Prindërit e shpërqendruar nga celulari, pasoja negative te fëmijët
Pasojat – Kërkime të reja tregojnë se shpërqendrimi nga celulari mund t’i privojë bebet nga zhvillimi i sinjaleve thelbësore të trurit, të cilat janë shumë të rëndësishme në fazat e hershme të zhvillimit
Pak gjëra kërkojnë vëmendje aq të madhe sa fëmija juaj në vegjëli. Këto janë pajisjet teknologjike, të cilat kur konkurrojnë me fëmijët për vëmendjen tuaj, gjërat mund të shkojnë keq. Në një studim të ri të bazuar te kafshët dhe publikuar te revista “Psikiatria e përkthyer”, shkencëtarët tregojnë se shpërqendrimi prindëror mund të çojë ndonjëherë në pasoja të dëmshme për zhvillimin e bebeve, veçanërisht në aftësinë e tyre për të përpunuar kënaqësinë.
Studimi ka analizuar kaviet në fazat e tij të para, por implikimet sipas autorëve mund të jenë shumë domethënëse për ndërveprimet prind-bebe në një botë të fiksuar pas teknologjisë.
Tallie Baram, profesoreshë e pediatrisë dhe neurobiologjisë anatomike nga Universiteti i Kalifornisë dhe kolegët e saj studiuan se si ndikonte vëmendja e mirë, por jo e plotë e nënave te të porsalindurit.
Baram vendosi disa kavie nëna dhe bebet e tyre në kafaze të modifikuara, ku nuk kishte mjaftueshëm kushte strehimi. Kjo mjaftoi që nënat të shpërqendroheshin dhe të kontrollonin vërdallë për kushte më të mira, ndërsa nuk u jepnin vëmendjen e duhur bebeve.
Baram dhe kolegët e saj e krahasuan zhvillimin e bebeve të rritura në këtë mjedis dhe atë të bebeve në kafaze normale ku nënat kishin mjaftueshëm material për të krijuar një strehim të rehatshëm. Kur të vegjlit u rritën, kërkuesit i testuan ata për të kuptuar ndërveprimin me të tjerët, nivelin e kënaqësisë dhe zhvillimin emocional. Kaviet e rritura në mjediset e modifikuara vazhdimisht luanin më pak me të tjerët, të cilët ishin rritur në mjedise normale.
“U habitëm shumë”, thotë Baram. “Na u desh t’i ktheheshim studimit dhe të kontrollonim se cilat sinjale u kishin munguar këtyre kavieve, pasi ata ishin rritur në të njëjtën temperaturë, kishin peshë normale etj.”
Ajo që bëri diferencën ishte fakti që minjtë e rritur në mjediset e modifikuara merrnin një lloj vëmendjeje ndryshe nga nënat e tyre. Këto të fundit, të stresuara nga mungesa e një mjedisi të duhur për të rritur të vegjlit, prireshin të ishin më pak të parashikueshme sesa nënat që jetonin në një mjedis të mirë.
Fakti që minjtë adoleshentë treguan shenja të kënaqësisë së paplotë, sugjeron se ashtu si me sistemet e dëgjimit dhe shikimit, mund të ekzistojë një tjetër aspekt kritik sjelljesh nga nënat që të porsalindurit duhet t’i marrin për një zhvillim normal të sistemit të tyre nervor.
Mungesa e vëmendjes së vazhdueshme, të përsëritur dhe të sigurt, duket se prek aftësinë e kafshëve për të zhvilluar lidhje të duhura emocionale që i ndihmojnë ata të kuptojnë kënaqësinë. “Ka plotësisht kuptim”, thotë Baram. “Ne kemi nevojë për ekspozim të vazhdueshëm ndaj diçkaje, në mënyrë që të arrijmë ta kuptojmë atë dhe ta bëjmë pjesë tonën.”
Kjo do të thotë se edhe për njerëzit funksionon në mënyrë të ngjashme. Mund të ekzistojë një moment thelbësor kur bebet kanë nevojë për vëmendjen serioze dhe të vazhdueshme të nënës dhe babait të tyre, në mënyrë që të formojnë procese të duhura emocionale. Kjo përfshin idenë se në një orë të caktuar të ditës, për shembull, ushqimi do të mbërrijë, lodrat do të shfaqen dhe mamaja do të luajë. Nëse mamaja është e shpërqendruar nga një telefonatë apo një mesazh dhe merret me celularin, kjo rutinë me të cilën fëmija mësohet, prishet. Studimet e tjera kanë treguar se një zhvillim i ulët i sistemit të kënaqësisë mund të kontribuojë në çrregullime të humorit, si depresioni dhe ankthi.
“Parashikimi do të thotë se ju e dini që një sjellje do të pasojë një sjellje tjetër”, thotë Baram. “Kjo duket se ka lidhje me sistemin e kënaqësisë.”
Baram thotë se nuk ka gjasa që vetëm stresi nga mospasja e një mjedisi të duhur të jetë përgjegjës për ndryshimet e para te kaviet adoleshente. Studime të tjera te minjtë në mjedise të ngjashme të modifikuara nuk kanë rezultuar gjithnjë në pasoja te proceset e kënaqësisë.
Por për të konfirmuar se është mungesa e parashikimit të vëmendjes ajo që është thelbësore për zhvillimin emocional, studiuesja dhe kolegët e saj tani po e kthejnë vëmendjen nga bebet e njerëzve dhe po kërkojnë nga afër ndërveprimet mes nënave dhe fëmijëve për të përcaktuar ndryshimet në modelet e sjelljeve të nënave dhe pasojat te fëmijët.
Ata planifikojnë të monitorojnë efektet duke përdorur imazheri të trurit për të parë ndryshimet e mundshme si te struktura dhe te funksioni i disa rajoneve të trurit.
“Ne po propozojmë se ka një periudhë sensitive të kujdesit mëmësor pas lindjes, që duhet të jetë në forma konsistence, në mënyrë që fëmija të zhvillohet normalisht nga ana emocionale”, përfundoi kërkuesja.