Një përqasje krahasuese për Islamin dhe demokracinë

Feja, në veçanti Islami, është bërë një nga temat më të vështira që i është nënshtruar gjykimit në vitet e fundit.

Kultura bashkëkohore, nëse propozohet nga perspektiva e antropologjisë, psikologjisë ose psikanalizës, e vlerëson fenë me metoda empirike. Në njërën anë, feja është përjetim në vetvete dhe fenomen i ndjerë që, për pjesën më të madhe, lidhet me aspektet permanente të jetës. Në anën tjetër, besimtarët mund ta shohin fenë e tyre si një filozofi, si një formë të parimeve racionale ose thjesht si misticizëm. Vështirësia e ngritjes dhe e trajtimit të çështjes së Islamit qëndron në faktin që disa muslimanë dhe politikanë e konsiderojnë dhe e prezantojnë atë më shumë si një ideologji politike, sociologjike dhe ekonomike, sesa si një fe.

Nëse dëshirojmë ta analizojmë saktë fenë, demokracinë apo çdo sistem ose filozofi tjetër, duhet të fokusohemi tek natyra njerëzore dhe jeta njerëzore. Nga kjo perspektivë, feja në përgjithësi dhe Islami në veçanti, nuk mund të krahasohen në të njëjtat baza me demokracinë apo me çdo sistem tjetër politik, social ose ekonomik. Feja fokusohet së pari në aspektet e pandryshueshme të jetës dhe ekzistencës, ndërsa sistemet apo ideologjitë politike, sociale dhe ekonomike interesohen vetëm për ca aspekte të paqëndrueshme shoqërore të jetës sonë tokësore.

Aspektet e jetës me të cilat është e lidhur së pari feja, janë sot po aq aktuale sa ishin me lindjen e njerëzimit dhe do të vazhdojnë të jenë të tilla edhe në të ardhmen. Sistemet tokësore ndryshojnë në përputhje me rrethanat dhe, si rrjedhojë, mund të jenë vlerësuar vetëm në pajtim me kohën e tyre. Besimi në Zot, jeta e përtejme, profetët, librat e shenjtë, engjëjt dhe fati hyjnor mbeten të njëjtë, pavarësisht nga ndryshimi i kohërave. Gjithashtu, standartet universale dhe të pandryshueshme të adhurimit dhe moralitetit kanë të bëjnë pak me kohën dhe jetën tokësore.

Prandaj, kur krahasojmë fenë ose Islamin me demokracinë, ne duhet të kujtojmë që demokracia është një sistem që zhvillohet dhe revizionohet vazhdimisht. Ajo gjithashtu ndryshon në përputhje me vendet dhe rrethanat ku është ushtruar. Në njërën anë, feja ka vendosur principe të pandryshueshme në lidhje me besimin, adhurimin dhe moralitetin. Prandaj, vetëm aspektet temporale të Islamit duhet të jenë të krahasueshme me demokracinë.

Qëllimi madhor i Islamit dhe i dimensioneve të tij të pandryshueshme ka të bëjë me normat e tij duke përcaktuar aspektet e ndryshueshme të jetës sonë. Islami nuk parashtron një formë të sigurt të pandryshueshme të qeverisjes ose të përpjekjeve për ta modeluar atë. Në vend të kësaj, Islami vendos principet fundamentale që orientojnë një karakteristikë të përgjithshme të qeverisjes, duke i lënë njerëzit të zgjedhin modelin dhe formën e saj në përputhje me kohën dhe rrethanat. Nëse ne e shohim çështjen nga ky këndvështrim dhe e krahasojmë Islamin me demokracinë moderne liberale të ditëve të sotme, do të jemi edhe më të aftë për ta kuptuar pozicionin e Islamit dhe demokracisë në lidhje me respektin ndaj njëri-tjetrit.

Idetë demokratike vijnë nga kohët e hershme. Demokracia moderne liberale lindi në Amerikë (1776) dhe me revolucionin francez (1789-1799). Në shoqëritë demokratike, popujt qeverisin vetveten siç kundërshtojnë të jenë drejtuar nga dikush më lart. Individi ka përparësi mbi komunitetin në këtë model të sistemit politik, duke qenë i lirë për të vendosur si ta jetojë jetën e tij ose të saj. Megjithëse individualizmi nuk është absolut. Njerëzit jetojnë një jetë më të mirë duke ekzistuar brenda një shoqërie dhe kjo kërkon që ata të korrigjojnë dhe kufizojnë liritë e tyre në përputhje me kriteret e jetës shoqërore.

Profeti thotë që të gjithë njerëzit janë të njëjtë si dhëmbët e një krehëri.[1] Islami nuk bën dallime të bazuara në racën, ngjyrën, moshën, nacionalitetin apo në veçoritë fizike. Profeti deklaronte:

Ju jeni të gjithë nga Ademi dhe Ademi është nga dheu. O shërbëtorë të Zotit, jini vëllezër (dhe motra)![2]

Ata që kanë lindur më parë, që kanë më shumë pasuri ose pushtet se të tjerët, apo që bëjnë pjesë në familje ose në grupe etnike të sigurta, nuk kanë ndonjë privilegj të natyrshëm për të sunduar të tjerët.

