Profeti Ynë (1) – Një zë fillon të jehojë në Luginën e Bekës
Shumë shekuj më parë, në luginën e Bekës, nis të jehojë një zë:
Ku po shkon o Ibrahim, e po na lë ne, të vetëm në këtë luginë të heshtur?
Mirëpo për Ibrahimin, përfaqësues i majës së besimit dhe mbështetjes së plotë tek Allahu, nuk ka asnjë lëvizje për t’i kthyer përgjigje këtij zëri. Kjo, sepse ai bënte vetëm atë që i takonte, dhe nuk donte aspak që të devijonte nga të qenit i bindur ndaj saj. Sepse ky ishte një drejtim hyjnor; do të hidheshin themelet e ardhjes së Profetit të Fundit, që i ishte dhënë sihariqi se do të vinte shekuj më vonë.
Në anë tjetër qëndronte Haxhireja, e cila nuk tregonte kurrfarë rëndësie ndaj detajeve. Ajo kishte filluar të përjetonte nga një shqetësim të veçantë ndaj çdo fakti që ia largonte qoftë së paku bashkëshortin prej vetes. Kështu që, e shqetësuar edhe njëherë ngase e ndjente deri në thellësinë e ndjesive largësinë e të shoqit, ajo filloi të flasë me një zë të shqetësuar:
O Ibrahim! Ku po shkon e po ikën, duke na lënë të vetëm e pa njeri në këtë luginë të heshtur?
Me sa duket, nga Profeti Ibrahim, i cili ishte i vendosur në rrugën e tij, nuk do të vinte asnjë përgjigje. Ishte e kotë të rendte pas tij me foshnjën e vogël në krahë. Sikur kishte ikur ai Profeti Ibrahim që kishte atë mall, e kishte bërë tërë ato lutje për të pasur një fëmijë të paqtë, e sakaq kishte ardhur një tjetër. Pa dyshim, që një ndryshim i këtillë mund të ndodhte vetëm me kërkesën dhe me drejtimin e Zotit.
Allahu të urdhëroi të veprosh kështu? – e pyeti ajo.
Nga Profeti Ibrahim, që gjer më tash nuk ishte dëgjuar asnjë fjalë, erdhi një përgjigje me një zë plot vetëbesim:
Po!
Nëse ishte Ai që kishte urdhëruar, patjetër që do të ishte Ai që do t’i ruante. Pasi të kesh hyrë nën mbrojtjen e Tij, as ashpërsia dhe vuajtja që lugina u bënte të ndjenin të vetmuarit, as mungesa e një prijësi fisi për t’i mbrojtur, nuk mund ta frikësonte më. Andaj, teksa po kthehej mbrapa me fëmijën e saj në krahë, nga goja e Haxhires do të dilnin këto fjalë:
Atëherë, Ai patjetër që nuk ka për të na nxjerrë të humbur.[1]
Zaten, kjo fjali ishte ajo që i vinte pikën në fund çdo dialogu mes individëve dhe të parit të një familjeje. Tanimë Profeti Ibrahim ishte larguar; Haxhirja së bashku me djalin e saj të vogël, Ismailin, në krahë u kthye në vendin ku ishin lënë përpara se ai të largohej.
[1] Taberi, tefsir, 13/152