Pse duhet të bëjmë sa më shumë pyetje?

Cili është krimi që bën dikush, kur ka dëshirë të mësojë sa më shumë? Çfarë turpi ka të pyesësh për atë që nuk e di? Kur refuzimi ndaj pyetjeve të shtohet sa më shumë, edhe ato do të ndalen dhe pyetësi do të zhytet në një gjumë të thellë.

Të pyeturit është pjesë thelbësore e krijimit të njeriut dhe ajo është e ngulitur fort në natyrshmërinë e tij. Shih fëmijën se si e ndan në pjesë lodrën e tij dhe e kthen atë sërish në formën fillestare, duke përdorur rrugë të ndryshme. Pasioni për dije dhe njohuri është mbjellur në thelbin e natyrës njerëzore. Ky pasion e shtyu babain e profetëve, Ibrahimin (a,s) të pyeste: “Zoti im, më trego se si i ringjall të vdekurit.”

Pyetja është një mjet i Kur’anit, për ta vënë në lëvizje leximin tonë, i cili përfshin universin, krijimin dhe njerëzimin. Kjo ishte pika e zgjimit e mendjes së myslimanit, e cila u tregua nëpërmjet inovacioneve, shpikjeve dhe kërkimeve shkencore.

Revista e shëndetit mendor publikoi në vitin 2005 një studim që zgjati dy vite dhe morën pjesë në të 1000 pjesëmarrës. Ajo konkludoi se personat, të cilët kishin një dëshirë më të madhe për të pyetur dhe eksploruar, ishin më pak të lidhur me mundësinë për t’u prekur nga sëmundje të ndryshme, siç është rritja e tensionit të gjakut, diabetit dhe të tjera.

Studiuesit arritën edhe në konkluzione të tjera në kërkimet e tyre, siç ishte lajmi i shpërndarë në revistën e psikologjisë sociale. Aty thuhej se fëmija i apasionuar, i cili pyeste shumë, arrinte pikë më shumë në testet e inteligjencës. Një studim tjetër i bërë mbi 1895 fëmijë të moshës tre vjeçare, provoi se fëmijët që bënin shpesh pyetje, në moshën 11 vjeçare kishin aftësi më të mëdha analize dhe leximi. Në aspektin shoqëror u provua se fëmijët që bëjnë shpesh pyetje rreth gjërave të panjohura për ta, ishin më të suskseshëm në formimin e marrëdhënieve shoqërore. Ndërsa në aspektin psikologjik u provua se ata ishin më të lumtur sesa të tjerët.

Çfarë ndodh sot nëpër shkolla? Mësimi tradicional i vlerëson nxënësit duke iu përgjigjur pyetjeve, jo duke i shtuar ata vetë pyetjet. Shpeshherë përgjigjet e kërkuara janë shumë strikte, duke ndjekur modele të prera dhe nxënësi mund të dënohet për pyetjet e tij të shumta. Kështu vazhdon të funksionojë sistemi ynë i edukimit, duke hedhur hapa të qëndrueshme për mbrapsh.

Miliona djem dhe vajza përfundojnë sot studimet në botën islame në të gjitha specializimet shkencore. Por pavarësisht kësaj, ne nuk po mundemi ta ndjekim dhe ta arrijmë karvanin e civilizimit botëror. Kur nuk na jepet mundësia që të pyesim dhe na bllokohet mendja, atëherë fjalët që përhapen më shumë janë: “Pyetja është risi dhe çdo risi të çon në Zjarr.” Ose: “Mos pyesni për gjëra, që nëse ju shfaqen do të ndiheni keq.”

Kështu civilizimi ynë bie përtokë dhe vazhdojmë të qëndrojmë në rreshtat e fundit. Ku është Omer Faruku (r.a), i cili pyetjet e shumta i vendosi si kriter për zgjedhjen e këshilltarëve të tij? Ai zgjodhi të kishte pranë sahabiun e nderuar Abdullah b. Abbasin dhe për shkakun e kësaj përzgjedhjeje tha: “Ai ka një gjuhë që pyet shumë dhe një zemër shumë të mençur.”

Nuk ka rrugë tjetër që të kthehet ky lloj mentaliteti, që dikur ndërtoi qytetërime, pa patur mjetet kryesore të ummetit të leximit dhe në krye të tyre vjen pyetja. Në thelb të çdo njohurie të re qëndron ambicia jonë për të mësuar, e cila kalon pikërisht nga pyetja e gjërave të panjohura. “Kur nuk dini, pyesni të diturit.”

Postime të ngashme

%d bloggers like this: