirës dhe bamirësisë së Allahut (xh.xh.) që na ka ushqyer e rritur me të mirat e Tij. Duhet t’i tregojmë fë­mijës se si na ka ushqyer Allahu, si është kujdesur për ne, si na ka dhënë dashuri dhe, duke i thënë: “Allahu është shumë i dhembshur, na mbron ne nga të gjitha të këqijat dhe fatkeqësitë”, të nxisim te fëmija ndjenjat e besimit, sigurisë dhe dashurisë ndaj Tij. Ne duhet t’ia bëjmë të qartë fëmijës, se edhe kafshët më të vogla ushqehen me mëshirën e Tij.

Kështu, në mendjen e fëmijës, gjithësia do të formësohet si një qenie që shqipton emrat Mëshirues e Bamirës, dhe saora ai do të ndjejë se të gjitha të mirat brenda shtëpisë i ka dërguar dikush dhe zemra e fëmijës do të mbushet plot dashuri e mirënjohje për Krijuesin dhe Dhuruesin e atyre të mirave!

Ndërkaq, sipas moshës, duhet t’ia kujtojmë vazhdimisht fë­mijës se:

po nuk ia dha Ai, druri i shegës nuk jep shegë;
po nuk ia dha Ai, nga gjinjtë e kafshëve nuk rrjedh qumësht;
po nuk qe mëshira e Tij, nga qielli s’bie asnjë pikë shi;
po nuk tregoi mëshirë Ai, asnjë fije bari nuk mbin;
po nuk deshi Ai, ne nuk mund të flasim;
po nuk na bëri Ai të dëgjojmë, ne nuk mund të dëgjojmë;
po nuk ndërhyri Ai, goja nuk na njomet dot,
stomaku nuk na tret, veshkat nuk na funksionojnë…
Po, Ai është i zoti i të gjitha këtyre, biri im!
Nuk i kemi bërë ne këto, çdo gjë është prej Tij
dhe nën vëzhgimin e Tij.
Atëherë, biri im, po qe se zemra na mbushet
me dashuri për Allahun (xh.xh.) që i ka bërë këto
dhe që na ka dhënë neve këto të mira,
Ai do të na i shtojë, por po të tregohemi mosmirënjohës,
Ai ose do të na i ndërpresë të mirat,
ose do të na e heqë prej dore mundësinë
për të përfituar prej tyre![3]

Të gjitha këto do të përpiqemi t’ia bëjmë të ditura fëmijës edhe me sjelljet, edhe me fjalët, edhe me shikimet, edhe me të gjitha emocionet tona!

 

8) Tregimi me qëndrim ose komunikimi pa fjalë

Mënyra më me ndikim në procesin e mësimit dhe edukimit është tregimi dhe komunikimi me qëndrim, sjellje e gjeste. Rre­gullimi i përshtatshëm i jetës në shtëpi është pakrahasimisht më me ndikim në komunikimin e një ideje dhe në edukimin e fë­mijës.

Kështu, sikur ta sillte rasti që fëmija t’ju shihte ju në një na­maz të pasmesnatës duke u falur me një përkushtim të thellë, kjo do t’i tregonte atij, në një mënyrë prekëse e të pashlyeshme dashurinë tuaj të thellë ndaj Krijuesit. Por po qe se do të përpi­qeshit t’ia tregonit ndjenjat tuaja vetëm me fjalë, nuk do të arri­nit dot të bëheshit po aq i besueshëm dhe po aq i ndikueshëm mbi të.

Aishen e nderuar (r.a.) e patën pyetur se cili ishte morali i të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) dhe ajo u qe përgjigjur: “A nuk lexoni Kuran ju? Morali i Tij ishte Kurani!”[4]

Nga ky hadith ne kuptojmë këtë: i Dërguari i Allahut, profeti Muhamed (s.a.s.), kishte atë mënyrë jetese që përputhej me atë çka kërkonte Kurani.

Kështu, duke na e përcjellë ne Kuranin, na e përcillte të je­tuar, të kthyer në jetë nga ai vetë. Në mes kishte një Kuran të jetuar në jetë dhe një jetë të lexueshme në Kuran. Prandaj ato që thoshte Profeti (s.a.s.) me fjalë dhe praktikisht, gjenin reflektim në zem­rat dhe ndërgjegjjet e pastra, pranoheshin nga të gjithë dhe të gjithë përpiqeshin t’i vinin në jetë ato.

Prandaj, qëndrimet tona nuk duhet të jenë të ndryshme nga fjalët tona. Ky dallim quhet hipokrizi praktike. Ndryshimi bre­nda-jashtë e shtyn fëmijën në dyfytyrësi, hipokrizi dhe në një men­dësi dualiste. Sipas shprehjes së Kuranit, e bën atë të paqën­drueshëm.[5]

Kur ju t’i flisni fëmijës për të mirat dhe dhuntitë e Allahut (xh.xh.), ba­shkë me ju edhe ai do të mbushet me ndjenjën e mirënjohjes dhe falënderimit dhe do të thotë: “Mijëra herë falënderuar qoftë Allahu (xh.xh.) që na ka krijuar, na ka bërë njerëz dhe na ka pajisur me dhunti të panumërta, që na ka favorizuar shëndet, na ka dhënë prindër, që na dërgon çdo ditë sofra të mirash të ndryshme, që ka krijuar ajrin, ujin, dheun, pemët dhe na i ka dhënë neve në përdorim!”

Sidomos po t’i sugjeroni këto herë pas here e po t’i fusni në një orbitë të vetme bisedat dhe këshillimet që bëni në shtëpi, çdo gjë arrin një bukuri të veçantë.

 

9) Dhembshuria

Në edukim, dhembshuria ka një vend të veçantë. Muhamedi i nderuar (s.a.s.) si­llej me aq dhembshuri ndaj atyre që i kishte pranë e që i bënin shërbime të posaçme, saqë e linte në hije dashurinë dhe intere­simin prindëror!

Enes bin Maliku (r.a.) rrëfen: “I shërbeva të Dërguarit të Allahut dhjetë vjet, por nuk më kujtohet që të më ketë thënë “pse s’e bëre” për një gjë që s’e pata bërë dhe, “pse e bëre” për një gjë që e pata bërë. Ai kurrë nuk më qortoi.”[6] Po, ai sillej kështu, me dhembshuri edhe ndaj të tjerëve duke i trajtuar më mirë se një prind. Kurse ndaj bijve dhe nipërve ishte jashtëzakonisht i butë e i dhembshur sa s’kishte ku të shkonte.

Nëse fëmija duhet të ketë medoemos frikë prej diçkaje, nuk duhet të kenë frikë nga druri, kërcënimi apo ndëshkimi, por nga humbja e dhe­mb­shurisë së prindërve. Nëse thartimi i fytyrës së të atit, përlotja e syve të nënës bëhen për të faktorët më veprues për ta sjellë në rregull, pandeh se kjo gjë mjafton dhe tepron. Ndër­kaq, ka shumë rëndësi që fëmija t’ju besojë, të jetë i bindur se i ndjeni dhe bëheni pjesëtar i dhimbjeve apo vuajtjeve të tij. Kë­shtu që, kur ai të qajë, në e bëfshi, edhe ju uluni e përlotuni, të pa­ktën merrni pjesë në dëshpërimin e tij. Ashtu siç përpëlitet qielli[7] për disa njerëz, ashtu dhe ju, kur fëmija juaj është i prekur, kini mirësinë dhe prekuni si ai. Atëherë ju do të lartësoheni në sytë e tij, fjalët tuaja do të fitojnë vlerë dhe ndikim të madh mbi të, dhe aq shumë do të hyni në zemrën e tij, saqë asnjë forcë s’do të mund t’ju shkulë prej andej.

 

10) Autoriteti

Është shumë jetësore që në shtëpi të mos mungojë au­toriteti. Po qe se në shtëpi nuk ka një autoritet që do të sigu­ro­nte harmoninë e saj, shtëpia nuk do të shpëtonte dot nga tur­bullira e drejtimit, dhe fëmijët nga dualizmi i personalitetit.