Islami gjithashtu miraton parimet fundamentale në vijim:

1. Pushteti krijon përshtypjen e gabuar sikur e vërteta mbështetet te fuqia.

2. Drejtësia dhe normat e ligjit janë esenciale.

3. Liria e besimit dhe e drejta e jetës, pasuria personale, riprodhimi dhe shëndeti (mendor dhe fizik) nuk mund të dhunohen.

4. Jeta private dhe imuniteti individual duhet të jenë të paprekshëm.

5. Askush nuk mund të dënohet për një krim pa prova ose të akuzohet dhe ndëshkohet për krimet e dikujt tjetër.

6. Një sistem këshillimor i qeverisjes është esencial.

Të gjitha të drejtat kanë rëndësi të njëjtë dhe të drejtat e individëve nuk mund të sakrifikohen për hir të shoqërisë. Islami konsideron që një shoqëri të jetë ndërtuar me individë të ndërgjegjshëm të pajisur me vullnet të lirë dhe që kanë përgjegjësi për veten dhe të tjerët. Islami shkon një hap më tutje duke shtuar një dimension kozmik. Ai e vështron njerëzimin si “motorin” e historisë, në kundërshtim me mënyrat fataliste të disa filozofive perëndimore të historisë së shekullit të nëntëmbëdhjetë, të tilla si materializmi dialektik dhe historik.[3]

Pikërisht siç ndodh që vullneti dhe qëndrimi i çdo individi përcakton pasojat për jetën e tij ose të saj në këtë botë dhe në botën e përtejme, progresi ose rënia e një shoqërie përcaktohet nga vullneti, botëkuptimi dhe mënyra e jetës e banorëve të saj. Kur’ani shprehet:

Allahu nuk e prish gjendjen e një populli (nuk ua largon të mirat) nëse ata nuk e ndryshojnë veten e tyre (lidhur me besimin, botëkuptimin dhe mënyrën e jetës)… (13:11)

Me fjalë të tjera, çdo shoqëri e ka fatin në duart e veta. Tradita profetike thekson këtë ide: “Ju do të keni atë qeverisje që meritoni.”[4]

Ky është tipari themelor dhe fryma themelore e demokracisë dhe një ide që nuk bie në kundërshtim me asnjë parim islam.

Siç i vlerëson Islami individët dhe shoqëritë si përgjegjës të fateve të tyre, popujt duhet të jenë përgjegjës për qeverisjen e vetes. Kur’ani i drejtohet shoqërisë me fraza të tilla, si “o njerëz!” dhe “o besimtarë!” Detyrimet që përmbajnë sistemet demokratike moderne janë ato që Islami ka ngarkuar dhe rezervuar për shoqërinë, sipas rëndësisë, si “absolutisht të nevojshme, relativisht të nevojshme dhe të lavdërueshme për t’u zbatuar.” Teksti i shenjtë përmban pasazhet e mëposhtme:

Qëndroni, të gjithë ju, në paqe!  (2:208)

Ecni në rrugën e Allahut me me çfarë është e duhur nga të mirat që ju keni fituar dhe që Ne ju kemi dhënë nga toka…(2:267)

Nëse disa nga gratë tuaja janë akuzuar për imoralitet, ju duhet të keni katër dëshmitarë (për ta provuar atë)… (4:15)

Allahu ju urdhëron që t’u jepni amanetet të zotrëve të tyre dhe kur të gjykoni, ju urdhëron të gjykoni me të drejtë mes njerëzve… (4:58)

. . . vazhdimisht të jeni dëshmues të drejtë për hir të Allahut edhe nëse është kundër (interesit) vetvetes suaj, kundër prindërve ose kundër të afërmve tuaj… (4:135)

Në qoftë se ata (armiqtë tuaj) anojnë nga paqja (kur jeni në luftë), ano edhe ti nga ajo… (8:61)

. . . nëse ndonjë i papërgjegjshëm ju sjell ndonjë lajm (rreth të tjerëve), ju shqyrtojeni mirë, ashtu që të mos e godisni një popull pa e ditur realitetin… (49:6)

Nëse dy grupe besimtarësh tentojnë të luftojnë ndërmjet tyre, ju pajtojini ata! (49:9)

Më shkurt, Kur’ani u adresohet të tërë bashkësive dhe lë pothuajse hapur të gjitha detyrat që janë vënë në sistemet demokratike moderne.

Njerëzit bashkëpunojnë me njëri-tjetrin duke i ndarë këto detyra dhe duke vënë themelet bazë për t’i zbatuar ato. Qeverisja është kompozuar nga të gjithë këto elemente esenciale. Prandaj Islami propozon një qeverisje të bazuar në një kontratë sociale. Popujt zgjedhin administruesit dhe vendosin një këshill për të diskutuar çështjet e përbashkëta. Përgjatë sundimit të katër kalifëve të parë, të të parit në veçanti (Ebu Bekr, 632-661), parimet fundamentale të qeverisjes të përmendura më lart – duke përfshirë edhe zgjedhjet e lira – qenë respektuar plotësisht. Sistemi politik u transformua në një sulltanat pas vdekjes së Aliut, kalifit të katërt, për shkak të konflikteve të brendshme dhe të kushteve të përgjithshme në atë kohë. Ndryshe nga kalifati, pushteti i sulltanatit pati kaluar përmes familjes së sulltanit. Ndonëse zgjedhjet e lira nuk ishin mbajtur për një kohë të gjatë, shoqëria u përmbahej parimeve të tjera që gjenden sot në thelbin e demokracive liberale.

