PROFETI SULEJMAN (A.S.)
Pas vdekjes së Davudit (a.s.), në vendin e tij kaloi i biri, Sulejmani. Davudi ishte edhe profet, edhe sovran. I biri po ashtu, trashëgoi nga i ati edhe mbretërinë, edhe Zoti e zgjodhi profet. Një ditë, Sulejmani (a.s.) u përkul para Zotit dhe nisi të lutej:
– O Zot, të lutem, më jep një mbretëri që nuk ia ke dhënë askujt gjer më sot!
Dëshira e Sulejmanit ishte të kishte një mbretëri që nuk e kishte pasur e as nuk do ta kishte askush, deri Ditën e Gjykimit. Zoti e pranoi lutjen e tij dhe i mundësoi një shtet të madh e të fuqishëm.
Pozita e profetit është pozita më e lartë mes qenieve. Por edhe mes profetëve ka ndryshim pozite. Më të mëdhenjtë e tyre quhen Ulu’l Adhm (Vendosmëria e Lartë). Këta profetë të mëdhenj janë: profeti i stuhisë, Nuh (a.s.), profeti Ibrahim (a.s.), të cilin Zoti vetë e quajti “Halilullah”- miku i Zotit, profeti Isa (a.s.), i cili me lejen e Zotit ringjallte të vdekurit dhe për këtë u quajt “Ruhullah”, profeti Musa (a.s.), i cili foli drejtpërdrejt me Zotin dhe u quajt “Kelîmullah”, profeti ynë, Muhamedi (a.s.), i quajtur “Habibullah”- i dashuri i Zotit.
Përveç pozitave të ndryshme të profetëve, edhe mrekullitë e forcat e jashtëzakonshme që u janë dhuruar secilit, janë të ndryshme. Ndonjëherë mund të jetë një stuhi e jashtëzakonshme, si ajo e profetit Nuh (a.s.), ose një libër i shenjtë, që do ruhet gjer në përjetësi, si Kurani, që iu zbrit profetit Muhamed (a.s.).
Me gjithë ndryshimet që mund të kenë me njëri-tjetrin, besimi në të gjithë profetët është një kusht i besimit tonë Islam.
Sulejmani (a.s.) trashëgoi të atin, Davudin dhe i kërkoi Zotit (xh.sh.) që t’i dhuronte një pushtet e mbretëri pafund, kërkesë të cilën Zoti ia plotësoi. Mirëpo profeti Sulejman (a.s.) nuk e kishte kërkuar këtë mbretëri nga dëshira dhe etja që kishte për këtë botë. Gjithë këtë pushtet Sulejmani (a.s.) e donte për të luftuar kundër së keqes, për të përhapur të mirën dhe për të mbushur sa më shumë hapësirë me dritën e besimit në Zot. Nga i ati, Sulejmani kishte marrë tri gjëra; mbretërinë, profetësinë dhe diturinë e pafund. Mes njerëzve ai u njoh me emrin “Sulejmani i Ditur” dhe ishte shumë normale që ai dijetar i madh të bëhej i famshëm kështu. Ai gjykonte me drejtësi mes njerëzve, sillej me ta me dashuri e mëshirë dhe i zgjidhte problemet e tyre me urtësi e dashuri. Dituria e Sulejmanit nuk përfshinte vetëm njerëzit, po edhe zogjtë e kafshët. Përveçse e kuptonte gjuhën e tyre, ai komunikonte me ta e i përdorte për detyra të ndryshme.
Sulejmani (a.s.) e kishte treguar veten që kur ishte një djalë i ri. Një ditë, dy gra erdhën pranë tij. Në dorë mbanin një fëmijë të vogël. Secila pretendonte se fëmija ishte e saja. Sulejmani nisi të mendohej. Njëra patjetër që ishte nëna e vërtetë e foshnjës, po cila? Kishte vetëm një mënyrë, të provonte zemrën e nënës.
– Që të dyja thoni se jeni nëna e foshnjës. Nuk ka zgjidhje tjetër, veçse ta ndaj fëmijën më dysh. Secilës po i jap njërën copë.
Nëna e vërtetë, kur dëgjoi këtë, thirri me të madhe:
– Jo, ju lutem, mos e ndani. Më mirë jepjani asaj, veç mos e ndani.
Kur dëgjoi këto fjalë të sinqerta, Sulejmani (a.s.) e kuptoi se kjo ishte nëna e vërtetë dhe vendosi që fëmija t’i jepej asaj.
– Ja, kjo është nëna e vërtetë, – tha Sulejmani. Sepse nëna e vërtetë asnjëherë nuk lejon që të dëmtohet fëmija i saj.
Me kalimin e viteve, Sulejmani u zhvillua më tepër. Edhe dituria, edhe urtësia, edhe kufijtë e vendit të tij u rritën më shumë. Zoti (xh.sh.) e kishte pranuar lutjen e tij dhe i kishte dhënë një mbretëri, që asnjë mbreti, asnjë profeti tjetër nuk do ia dhuronte. Në Kuranin e Shenjtë, Zoti e përmend kështu profetin Sulejman:
“Pa dyshim që Ne i dhamë dituri Davudit dhe Sulejmanit. Dhe ata thanë kështu për ata mirësi që Ne i dhamë: Falënderime pafund për Zotin, që na zgjodhi në mes aq robve të sinqertë për të na dhënë një mijë e një të mira. Pas vdekjes së Davudit, iu ngarkua Sulejmanit misioni për të mbajtur trashëgiminë e tij. Ai doli përpara njerëzve dhe foli kështu: O njerëz, ne na u mësua gjuha e zogjve. Bashkë me këtë na u dha gjithçka. Pa dyshim që këta janë dhurata nga oqeani i bujarisë së Zotit.”
Ushtria e Sulejmanit ishte ushtria më e jashtëzakonshme që ekzistonte. Ne njohim ushtritë e formuara nga njerëzit, por ushtria e Sulejmanit ishte e papërballueshme. Përveç njerëzve, në atë ushtri kishte xhindë, zogj e lloje të ndryshme kafshësh.
Edhe zogjtë kishin detyrat e tyre në ushtrinë e Sulejmanit. Ata bënin punën e mjeteve të komunikacionit në ushtritë e sotme. Kuptohet se një prej detyrave më të rëndësishme në një ushtri është ajo e zbulimit dhe përçimi i informatave në destinacion. Vetëm në këtë mënyrë mund të mësohet kapaciteti luftarak i armikut, planet e tij për luftë dhe numri i forcave të tij. Ja, këtë detyrë kaq delikate, në ushtrinë e Sulejmanit e kryenin zogjtë. Sa herë kishte luftë, ata fluturonin në frontin e armikut, merrnin të dhënat e nevojshme dhe ia sillnin Sulejmanit (a.s.) gjer në detajin më të imët.
Përveç zogjve, Zoti e kishte vënë edhe erën nën urdhrin e Sulejmanit. Ai mund ta përdorte si të donte fuqinë e erës. Në kohët tona, duke përdorur erën, përftohet fluturimi i mjeteve të ndryshme ajrore. Kurse Zoti i kishte mësuar Sulejmanit që në atë kohë teknikën e përdorimit të erës.
Gjithashtu, përveç këtyre fuqive, Zoti i kishte dhënë Sulejmanit (a.s.) dhe një pushtet që asnjë profeti tjetër nuk ia ka dhënë; pushtetin mbi xhindët. Një pushtet i tillë nuk i është dhënë asnjë njeriu, e as mund t’i jepet dot. Edhe xhindët më të mirë e më të fuqishëm nuk i marrin dot xhindët nën pushtetin e tyre. Por Sulejmanit, Zoti i kishte dhënë një aftësi të tillë të mrekullueshme, t’i urdhëronte, t’i mbante ata nën kontroll, t’i fuste në shërbime të ndryshme, madje edhe t’i lidhte me zinxhirë sa herë që ata të mos i bindeshin. Kjo ishte diçka që kërkonte fuqi e dituri të jashtëzakonshme, që vetëm Zoti mund t’ia japë atij që do.
Gjithë këto aftësi e mirësi që i kishte dhënë Zoti, Sulejmanit, e shtynin atë të falej e të lutej edhe më fort e të bënte mirësi pafund. Në librin tonë të shenjtë, në Kuran, profeti Sulejman (a.s.) është përmendur kështu:
“Davudit i dhamë Sulejmanin. Ai ishte vërtet një rob shumë i mirë. Në çdo kohë, me çdo fjalë e sjellje të tijën, ai i drejtohej Zotit.” Gjithashtu, Kurani e përmend Sulejmanin me fjalën “evvab”, që ka kuptimin e njeriut që me faljen, agjërimin, përkujtimin, lotët, pendimin e dashurinë e vet i drejtohet vetëm Zotit dhe troket gjithnjë në derën e Tij.
Një herë, ai njeri i mrekullueshëm, ndërsa para lufte përkëdhelte kokën e kuajve të tij, iu duk se vonoi pak faljen e pasdrekes. Sapo e vuri re këtë, u përkul para Zotit dhe pasi kërkoi falje, vazhdoi lutjen. Pastaj urdhëroi që t’ia sillnin kuajt sërish dhe ndërsa përkëdhelte kuajt, vazhdonte t’i kërkonte Zotit (xh.sh.) falje për vonesën e harresën e tij. Së shpejti kishte një luftë të madhe dhe Sulejmani e dinte fare mirë se arma më e rëndësishme e ushtrisë së tij ishin kuajt. Ai i kuptonte shumë mirë edhe sëmundjet e tyre dhe mund t’i shëronte, i dëgjonte hallet e dhembjet e tyre dhe i gjente zgjidhje. Dhe kuajt i zbatonin një për një urdhrat e tij.
Gjithashtu Sulejmani (a.s.) kishte edhe një veti tjetër të dhënë nga Zoti; ai gjithë metalet e forta si bakri etj, mund t’i jepte formën që dëshironte. Edhe Davudit, Zoti i kishte dhënë një aftësi të tillë dhe ai e kishte përdorur në mënyrën më të volitshme. Po ashtu, edhe Sulejmani, si në periudha lufte, edhe në kohë paqeje, e përdori shumë bakrin e shkrirë. Në kohë lufte ai nxirrte bronzin nga përzierjet e bakrit dhe me të derdhte armë nga më të ndryshmet. Shpatat, helmetat, mburojat e heshtat që bënte ai, ishin më të qëndrueshmet e kohës. Kurse në kohë paqeje e përdorte bakrin dhe përzierjet e tij në ndërtime e zbukurime të ndryshme.
Vërtet që Zoti i dha Sulejmanit mirësi pa fund, po nuk e la kurrsesi pa provime. Këto sprova do tregonin më së miri se çfarë zemre kishte Sulejmani. Kështu, njerëzve të mëdhenj u bëhen edhe sprova të mëdha. Sfida e Sulejmanit (a.s.) ishte një sëmundje shumë e rëndë.
Trupin ia mbështolli një lloj sëmundjeje, që as doktorët e njerëzve e as ata të xhindëve nuk i gjetën dot ilaç. Miqtë e tij zogj, shëtitën botën anekënd, i sollën lloj-lloj barërash e bimësh, por asnjë dobi. Sëmundja i rëndohej çdo ditë e më shumë. Aq sa shpesh rrëzohej si një trup pa jetë mbi fronin e tij dhe të pranishmit kujtonin se kishte vdekur. Ishte i lodhur, i zbehtë, i rrënuar dhe më e keqja, pa asnjë rrugëzgjidhje. Për një kohë të gjatë Sulejmani (a.s.) u ndrydh në kthetrat e kësaj lëngate të rëndë. Me gjithë gjendjen e rënduar, asnjë çast nuk e hiqte mendjen nga Zoti dhe nga misioni i tij, të cilin donte ta kryente më së miri. Ai ishte i bindur se burimi i vetëm i shërimit për të ishte Zoti (xh.sh.). Prandaj edhe në momentet më të rënda të lëngatës, ai vazhdoi t’i lutej Zotit. Ai lutej, falej, kryente adhurimin e tij dhe i lutej Zotit për ndihmë, shërim e falje.
Dhe një ditë sprova e Sulejmanit mori fund. Zoti (xh.sh.) ia shëroi të gjitha sëmundjet dhe ai u kthye përsëri në formën e shëndetshme të mëparshme. Me këtë sëmundje Zoti edhe kishte treguar sa zemër besimtare kishte Sulejmani, po edhe u kishte dhënë një mësim të mirë gjithë xhindëve, njerëzve e krijesave të tjera. Me këtë ngjarje Zoti (xh.sh.) u kishte bërë të ditur se edhe forcat më të mëdha të botës po të mblidhen e të bëhen bashkë, nuk arrijnë të bëjnë asgjë pa lejen e Zotit.
Pas asaj dite Sulejmani (a.s.) vendosi të ndërtonte një faltore të mrekullueshme, që nuk e kishte shoqen mbi faqen e dheut. Atje do vinin njerëzit nga ana e anës për të adhuruar Zotin e Vetëm. Njëkohësisht, ajo faltore do ishte dhe një kryevepër arti e paparë më parë. Menjëherë filloi një punë e madhe në kantierin e ndërtimit.
Në çdo anë jehonin trokitjet e çekanëve, makinat e shkrirjes punonin ditë e natë. Bronzi përzihej me rërë duke rrjedhur nëpër kanale të gjata pastaj ustallarët i jepnin lëndës që përftohej forma nga më të ndryshmet; dyer, dritare, kangjella nga më madhështoret për zbukurimin e rrugës që shkonte për në faltore.
Në ndërtimin e saj punonin dhjetëra mijëra punëtorë. Shkrirësit e metalit, gdhendësit e shkëmbinjve e gurëve të ndryshëm, punuesit e gurëve të çmuar, marangozët, që i jepnin copave të drurit forma nga më të ndryshmet, tavanpunuesit me ar.
Në ndërtimin e faltores merrnin pjesë edhe xhindët. Ata ndërtonin enë të mëdha për të gatuar për ushtarët e për ndërtuesit. Këta enë ishin aq të mëdha, sa ngjanin si pishina. Edhe profeti Sulejman (a.s.) merrte pjesë në këtë punë kolosale. Ai shëtiste përmes punëtorëve dhe dëgjonte me vëmendje ankesat e vërejtjet e tyre dhe mundohej t’i kënaqte të gjithë. Pastaj kontrollonte zogjtë e kafshët e ushtrisë së vet dhe shihte në ndodheshin të gjithë në vendin e caktuar apo jo, nëse mungonte ndonjë, e thërriste dhe i kërkonte llogari pse e kishte braktisur vendin e detyrës.
Një ditë, ndërsa përparonte në krye të ushtrisë së tij vigane, dëgjoi një milingonë tek i thoshte shoqeve të saj:
“Ruhuni, ruhuni! Po kalon Sulejmani me ushtrinë e vet dhe mos ju shtypë të gjithave pa ju vënë re.”
Sulejmani, që e dëgjoi atë çka tha milingona, vuri buzën në gaz. Frika e milingonës ishte e kotë, sepse ai ishte një njeri i jashtëzakonshëm, mesazhi dhe misioni më i rëndësishëm i të cilit ishte dashuria dhe mëshira. Edhe pse kishte ushtrinë më madhështore në botë, ishte baza e karakterit të tij, të sillej me mëshirë e me kujdes edhe me krijesën më të vogël që mund të haste në rrugë. Edhe kur ecte vetëm, edhe kur kalonte me të gjithë ushtrinë e tij, ai merrte masa që të mos dëmtonte as edhe një milingonë.
Sulejmani falënderoi nga thellësia e shpirtit Zotin (xh.sh.), që i kishte dhënë aftësinë të kuptonte gjithë gjallesat dhe të dëgjonte zërin e tyre, sepse po të mos i kuptonte dhe po të mos komunikonte me ta, do të vriste pa dashje shumë prej tyre dhe kjo do e rëndonte shumë shpirtin e tij të ndjeshëm.
Pallati më i mrekullueshëm në botë ishte i tiji. Rrobat e tij ishin të stolisura me diamante, perla, ar e korale. Megjithatë, ai ishte njeriu më i thjeshtë. Para Zotit dilte me gjithë përulësinë e tij, me njerëzit ishte shumë modest. Dhe kur kishte në shtat rrobat më të bukura e më të shtrenjta që mund të nxjerrë dora njerëzore, ai i thoshte njerëzve:
“Edhe një lule çfarëdo në kopsht, është shumë më e bukur se të gjitha veshjet e mbretit Sulejman.”
Çdo fjalë që thoshte, ishte e mbushur me urtësi e me këshilla për njerëzit. Lulja ishte pjesë e artit të Zotit, Ai e kishte krijuar, Ai i kishte dhënë sensin e jetës. Prandaj cilado lule ishte më e bukur se çdo gjë që mund të kishte bërë dora njerëzore, sado e mrekullueshme të ishte. Sepse arti hyjnor është më i mrekullueshmi, më magjepsësi! Ndaj dhe, një lule dhe veshjet e pemëve, ishin më të bukura se ata të Sulejmanit. Profeti-mbret, me modestinë e tij karakteristike, sapo thoshte këto, përkulej menjëherë para Zotit (xh.sh.) dhe e falënderonte edhe për mirësitë që ia kishte dhuruar me një bujari të pashoqe, edhe për ndërgjegjësimin që i kishte bërë për Pronarin e Vërtetë të gjithë këtyre. Pikërisht si i ati, profeti Davud, edhe Sulejmani e përmendte dhe e lavdëronte Zotin në mënyrën më të bukur, sa gjithë krijesat e tjera rrinin e dëgjonin.
Një ditë Profeti Sulejman urdhëroi ushtrinë e vet të përgatitej. Më pas nisi të inspektonte gjithë ushtarët. Së pari kontrolloi forcat njerëzore. Gjithçka ishte për mrekulli. Mblodhi komandantët dhe udhëheqësit e çdo njësie dhe u dha udhëzimet e duhura, pastaj kaloi te xhindët. Pasi mori masa për një ushtar të pavëmendshëm, udhëzoi komandantët e tyre dhe kaloi te kafshët. Kontrolloi ushqimin e pastërtinë e tyre, vërejti në ishin çlodhur mjaftueshëm, u përkujdes për ata që nuk ishin mirë me shëndet dhe pasi pa se nuk kishte asgjë për t’u shqetësuar as atje, hyri te çadra gjigante ku ndodheshin zogjtë. Sapo hodhi një sy brenda, vuri re se zogu Hud’hud nuk ishte në vendin e tij. Ai zog kishte një vend të caktuar dhe gjithmonë Sulejmani e gjente aty, në një mbajtëse të lartë, afër kupolës së çadrës. Veçse këtë herë nuk ndodhej aty, kuptohej se ishte larguar që andej pa marrë leje. Sulejmanit i ndryshoi tisi i fytyrës.
– Nuk po e shoh Hud’hudin. Ku është ai? – pyeti ata që ndodheshin përreth.
Të gjithë zogjtë heshtën. Sulejmani i shëtiti të gjithë me sy dhe e kuptoi se Hud’hudi nuk ishte aty dhe asnjëri nuk e dinte ku ndodhej ai. Sulejmani e çoi pak zërin:
– A nuk ndodhet këtu?
Një harabel i vogël, që guxoi të fliste, iu përgjigj:
– Zotëria ynë! Dje unë do dilja për zbulim me të, sepse ai kishte turnin e radhës, por ai nuk ishte.
Zogu i vogël dridhej ndërsa përgjigjej. Sulejmani u mërzit kur mori vesh se Hud’hudi nuk ndodhej në vendin e detyrën e vet, aq më tepër nuk kishte lajmëruar askënd se ku ishte.
– Nëse nuk ka arsye të fortë për të bërë këtë, ai do dënohet rëndë. Ose do ta ther fare!
Zogjtë e kishin të qartë se Sulejmani (a.s.) ishte mërzitur vërtet këtë herë. Ai ishte shumë i disiplinuar, por masa kaq të rrepta mund t’i merrte veç kur zemërohej shumë. U erdhi keq për Hud’hudin që kishte veç një rrugë shpëtimi për të dalë nga situata ku kish hyrë; një arsye tepër serioze për largimin e tij. Një arsye më të rëndësishme se detyra që kishte në çadër.
Zemërimi i Sulejmanit i trembi të gjithë. Vërtet që ai ishte shumë i dhimbshëm e i dashur, por nuk i pranonte aspak shkeljet e disiplinës, nuk e falte moskorrektesën. Sulejmani iu afrua harabelit të trembur, që dridhej prej frike dhe nisi ta përkëdhelte me ëmbëlsi. Zogu u qetësua menjëherë.
– Ku je Hud’hud? – thoshte me vete.
Sulejmani (a.s.) doli nga çadra e zogjve dhe shkoi në atë të vetën. I kishte mbetur mendja te Hud’hudi. Ai ishte një i ngarkuar i rëndësishëm i organeve të zbulimit dhe gjithmonë e kishte kryer detyrën e tij më së miri. A thua kishte dalë për ndonjë mision të posaçëm, apo thjesht për qejf? Pas pak, Hud’hudi u kthye në çadër. Sapo e panë, zogjtë nisën ta pyesnin:
– Ku ishe? Ku ishe?
Dukej që po kthehej nga një rrugë e gjatë, se kishte mbetur pa frymë.
– Çfarë ka ndodhur? Pse jeni kaq të shqetësuar? – pyeti të tjerët.
– Sot është ditë e zezë për ty, – iu përgjigjën. – Pak më parë, Mbreti Sulejman ishte këtu. U nervozua shumë kur nuk të pa dhe tha se do të të ndëshkonte rëndë.
Hud’hudi u drodh.
– Çfarë po thoni ju? Mos kujtoi mbreti se unë ika në lojë? Patjetër që kisha detyrën time!
– Atëherë mos humb kohë, – i thanë ata. – Shko menjëherë te mbreti dhe tregoji si qëndron puna!
Zogu i frikësuar fluturoi menjëherë për te pallati i Sulejmanit. Ai ishte ulur e po drekonte. Pa marrë leje, pa e pyetur, Hud’hudi u ndal në një vend pranë tavolinës dhe nisi të fliste me ngut, më tepër për të treguar se ishte i pafajshëm.
– Madhëri! Kam ca lajme që as i dini, as i keni dëgjuar ndonjëherë! Isha në mbretërinë e Sebes dhe pashë gjithçka me sytë e mi!
Sjellja e Hud’hudit ishte fare pa vend. Pa kërkuar leje kishte dalë para mbretit e i thoshte: “Unë di diçka që ti nuk e di!”. Por Sulejmani nuk e ndërpreu, e la të fliste. Ai vazhdoi:
– Në krye të Sebes është një mbretëreshë. Ajo drejton gjithë vendin. Janë shumë të pasur. Sidomos mbretëresha. Ajo ka gjithçka. Ka një fron të jashtëzakonshëm. Shumë të vlefshëm e madhështor. Vetëm se gjithë ai popull, me mbretëreshën në krye, janë mashtruar nga shejtani dhe adhurojnë diellin. Janë larguar nga e drejta dhe nuk e vënë re aspak këtë. Po shkatërrohen kot! Kërkojnë një rrugë të drejtë, por shejtani nuk i lë. Vazhdojnë të kujtojnë se dielli që ka krijuar Zoti, është një perëndi.
Hud’hudi ndali pak për të marrë frymë. Sulejmanit nuk i shpëtoi mënyra e tij e të folurit, me shumë kujdes dhe me fjalë të zgjedhura. Aq më tepër kur Hud’hudi e mbaroi tregimin e tij me fjalët që profeti Sulejman i thoshte gjithmonë të afërmve:
“Si është e mundur që nuk besojnë Zotin, Krijuesin e qiejve e të tokës, Atë që di gjithçka, të hapur e të fshehtë? Atë Zot që është më i madhi, Pronari i mbretërisë e i fronit të vërtetë?!”
Duke përsëritur fjalët e profetit, zogu mundohej të zbuste sadopak zemrën e tij e t’i shpëtonte ndëshkimit. Sulejmani buzëqeshi:
– Mirë, – i tha. – Së shpejti do ta mësojmë si është kjo punë.
Megjithëse Hud’hudi deshi të shtonte: “Të betohem, o profet i lartë, nuk të gënjej”, kur pa se Sulejmani heshti, nuk guxoi ta zgjaste më tepër.
Profeti Sulejman mendonte. Donte të merrte një vendim të saktë. Thirri këshilltarë dhe u kërkoi laps e letër. Pasi shkroi me shpejtësi një letër, e palosi dhe ia dha Hud’hudit.
– Do ta dërgosh këtë letër në pallatin e mbretëreshës. Do e hedhësh brenda nga dritarja e dhomës së saj. Pastaj do fshihesh në një qoshe e do vëresh se si do reagojë kur ta lexojë. Mandej do kthehesh prapë për të më treguar ç’ndodhi.
Ndërsa shtrëngonte letrën me sqep, Hud’hudi ende nuk besonte se kishte shpëtuar. Rrahu flatrat dhe menjëherë u zhduk në hapësirë. Pas disa orësh ai ishte sërish në pallatin e Sulejmanit, duke i treguar atij fill e për pe ç’kishte ndodhur.
– Arrita në mbretërinë e Sebes dhe e lashë letrën në dritaren e dhomës së gjumit të mbretëreshës. Ajo e lexoi, mblodhi vetullat dhe thirri menjëherë burrat e shtetit. Kur ata u mblodhën, unë u struka mes zbukurimeve të tavanit, ku nuk më shihte dot askush dhe i dëgjova me vëmendje gjithë sa thanë. Mësova se mbretëresha quhej Belkis.
Belkisi iu drejtua këshilltarëve të saj:
– Më është lënë në dhomë një letër shumë e vyer. Ajo vjen nga Sulejmani. Letrën e kishte nisur me emrin e Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit. Në letrën e atij mbreti të famshëm, nuk kishte asnjë lloj mendjemadhësie apo krenarie. Thjesht kërkonte të besonim në Zotin e tij e të bëheshim myslimanë.
Letra përmbante pikërisht këto gjëra. Mbretëresha iu drejtua sërish këshilltarëve:
– Unë po pres mendimin tuaj. Ju e dini se gjer më sot unë nuk kam marrë asnjë vendim pa ju pyetur ju.
– Ne jemi një mbretëri goxha e fortë, – iu përgjigjën këshilltarët. Mund t’i shpallim luftë menjëherë, por le të dëgjojmë njëherë mendimin tuaj, Madhëri.
Mbretëresha u zhyt në mendime. Pas pak foli:
– Nuk kemi pse të ngutemi. Tani për tani nuk na nevojitet lufta. Aq më tepër që sipas famës që ka, Sulejmani duhet të ketë shumë forca. Le t’i çojmë më parë një dhuratë me disa nga njerëzit tanë. Kur të kthehen ata, do na e bëjnë më të qartë planin e Sulejmanit. Kështu mund ta kuptojmë edhe nëse na nevojitet lufta apo duhet t’i shmangemi.
Pasi i mbaroi fjalët, Sulejmani iu kthye Hud’hudit:
– Në rregull, ti tani mund të shkosh në çadrën tënde.
Pa kaluar shumë kohë, dhurata e Belkisit mbërriti në pallatin e Sulejmanit. Atë e kishte sjellë njëri prej këshilltarëve të saj. Bashkë me të kishin ardhur edhe burra të njohur nga paria e vendit. Qëllimi i tyre i vërtetë ishte të njihnin nga afër vendin dhe pushtetin e Sulejmanit, si dhe të mësonin qëllimet e tij. Por shteti i Sulejmanit dukej sheshit, ai nuk kishte nevojë aspak t’u tregonte atyre forcën e zhvillimin e vendit të tij. Sulejmani sillej me dashamirësi dhe natyrshëm me miqtë. Ata u mahnitën në këtë vend; panë gjëra që më parë as nuk i kishin imagjinuar dot, bukuri e pasuri pafund, si dhe ushtrinë më të fuqishme të botës.
Miqtë i paraqitën mbretit dhuratën e Belkisit. Ajo ishte një tabaka e madhe e florinjtë, e zbukuruar me diamante, rubinë e margaritarë. Por Sulejmani ngrysi vetullat. Ai nuk donte nga ata as dhurata, as lëvdata. Ai priste që ata të dilnin përballë tij si myslimanë. Sjellja e mbretërisë së Sebes nuk ishte si e kishte menduar!
Sulejmani (a.s.) u ngrit në këmbë dhe i tha të dërguarve të Belkisit se nuk do të mund ta pranonte këtë dhuratë. Ai i kishte ftuar me paqe e mirësi në një besim të sinqertë, por në qoftë se ata do të vazhdonin të mohonin Zotin e tij për të adhuruar diellin, atëherë përballja me ushtrinë e tij ishte e pashmangshme. Që do të thoshte një fund aspak i mirë për ta.
Në ditët më vonë, Sulejmani (a.s.) po bënte mbledhje me këshilltarët e tij.
– Kush mundet të ma sjellë këtu fronin e mrekullueshëm të Belkisit?
Një nga dijetarët e xhindëve kërkoi fjalën.
– Pa mbaruar kjo mbledhje unë jam i aftë të ta sjell atë fron këtu!
Sulejmani mendonte i heshtur. Mbledhja mbaronte për nja dy orë, pra, dijetari do ta sillte për një orë e pak. Priti të merrte fjalën ndonjë tjetër.
– Unë jam në gjendje ta sjell këtu sa hap e mbyll sytë, – foli një dijetar që dinte më mirë se kushdo dijen e librit.
Sulejmani mbylli sytë për një çast. Kur i hapi, froni i Belkisit qëndronte madhështor përballë tij. Sulejmani meditoi për aftësitë e dijenitë e mrekullueshme që u kishte dhënë Zoti. Një prej njerëzve të tij ishte i aftë të sillte nga anë e anës një fron brenda një çasti të vetëm! Zemra iu mbush me përkushtim të thellë.
– Pa dyshim që këto janë mirësitë e dhuratat e Zotit tonë për ne, – tha i menduar. – Ai njëkohësisht edhe na provon, sheh, a do dimë të falënderojmë apo do na rritet mendja e do harrojmë? Pa dyshim që Zoti nuk ka nevojë për falënderimin tonë, për vete e kemi, të mos bëhemi nga të humburit!
