Profeti Ynë (10) – Ndodhia e hapjes së kraharorit

Që nga koha e rimarrjes kishte kaluar një kohë e konsiderueshme. Mbreti i Njerëzimit luante vazhdimisht me vëllezërit e tij të qumështit dhe me fëmijët e tjerë të bijve të Sa’dit; venin e vinin vazhdimisht për të kullotur shelegët e vegjël. Prapë, një ditë prej ditësh, teksa po luanin në pjesën e pasme të shtëpisë me qengjat, vëllai i tij i qumështit, Abdullahu, erdhi me vrap për te nëna e tij Halimja.

Vëllai nga Kurejshi, nënë! Atë e morën dy burra të veshur në të bardha, e shtrinë përdhe dhe i hapën kraharorin; mandej, e mbyllën me ngadalë,[1] – i thoshte ai nxitimthi nënës së tij. Ardhësit, nuk ishin tjetër pos engjëj, ku njëri ishte Xhebraili. Ata kishin ardhur për të pastruar zemrën e Të Dërguarit të Allahut me ujin e zemzemit, e cila do t’i mbartte mesazhin hyjnor në mbarë njerëzimin.

Nënën dhe babain i kishte kapluar një shqetësim i rëndë. E mbajtën menjëherë frymën atje ku po i tregonte i biri. Me të vërtetë, Muhamedi i vogël, po i priste në këmbë i zverdhur në fytyrë. Harithit dhe Halimes i kishte ardhur zemra në gojë. E morën dhe e përqafuan me dashuri, fillimisht mëndesha e tij, Halimja, e më pas edhe Harithi.

Ç’të ndodhi kështu ty o biri ynë, – i thanë ata njëzëri.

Erdhën dy burra të veshur në të bardha. Në duart e njërit ishte një enë e larë prej floriri, e mbushur me akull të bardhë. Ata më morën dhe më shtrinë në tokë. Më hapën gjoksin duke ma ndarë në dy pjesë. Prej andej nxorën diçka të zezë dhe e hodhën në tokë, duke ma larë zemrën derisa filloi të ndriçonte. Më pas njëri prej tyre i tha tjetrit:

“Peshoje këtë njeri tani me dhjetë njerëz nga ymeti i tij.” Më peshuan me dhjetë njerëz, dhe unë isha më i rëndë. Më pas i tha që të më peshonte me njëqind, dhe pasi më peshuan, panë se unë isha sërish më i rëndë. Më pasi ai iu drejtua sërish, duke i thënë: “Tanimë peshoje me njëmijë prej tyre.” Ata më peshuan, dhe unë erdha prapë më i rëndë. Mandej, ai i tha se edhe sikur të më peshonin karshi gjithë ymetit, unë prapëseprapë do të isha më i rëndë.[2]

Burrë e grua ata u shqetësuan sa nuk dinin se si ta shpjegonin ndodhinë me të cilën u përballën. Me t’u kthyer në shtëpi, Harithi i tha së shoqes:

Halime! Kam frikë se mos i ndodh ndonjë gjë e keqe këtij fëmije. Si thua, sikur ta shpjemë shëndoshë e mirë e t’ia dorëzojmë familjes së tij.

Edhe Halimja ishte e një mendjeje. Po, ishte e vërtetë që kishin përfituar aq shumë begati nga prania e tij, mirëpo tani ngjarjet kishin marrë një rrjedhë që… Disa “të panjohur” kishin filluar të përkujdeseshin për të. Ishte plotësisht e pamundur ta merrje me mend se deri ku mund të shkonte kjo çështje. Prandaj, më e mira e të mirave ishte që ta dorëzonin shëndoshë e mirë prej nga e kishin marrë.

Duke pasur të njëjtin mendim, u nisën për ta kthyer Muhamedin e vogël pranë nënës së tij. Kur mbërritën dhe trokitën në portën e Aminës, ajo u doli menjëherë përpara duke u thënë:

Ç’e mirë të të ketë prurë deri këtu o Halime? – e pyeti ajo Halimen. – A nuk ishe ti ajo që ngulte këmbë që ta merrte sërish me vete djalin e vogël. Halimja nuk rrinte dot pa ia treguar shkakun e mistershëm për të cilin e kishin prurë mbrapsht fëmijën e vogël.

Është e vërtetë, nga ky fëmijë ne përftuam aq shumë mirësi, dhe unë u përpoqa vazhdimisht që t’i kryeja të gjitha detyrimet e mia ndaj tij. Mirëpo, unë kam shumë frikë për të. Meqë mendova se edhe ti do të kënaqeshe së tepërmi, vendosa që ta ktheja në shtëpinë e tij. Mirëpo, këto nuk ishin përgjigje që mund ta qetësonin një nënë si Amina.

Ç’paske kështu, më thuaj të vërtetën! As mos të të shkojë nëpërmend se do të të le të ikësh nëse nuk më tregon se çfarë ka ndodhur. Apo mos ke frikë prej djallit për të? Më thuaj, – i tha ajo e shqetësuar.

Po, – iu përgjigj ajo.

Jo, kjo është e pamundur, – reagoi ashpër Amina, – Vallahi, që djalli nuk mund t’i sjellë kurrfarë dëmi atij fëmije. Thuamë si qëndron puna. Kam frikë se është diçka tejet e rëndësishme. A nuk ta pata thënë unë ty të vërtetën në lidhje me atë fëmijë? – shtoi ajo.

Po, ma pate treguar, – iu përgjigj Halimja me gjysmë zëri. Kësisoj, Amina ndjeu nevojën që t’ia tregonte edhe njëherë.

Kur unë isha shtatzënë me të, pashë që nga trupi të më dilte një nur, dhe me të pashë të ndriçoheshin krejt sarajet e Basrës dhe të Sirisë. Gjithashtu, gjatë gjithë shtatzënisë, unë nuk ndjeva asnjë nga shqetësimet që ndjen çdo shtatzënë. Kur e linda, ai rrinte me duar në shtroje, duke parë nga qielli. Andaj, meqë qenka kështu, lëre atë këtu tek unë, dhe mund të largohesh pa kurrfarë shqetësimi në vendin tënd.[3]

Kështu, periudha e jetës së Profetit tonë të Dashur në vendin e bijve të Sa’dit mori fund.

[1] Enes ibni Malik (r.a.) na tregon se në kraharorin e të Dërguarit të Allahut gjendej një shenjë si pasojë e kësaj hapjeje të kraharorit prej engjëjve. Ajo dukej sikur një vijë e hollë, – tregon ai. shih: Muslim, sahih, 1/147

[2] Ibni Hisham, Sire, 1/301; Taberi, tarih, 2/128

[3] Ibni Hisham, Sire, 1/301-2; Ibni Sad, tabakat, 1/112; Taberi, tarih, 2/128

Postime të ngashme