Allahu (xh.xh.) urdhëron kështu në Kuran: “Meqë Allahu i ka bërë një pjesë njerëzish të ndryshëm nga pjesa tjetër, dhe meqë burrat shpenzojnë nga malli i tyre, burrat janë kujdestarët dhe mbrojtësit e grave. Prandaj gratë e mira janë të bindura dhe e ruajnë të fshehtën dhe e mbrojnë nderin e tyre. Nëse i druheni kryelartësisë dhe kundërshtimit të tyre, këshillojini dhe, po qe nevoja, ndajeni shtratin me to, ose i rrihni lehtë pa i lën­duar. Por nëse ju binden, mos u sillni keq ndaj tyre, sepse Allahu është i Lartë e i Madh!”[8]

Brenda shtëpisë, nisur nga disa veçori të caktuara, burri ësh­të përgjegjës për rregullin dhe harmoninë e përgjithshme. Madje mund të thuhet se ai është përgjegjës në shkallë të parë në shu­më çështje. Në të vërtetë, edhe fëmijët kanë nevojë për një njeri të tillë përgjegjës. Fëmija që sheh qartë vetëdijen e përgjegjësisë brenda shtëpisë, sa të ketë jetën, s’ka për ta lëshuar veten në rrëmujë dhe papërgjegjësi. Në të kundërt, prania në shtëpi e dy vetëve të papërgjegjshëm dhe ardhja e urdhrave nga dy vende të ndryshme do ta bëjë rrëmujë mendimin e fëmijës.

Veçanërisht, kur fëmija të ketë frikë njërin nga prindërit, du­het të ketë mundësi të strehohet tek tjetri dhe ky tjetër duhet të jetë prehri i nënës. Kështu, fëmija nuk do të ndjejë vetmi. Në të kundërt, po qe se jeta familjare në shtëpi nuk mbështetet në një unitet të tillë, kundërshtitë dhe përplasjet do të vazhdojnë dhe në familjen ku gruaja është një kokë më vete dhe burri, një ko­kë më vete, fëmijët do të rriten pa ndjenja dhe të egër.

Ne mendojmë se, për brezat idealë, para së gjithash ka ne­vojë për një folé familjare ideale. Para së gjithash, familja duhet të lidhet pas Allahut (xh.xh.). Kur prindërit ose njëri prej tyre do ta ma­rrë në dorë këtë çështje si një mëkëmbës i Allahut, pjesëtarët e familjes, si rrjedhojë e besnikërisë ndaj Allahut, do të jenë aq të denjë, aq të vyer dhe zotërues të çështjeve, sa s’mund të ketë më tej, dhe në atë familje s’do të ketë më asnjë problem.


 

[1]El-Bejhakiu, Shuabu’l iman, 6/398; el-Dejlemiu, el-Musned, 1/71.
[2]Në origjinal respektivisht: Evvel, Ezelí, Ebedí.
[3]shih Kurani, Sureja Ibrahim: 7.
[4]Muslim, salatu’l musafirin, 139; Ebu Davud, tatavu, 26; Nesaiu, këjamu’l lejl, 2.
[5]Në origjinal: muzebzeb (arab.); shih Kurani, Nisa: 143.
[6]Buhari, edeb, 39; Muslim, fedail, 13.
[7]Bota e madhe është e lidhur me botën e vogël dhe mes tyre ka paralelizëm. Ndoshta, kur një besimtar është i prekur, edhe bota mëshirore preket po aq. Edhe pse cilësia e këtij realiteti dhe raporti nuk është fort e qartë dhe e kup­tu­e­shme për ne, mendoj se një vlerësim të tillë mund ta bëjmë: Emrat Rahman (Mëshirues) dhe Rahim (Bamirës, Mëshirëbërës) të Allahut (xh.xh.) janë burimi i çdo dhembshurie, delikatese amëshire. Kur besimtarët preken, edhe mëshira fillon të veprojë në një formë që s’mund ta dimë, dhe, në mund të shprehemi kështu, merr pjesë në ndjenjat apo vuajtjet e tyre.
[8]Nisa: 34.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: