Profeti Ynë (3) – Ngritja e një qytetërimi të ri

Ndërsa në anën tjetër, Haxhirja e nderuar, e cila kishte mbetur e vetme në mes të kësaj lugine, kishte rënë në mendime për fëmijën; rendte pandalur për të gjetur pak ujë për të pirë. Ajo që ia fashiste krejt merakun prej nëne, ishte besimi që kishte tek Zoti. Ndonjëherë, teksa mbante fëmijën e saj në krahë, i kujtohej edhe engjëlli që i pati ardhur ndërsa ishte shtatzënë me Ismailin, bashkë me fjalët e tij. Sepse, një ditë, kur zuri t’i kërkonte ndihmë Allahut për vështirësitë që po e mbysnin, engjëlli kishte ardhur duke i thënë këto fjalë:

Mos u shqetëso dhe mos u frikëso aspak! Sepse tanimë, Allahu, për hir të fëmijës që ti po mbart në bark, po fal mirësi për mbarë botën.

Mirëpo ato që thoshte engjëlli nuk mbeteshin me kaq; engjëlli i pati pëshpëritur që fëmijës t’ia vinte emrin Ismail, duke i shtuar:

– Fëmija që do të lindë, do të jetë një i pashoq, tek i cili do të jetë fshehur shpresë për mbarë njerëzimin. Dora e tij do të qëndrojë mbi të gjithë njerëzit. Do t’i udhëheqë të gjithë, por edhe dora e të gjithëve do të jetë përdore me të tijën. Të gjithë do ta formësojnë veten e tyre në bazë të këshillave dhe urdhrave të tij. Njëkohësisht, ai do të jetë udhëheqës i të gjithë vendlindjes së vëllezërve të tij.[1]

Megjithëse besimin te sihariqi e kishte të plotë, ngase duhej t’i bindej edhe shkaqeve të kësaj bote, Haxhirja filloi të rendte pa reshtur mes dy kodrave të Safasë dhe të Merves, për të gjetur sadopak ujë për të pirë. Sepse uji që kishin u kishte mbaruar, dhe në zemrën e nënës kishte nisur shqetësimi. Duke rendur, në një anë, me njërin sy ndiqte të birin e saj foshnjë, sepse kishte frikë mos i ndodhte ndonjë gjë e keqe.

Tashmë, Safaja dhe Merveja ishte kthyer në vendin e Haxhires. Sa herë që i afrohej majave të kodrave, e rrit nxitimin e saj edhe më e shqetësuar, me qëllimin që të mbërrijë sa më parë në majën e tjetrës. Ky vrapim i përvuajtur do të përsëritej tërësej shtatë herë.

Sapo ishte ngjitur në majën e Merves, kur u tremb prej një zëri të padëgjuar më parë. Ky zë sikur po e thërriste posaçërisht që të kthehej pranë djalit të saj. I vuri sërish veshin me kujdes. Po, nuk e kishte dëgjuar gabim; fëmijës së vogël po i rrinte një engjëll mbi krye. Zuri ta shihte më me kujdes. Nuk po u besonte dot asaj që po i shihnin sytë; në një vend pranë këmbëve të fëmijës ishte shfaqur një rrëke uji, e cila vazhdonte të buronte në mes të shkretëtirës.

Kur erdhi me një frymë pranë djalit, dëgjoi që engjëlli t’i thoshte disa fjalë:

As mos e ço nëpërmend se do të humbësh! Sepse këtu gjendet shtëpia e Zotit. Atë do ta ndërtojë ky fëmijë bashkë me të atin. Allahu nuk i nxjerr kurrë të humbur njerëzit e Tij.[2]

Kur e pa se e kishte kryer plotësisht detyrën e tij, engjëlli sakaq u zhduk, dhe Haxhirja kishte mbetur sërish vetëm me fëmijën e saj të vogël.

Uji që ka qenë burim i jetës në çdo kohë, do t’i tërhiqte edhe njerëzit e tjerë drejt këtij vendi, andaj kësisoj do të lindte një organizim që sipas kaderit do të realizohej medoemos. Në luginën e Bekës do të hidheshin themelet e qytetit ku do të lindte Profeti i Shumëpritur. Sepse, pa kaluar shumë kohë, këtu do të vinin Xhurhumët, të cilët do të ndërtonin qytetin e Mekës në këtë vend ku kishin parë shenja të jetës, pasi të kishin marrë leje edhe prej Haxhires.

Kësisoj, në mes të maleve të Faranit, aty ku njerëzimi do të rilindte me të Dërguarin e Allahut, po niste një jetë e re. Shkretëtira që mori jetë prej Zemzemit, u kthye tanimë në një qytezë të begatë, që me begatinë e saj do të mblidhte më vonë njerëzit, derisa në mes të këtyre maleve që sikur vajtonin, do të niste një periudhë që do të kurorëzohej me lindjen e Profetit Muhamed (s.a.s).

Pa kaluar shumë kohë, Ibrahimi nisi me të birin ndërtimin e Qabes. Ndërsa ndërtonte, në anën tjetër nuk reshtte së luturi:

Zoti ynë! Bëmë mua dhe Ismailin që të jemi nga besimtarët e tu kryeulur; dhurona neve pasardhës që do të jenë përherë myslimanë të përkulur karshi Teje! Na trego neve rrugën e adhurimit. Na i prano pendimet tona me mëshirë. Sepse padyshim, që Mëshiruesi dhe Falësi i të penduarve je Ti.

Zoti ynë! Dhe dërgoju nga mesi i tyre një profet, që t’ua lexojë dhe mësojë atyre ajetet e tua. T’u mësojë atyre urtësinë dhe Librin Tënd, duke i pastruar ata si nga jashtë edhe nga brenda. Sepse padyshim që Krenari Absolut dhe zotëruesi i plotë i urtësisë je Ti!..

[1] Ibni Kethir, el-Bidaje, 1/153

[2] Taberi, tefsir, 13/230

Postime të ngashme

%d bloggers like this: