O Zot, të paktën mos më privo prej mëshirës Tënde!

Sipas një rrëfimi, një person prej të bijve të Izraelit ishte i zhytur në gjynahe dhe kudo që gjendej, kryente vetëm gjynahe, kjo gjë filloi t’i shqetësonte njerëzit përreth tij, saqë ata provuan çdo llojë rruge për ta ndaluar këtë person, por nuk mundën, dhe së fundi ngeli vetëm që t’i ankoheshin Allahut për këtë person, dhe kështu bënë.

Allahu i shpall Musait (a.s) se në qytet jetonte një person që kryente shumë gjynahe, dhe si shkak që njerëzit e qytetit të mos dëmtoheshin prej tij, duhej që ai të largohej, të internohej prej qytetit.

Musai (a.s) shkon në qytet dhe e merr djaloshin gjynahqar dhe e dërgon në një fshat.

Përsëri Allahu i tregon Musait (a.s) që ta largojë edhe prej fshatit që e kishte dërguar, por këtë herë e dërgon në një vend të shkretë ku nuk kishte asnjë shenjë jete.

Aty djaloshi sëmuret rëndë, por ai nuk kishte askënd që ta ndihmonte, nga e keqja e sëmundjes shtrihet në tokë përmbys dhe i drejtohet Zotit me këto fjalë:

Në këto momente nëse nëna ime do të ishte pranë meje, do të kujdesej për mua prej dhembshurisë që ka, nëse do të ishte babai do të më ndihmonte duke m’i kryer të gjitha punët, nëse do të më gjendesh gruaja të paktën do të më qante pas vdekjes, dhe nëse do të gjendeshin fëmijët pranë në këtë moment, të paktën do të luteshin për mua ‘ O Allah fale këtë person i cili u largua prej shtëpisë drejt një fshati, e prej aty në një vend të vdekur dhe tani ashtu i pashpresë po largohet nga kjo botë për në ahiret. O Allah fale babanë tonë gjynahqar!’

“Allah më ndave prej prindërve, gruas dhe fëmijëve të paktën mos më privo prej mëshirës Tënde! Ma dogje zemrën me flakën e ndarjes prej tyre të paktën mos më digj në zjarr për shkak të gjynaheve të mia!”

Sakaq Allahu e pranon lutjen e djaloshit dhe i dërgon një huri në shëmbëlltyrën e gruas së tij, disa engjëj në pamjen e fëmijëve dhe të prindërve të tij. Këta ulen mbi kokën e djalit dhe qanin për vdekjen e tij. Ai përjetoi një gëzim të madh kur pa që prindërit dhe fëmijët bashkë me gruan ishin pranë tij në këto momente të fundit! Nga kjo gjendje e tij, Allahu e fal atë dhe kështu ai vdes i pastruar nga gjynahet.

Allahu i shpall Musait (a.s): O Musa shko në filan vend, atje ka vdekur një prej robërve të Mi të mirë (Eulija), shko dhe kryeji të gjitha ritualet që duhen bërë dhe pastaj varrose! Musai (a.s) shkon në vendin e treguar, por sheh që personi i vdekur ishte ai djali që pak ditë më parë e kishte dërguar atje. Habitet shumë kur shikon engjëjt pranë këtij personi dhe pyet: O Allah, a nuk është ky djaloshi që unë internova nga qyteti me urdhrin Tënd?

– O Musa, Unë e fala atë, sepse e pashë atë të përpëlitej në tokë dhe vuante nga ndarja prej vendlindjes, prindërve, gruas dhe fëmijëve, prandaj i dërgova atij engjëj në pamjen e familjarëve të tij. Ata kur panë gjendjen e keqe të djalit u lutën për falje, sepse ata gjithmonë luten për falje, për personat që vdesin në vend të huaj. Dhe Unë duke qenë më i Mëshirshmi i të mëshirshmëve, si mos ta mëshiroja dhe falja atë?

Burimi: Imam Gazali, Mukeshefetu’l Kulub.

Përgatiti: Marius Tafani 

© URTËSI.AL

Postime të ngashme