Profetët
Nga Ali Zaimi
Besimi te profetët është një tjetër shtyllë e besimit islam.
“Profet” do të thotë i dërguar, përfaqësues, lajmëtar i Zotit. Fetarisht Profet është izgjedhuri i Zotit ndër njerëzit, robtë e Tij, i nderuar me vahjin ose komunikimin hyjnor dhe i ngarkuar me detyrën për t’u përcjellë njerëzve urdhrat dhe ndalimet e Tij.
Megjithëse është një njeri ndër njerëzit, secili Profet është i dallueshëm prej njerëzve të tjerë dhe bartës i cilësive dhe tipareve të veçanta. Askush nuk mund të bëhet profet me dëshirën e vet. Allahu ngarkon me detyrën e profetit kë të dojë.
Duhet theksuar fakti se të Dërguarit jo thjesht ua kanë përçuar njerëzve porositë hyjnore, por ata kanë qenë shembuj konkretë në të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me ngritjen shpirtërore dhe me afrimin për tek Allahu. Predikimet e tyre të mençura dhe jeta e tyre shembullore ua kanë pastruar zemrat njerëzve, duke i bashkuar ata me burimin e shpresës dhe të mëshirës. Ata e kanë bërë të qartë deri në hollësitë më të imta rrugën që e shpie njerëzimin për te përsosja e vetes dhe për te shoqëria ideale. Duke e larguar njeriun prej paudhësive të çdo lloji, ata ua kanë çliruar vullnetin njerëzve po ashtu dhe forcat e brendshme. Ata i kanë frymëzuar besimtarët për realizimin me sukses të veprimtarive të dobishme, kërkimore e studimore, për ecjen e tyre përpara në rrugën e zhvillimit.
Përse Allahu ka dërguar profetë?
Qëllimi i dërgimit të profetëve bashkohet në të njëjtën pikë me qëllimin e krijimit të njeriut. Kjo pikë qëndron në vijën që përcakton pozitën e njeriut si rob i Zotit, për rrjedhojë, adhurimin e Zotit nga njeriu. Allahu na e tregon këtë në Kur’an: “Unë i krijova njerëzit dhe xhindët vetëm për të më adhuruar!” (Kur’ani, Dharijat: 56.)
Profetët janë njerëz të pajisur në mënyrë të jashtëzakonshme, të cilët, në kallëpet materiale të kësaj bote të kufizuar, hapin dritare për në botët e padukshme, të cilët tregojnë për ekzistencën e botëve përtej kufijve dhe të cilët na e bëjnë të ditur kuptimin e botës ku jetojmë sipas urdhrave të vetë Krijuesit të saj. Gjersa drita e vahjit ose zbulesës hyjnore, për arritjen e së cilës tek ne ata janë ndërmjetës, të mos na depërtojë në shpirt, e thënë ndryshe, gjersa shpirti të mos na ndriçohet me atë dritë, i gjithë zelli dhe të gjitha përpjekjet e mendjes sonë që mendon dhe i kërkon të vërtetat, nuk do të kishin ndonjë ndryshim nga loja kukafshehthi!
Edhe sikur njerëzit me mendjen e vet ta gjejnë Allahun duke parë dukuritë që ndodhin në ekzistencë, nuk mund t’i dinë pa ndihmën e Profetëve qëllimin final dhe urtësinë e krijimit të tyre, nga kanë ardhur e ku do të shkojnë dhe si duhet t’i drejtohet krijuesit të tyre (adhurimet). Ja, pra, Allahu i Lartë ka dërguar Profetë për të plotësuar këtë nevojë të njerëzve. Prandaj një tjetër qëllim në dërgimin e profetëve është kumtesa fetare dhe sigurimi i drejtpeshimit botë – amshim.
Po të mos ishin Profetët, njerëzit, nën presionin e dëshirave dhe kërkesave të tyre kalimtare, do t’i ngatërronin me njëra-tjetrën gjërat e drejta me gjërat e dëmshme që i vijnë të këndshme vetes dhe nuk do të merrnin dot vendime të qëlluara. Shëmbulli i bukur që profetët shpalosën është një tjetër qëllim në dërgimin e tyre.
Ka nevojë për Profetë edhe për t’i ngarkuar njerëzit me përgjegjësi të caktuara dhe, për rrjedhojë, për t’u dhënë atyre shpërblim dhe ndëshkim. Vetëm në këtë mënyrë është parandaluar që, në jetën pas vdekjes, njerëzit të mos dalin para Allahut me pretendimin se “s’dinin gjë”! Këtë specifikë, Kurani e prek kështu në një ajet të tij:
“Ne dërguam Profetë përgëzues e paralajmërues që, pas kësaj, njerëzit të mos nxjerrin pretekste ndaj Allahut!..” (Nisa, 4/165)
Pra profetët janë dërguar edhe për të mbyllur derën e pretendimeve.
Profeti i parë është Hz. Ademi. Kurse i fundit, profeti ynë i dashur, Hz. Muhammedi (a.s.). Mes këtyre të dyve kanë ardhur shumë profetë të tjerë. Ne nuk e dimë numrin plotë të tyre. Në Kur’an përmenden emrat e vetëm njëzet e pesë prej tyre dhe jepen, nga ana e Allahu, të dhëna për ta. Emrat e tyre janë:
Adem, Idris, Nuh, Hud, Salih, Lut, Ibrahim, Ismail, Is’ hak, Jakub, Jusuf, Shuajb, Musa, Harun, Daud, Sulejman, Ejub, Junus, Iljas, Eljesa, Dhulkifl, Zekeria, Jahja, Isa, Muhammed.
Profetët nuk shmangen nga e drejta. Kurrë nuk ka ndodhur të gënjejnë. Janë njerëz shumë të zgjuar. Ata nuk bëjnë mëkate. Urdhrat e marra nga Zoti ua kumtojnë njerëzve pa të metë.
Kur përmendet emri i një profeti, duhet shoqëruar me shprehje lutëse për mëshirë dhe paqe, si “alejhisselam ” (a.s.), “paqja qoftë mbi të!” ose “salallahu alejhi veselem” (s.a.v), “mëshira dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!” Për profetët e tjerë, përdoret përgjithësisht lutja “alejhisselam”.
Cilësitë e Profetëve
Para se të shikojmë specifikat e tjera që i karakterizon Profetët, duhet të dihet se ata janë njerëz. Fundja, këtë e bën të domosdoshëm edhe fakti që ata janë përfaqësues të dërguar te njerëzit. Sepse njeriut mund t’i shërbejë si udhëzues e prijës në çdo specifikë vetëm një njeri si ta. Kështu, në Kuran është bërë e ditur se ata janë njerëz me cilësi njerëzore si ne.
Cilësitë kryesore të profetëve janë këto:
- Ismet (pafajësia): Allahu i ka mbrojtur ata nga çdo lloj mëkati, i vogël apo i madh qoftë. Nuk bëjnë mëkate, janë të pafajshëm.
- Emanet (besueshmëria): Ata janë njerëz të besueshëm dhe kjo është qartësisht e dallueshme.
- Sidk (drejtësia): Janë të drejtë, qëndrojnë aq larg nga gënjeshtra saqë nuk gënjejnë as për shaka. Madje edhe shakatë e tyre ishin për të dhënë mësim.
- Fetanet (zgjuarsia): Janë njerëz shumë të zgjuar dhe me botëkuptim të gjerë. Ata arrijnë në shkallën më të lartë të mençurisë dhe zgjuarsisë.
- Teblig (kumti): Shpalljen hyjnore të marrë nga Allahu ua transmetojnë njerëzve pa e ndryshuar.
Ata duhen të jenë të tillë sepse detyra që kanë kërkon të jenë njerëz jo të zakonshëm.
Besimi te të dërguarit na ndihmon që ta vlerësojmë sa dhe si duhet mëshirën që ushqen për ne Allahu, kujdesin e Tij të pandashëm për krijesat e Tij. Na mëson t’i jemi falënderues Allahut, t’i duam dhe t’i nderojmë të zgjedhurit e Tij dhe pasuesit e tyre besnikë. Falë këtij besimi njeriu çlirohet prej mendjemadhësisë dhe prej fodullëkut dhe e kupton se të gjithë popujt në një masë të barabartë janë përgjegjës përpara Zotit, në rast se tek ata erdhi zëdhënësi i Zotit. E ndërkohë cdo populli I është dërguar Profet. Në një transmetim të Profetit tonë, Muhamedit a.s flitet se njerëzimit I janë Dërguar 124 mijë Profetë nga Allahu xh.sh.