Profeti Ynë (9) – Vitet që kaluan pranë mëndeshës (2)

Familja e Harithit ndjeu një kënaqësi shpirtërore kur e morën foshnjën nga nëna e tij, Amina. Halimja nga Sa’di deshi ta mëkonte menjëherë me qumësht fëmijën e porsamarrë. Mirëpo, pa se menjëherë u përball me diçka të panatyrshme:gjiri i saj që thuajse ishte tharë nga qumështi, tashmë e ndiente se ishte dendur me qumësht. Më parë piu Prijësi i Njerëzimit, e më pas mundi të pinte edhe vetë fëmija i saj, Abdullahu, i cili kishte muaj të tërë që detyrohej të binte në gjumë i pangopur. Të dy i zuri gjumi. Mirëpo, Abdullahu ishte përgjithësisht në siklet, dhe gjumi nuk e zinte edhe aq lehtë.

Kur erdhën pranë devesë së tyre, panë se edhe tek ajo kishte diçka të veçantë; edhe asaj i ishin mbushur gjinjtë me qumësht, dhe pos kësaj kishte fituar një gjallëri, të cilën nuk e kishte pasur gjatë gjithë udhëtimit. E molën dhe pinë nga qumështi i saj derisa u ngopën. Ajo natë që kaluan në Mekë, ishte ndoshta nata më e bukur e tyre prej shumë kohësh. Ditën tjetër në mëngjes, Harithi iu drejtua gruas së tij:

– Vallahi, dije mirë o Halime, se ti ke zgjedhur një fëmijë që rrjedh nga një familje e sojshme!

Këtë begati e kishte vënë re edhe ajo, ashtu si i shoqi.

– Lëvduar qoftë Allahu, edhe unë ashtu mendoj, – i tha.

Mandej, kjo familje, e cila e kishte gjetur fëmijën që do të merrte me vete dhe i kishte mbyllur të gjitha punët që kishte në Mekë, u nis për t’u kthyer në vendin ne tyre. Nga pas shihnin Aminën, e cila e ndiqte me sy largimin e djalit të saj të vetëm, duke iu lutur Zotëruesit të krenarisë dhe fuqisë, Zotit Mëshirues që t’ia ruante asaj dritën e syve.

Halimja nga Sa’di hipi në gomarin e saj duke e marrë foshnjën e vogël në krahë, mirëpo ç’të shihte, kafsha e saj e dobët dhe e ngathët filloi të lëvizte me shpejtësi dhe me një shkathtësi të paparë. Madje nga kjo gjallëri ajo i kishte arritur gjatë rrugës të gjitha shoqet e saj që kishin ardhur bashkë në Mekë, por që ishin nisur për t’u kthyer një ditë më parë. Këtë herë ishte ajo që po u tregonte me vepra se këtë herë nuk kishte për të ngelur e fundit.

Ata që e panë Harithin dhe Halimen, megjithëse ishin tejet të lodhur, u habitën së tepërmi dhe filluan t’i jepnin kuptim kësaj ndodhie të pazakontë. Mirëpo nuk po ia arrinin dot. Pa kaluar shumë kohë, ata iu drejtuan vetë Halimes për ta pyetur:

– O e bija e Zubejrëve, ç’është kjo gjallëri? A nuk ishte ti ajo që ngeleshe përherë nga pas se nuk na arrije dot? Apo mos nuk është ky gomari me të cilin ti erdhe për në Mekë?

Halimja, e sigurt në vetvete dhe tejet e entuziazmuar nga begatia që po e ndiqte, ia ktheu:

– Vallahi po! Ky është gomari me të cilin erdha për në Mekë, dora vetë! Si dhe ju betohem se unë kam marrë fëmijën më të hairit për nga begatia që mund të më kenë zënë sytë.

Pa kaluar shumë kohë, ata e pyetën:

– Mos është gjë fëmija që ishte në familjen e Abdulmutalibit?

Po, padyshim që këtu kishte një begati të dukshme qartazi. Ishte pikërisht Harithi me Halimen ata që po e përjetonin me plot kuptimin e fjalës këtë mbarësi që mbartte ky fëmijë.[1]

Kishin kaluar plot dy vjet me vizita një herë në gjashtë muaj në Mekë. Kësisoj, Mbreti i Universit ishte rritur dhe zhvilluar së tepërmi. Tashmë ai ishte larguar edhe nga qumështi dhe koha e marrëveshjes po i afrohej fundit; kishte ardhur koha për t’u kthyer në vendlindje. Megjithëse zemra nuk u donte që ta kthenin, ata kishin një fjalë për të mbajtur, kështu që e morën Muhamedin e vogël dhe u nisën për në Mekë që t’ia dorëzonin të ëmës.

Nga ana tjetër ishte edhe Halimja, e cila e ndjente veten plotësisht nënë të këtij fëmije kaq të mbarë. Asaj, gjatë gjithë rrugës, i dukej sikur do t’i dilte zemra prej vendit. E ndjente veten sikur do t’i shkëpusnin një pjesë nga trupi i saj. Ç’të keqe do të kishte sikur Arsyeja e Krenarisë së Universit të rrinte edhe sadopak pranë tyre? Po, po, ky ishte mendimi që nuk po i shqitej saora nga mendja. Ngase i kishte ende disa shpresa, ajo iu drejtua Aminës me këto fjalë:

– Jam e shqetësuar mos preket edhe Ai nga epidemia që ka pushtuar Mekën. Të lutem, na lejo ta mbajmë djalkën edhe për pak, – iu gjend ajo në një kërkesë të tillë të përshpirtshme.

Kjo ishte një kërkesë tejet e vështirë për t’iu drejtuar një nëne. Andaj, edhe Amina e nderuar, nuk e pa krejtësisht të arsyeshme në fillim. Mirëpo n’anë tjetër, ekzistonte me të vërtetë një sëmundje ngjitëse, dhe ajo nuk donte kurrsesi që fëmija e saj të prekej. Ajo u mendua, dhe mendoi se do të ishte më e mira të bënte edhe pak durim, ashtu si pa pëlqim e pranoi kërkesën e Halimes. Familjen e Harithit, që po kthehej në tokën e bijve të Sa’dit e kishte kapluar sakaq një hare e papërshkrueshme.

[1] Ibni Hisham, Sire, 1/301; Ibni Sad, tabakat, 1/111; Taberi, tarih, 2/127

Postime të ngashme