Pas këtyre fjalëve, Sulejmani kërkoi të bënin disa ndryshime mbi fronin. Ai fron ishte i tëri i florinjtë, i punuar shumë bukur dhe i stolisur me gurë nga më të çmuarit. Me ato ndryshime, Sulejmani donte të provonte nëse Belkisi, që do vinte më vonë në pallatin e tij, do të mund ta njihte fronin e vet, apo jo.
Pas pak, Belkisi hyri në pallatin e Sulejmanit. Kishte ardhur për të biseduar me të për ndodhitë e mëparshme e për letrën.
– A e njeh këtë fron? – e pyeti Sulejmani.
– Sikur e njoh, – tha ajo. Por në fakt ishte e tronditur. I ngjante aq shumë fronit të saj, por nuk mund të ishte ai. Si mund të kishte arritur froni nga Jemeni në këtë pallat para asaj vetë?
Pastaj kishte ndryshuar goxha. Vetëm për ata ndryshime duheshin muaj të tërë punë e mund! Kur të ishin bërë gjithë këto? Në fakt, Sulejmani donte t’i tregonte asaj rrugën për te Zoti. Vërtet që populli i Sebes e mbante veten për popullin më të zhvilluar në shkenca e dije, por tani ata do ishin dëshmitarë sesa prapa ishin.
Sulejmani kishte ndërtuar një pallat të mrekullueshëm, posaçërisht për të mirëpritur Belkisin. Tërë dyshemeja e këtij pallati ishte shtruar me një kristal transparent tepër të çmuar. Nën të kishte shatërvanë e basene me ujë. Ata që ecnin mbi kristal, kishin mundësinë të sodisnin të mahnitur peshqit vezullues që notonin në ujë, algat që lëkundeshin dhe plot gurë ngjyra-ngjyra që të merrnin sytë. Kristali ishte aq i qartë dhe aq vezullues, sa gjithçka ngjante me një mrekulli.
Belkisi pa ujin në hyrje të pallatit, por dyshemenë prej kristali nuk e vuri re aspak. Duke menduar se po hynte në ujë, mblodhi fundet e fustanit që të mos lagej. Atëherë Sulejmani buzëqeshi dhe i tha:
– Dyshemeja është ndërtuar me një xham të tejdukshëm.
Belkisi ishte një grua e zgjuar. Ajo e kuptoi menjëherë se kishte përballë një mbret të pushtetshëm dhe një të Dërguar të Zotit.
– O Zot, më i Larti i të lartëve! Pa dyshim që gjer më sot unë kam qenë e keqja e vetes. Por tani, para Sulejmanit, profetit Tënd, dëshmoj se unë të besoj Ty, o Zot i të gjitha botëve!
Kështu Belkisi u bë myslimane.
Gjithë jeta e Sulejmanit (a.s.) kishte qenë kulminante, e jashtëzakonshme. Ashtu i erdhi edhe vdekja, një mrekulli e jashtëzakonshme. Një ditë, shkoi në dhomën e tij të posaçme për lutjet. U mbështet në shkopin e vet dhe nisi faljen. I Gjithëpushtetshmi e kishte caktuar vdekjen e tij në atë mënyrë. Ashtu i vdekur, vazhdoi të ruante të njëjtin pozicion. Asnjë nuk e kuptoi se Sulejmani kishte vdekur. Edhe xhindët madje, duke menduar se ai ishte akoma i gjallë, vazhdonin të punonin duke zbatuar urdhrat e tij. Por një ditë, në dhomën e tij hyri një mizë brejtëse. Kërkoi nga Sulejmani leje që të brente pak shkopin e tij, po si nuk mori përgjigje, nisi të ushqehej me drurin e tij. Ajo ishte shumë e uritur.
Ndërkohë, trupi pa jetë i Sulejmanit (a.s.) humbi ekuilibrin dhe u rrëzua. Dhe njerëzit kujtonin se xhindët e dinë dhe të pazbuluarën! Po ata as që e kishin marrë vesh vdekjen e Sulejmanit. Kishin vazhduar me zell punën e tyre dhe nuk kishin guxuar për asnjë minutë të bënin diçka kundër urdhrave të Sulejmanit. Sapo e morën vesh se ai kishte vdekur, lanë çdo punë e preokupim dhe u larguan që andej.
Profeti Sulejman (a.s.) edhe frymën e fundit e kishte dhënë në prani të Zotit (xh.sh.).