Përse është e nevojshme të falemi?
Dikush mund të thotë: “Përse është e nevojshme të falemi. Për mua është e mjaftueshme, që pranoj ekzistencën e Allahut dhe e besoj Atë. Përse duhen bërë ato lëvizje pesë herë në ditë?
Një njeriu të tillë do t’i përgjigjeshim: Një nga kuptimet e faljes së namazit është edhe thyerja e mendjemadhësisë. Me rënien në sexhde, me prekjen e ballit në tokë dhe me shqiptimin e “subhane rabbije’l-e’ala” pranon vendin tënd, se përpara Allahut je fare i imët, madje asgjë fare.
Përsa i përket lëvizjeve në fjalë dhe mosmjaftueshmërisë së përuljes, ti që pyet, përgjigju më parë kësaj pyetjeje: “për çfarë arsye është krijuar trupi dhe përse nuk kënaqesh me atë kënaqësi që do ta përfshijë trupin dhe shpirtin nëse falesh?” Allahu ta krijoi trupin që të të zbulojë zemrën. Nëse në zemrën tënde ka diçka, ajo do të zbulohet nga trupi. Nëse besimi yt është i sinqertë, ti do ta shfaqësh atë nëpërmjet trupit, e nëse nuk është, atëherë do të mbetet vetëm në gjuhë.
Profeti Muhamed (a.s) ka thënë: “Çdo njeri prej myslimanëve kur hyn koha e rregullt e namazit, merr abdes dhe e fal namazin me përpikëri të plotë, duke i kryer të gjitha kushtet e tij, këtij do t’i pastrohen mëkatet e mëparshme, derisa të mos bëjë mëkate të mëdha. Kjo vlen në mënyrë të vazhdueshme.”