Islami është një fe përfshirëse. Ai është bazuar në besimin në një Zot si Krijuesi, Ushqyesi dhe Administruesi i universit. Islami është një fe për të tërë universin. Kjo do të thotë se mbarë universi u bindet ligjeve të vendosura nga Zoti. Gjithçka në univers është “islame” dhe i bindet Zotit duke iu nënshtruar ligjeve të Tij. Edhe një person që refuzon të besojë në Zot ose që ndjek një tjetër fe, ka për të qenë një musliman me detyrim ngaqë ekzistenca fizike është e interesuar për këtë. E tërë jeta jonë, nga faza embrionale deri tek tretja dhe kthimi i trupit në hi pas vdekjes, çdo ind i muskujve dhe çdo gjymtyrë e trupit ndjekin rrjedhën e caktuar nga ligjet e Zotit. Prandaj në Islam, Zoti, natyra dhe njerëzimi nuk janë as të veçuar dhe as të papranueshëm për njëri-tjetrin. Zoti e bën të njohur

Veten për njerëzimin përmes natyrës dhe vetë krijesës njerëzore dhe natyra dhe njerëzimi janë dy librat (e krijimit) përmes së cilëve çdo fjalë e Zotit është bërë e njohur. Kjo e drejton njerëzimin që ta shohë gjithçka si mall të të njëjtit Zot, të cilit ata vetë i përkasin dhe, për pasojë, duke mos vlerësuar asgjë në univers si të huaj. Pëlqimi, dashuria dhe thirrja e Tij nuk kufizohen në popujt e një race, ngjyre apo etnie të veçantë. Profeti e përmbledh këtë me porosinë: “O shërbëtorë të Zotit, jini vëllezër (dhe motra)!”

Një aspekt i veçantë por po aq i rëndësishëm është që Islami i njeh të gjitha fetë që kanë ardhur para tij. Ai i pranon që të gjithë profetët dhe librat e shenjtë që u dërguan për popuj të ndryshëm në epoka të ndryshme të historisë. Jo vetëm i pranon ato, por gjithashtu e vlerëson besimin tek ato si një princip esencial për të qenët musliman. Në këtë mënyrë, Islami pohon unitetin thelbësor të të gjitha feve. Një musliman është, në të njëjtën kohë, një ndjekës besnik i Abrahamit, Moisiut dhe Davidit, i të gjithë profetëve të tjerë hebrej dhe i Jezusit. Ky besim shpjegon pse krishterët dhe çifutët u janë gëzuar të drejtave të tyre fetare që burojnë nga sundimi i qeverisjeve Islame përgjatë historisë!

Sistemi shoqëror islam kërkon të formojë një shoqëri të virtytshme dhe, si rrjedhim, të fitojë pëlqimin e Zotit. Ai njeh të drejtën dhe jo forcën në themel të jetës shoqërore. Armiqësia është e papranueshme.

Marrëdhëniet duhet të bazohen në besim, dashuri, respekt reciprok, ndihmë dhe në mirëkuptim në vend të konflikteve dhe kërkimit të interesave personale. Edukimi shoqëror i nxit njerëzit të jenë në kërkim të idealeve të larta dhe të përpiqen për t’u përsosur, jo vetëm për të vrapuar pas dëshirave të tyre. Thirrjet e mbështetura në bashkimin dhe ndershmërinë sjellin ndihmë të ndërsjelltë dhe solidaritet dhe besimi siguron vëllazërinë. Duke inkurajuar shpirtin të arrijë përsosmërinë, sjellim lumturinë në të dy botët.

Demokracia ka përparuar së bashku me kohën. Ashtu siç ka përshkuar stade të ndryshme në të kaluarën, ajo do të vazhdojë të evoluojë dhe të përmirësohet edhe në të ardhmen. Gjatë rrugës, ajo do të jetë shndërruar në një sistem më të drejtë dhe human bazuar në drejtësinë dhe realitetin. Nëse krijesat njerëzore janë konsideruar si një e tërë, pa shpërfillur dimensionin dhe nevojat shpirtërore të ekzistencës së tyre dhe pa harruar që jeta njerëzore nuk është e kufizuar me këtë jetë të vdekshme dhe që të gjithë njerëzit lakmojnë amshimin, demokracia mund të arrijë kulmin e perfeksionit dhe të sjellë edhe më shumë lumturi për njerëzimin. Parimet islame të barazisë, tolerancës dhe drejtësisë mund ta ndihmojnë atë për ta arritur saktësisht këtë.


[1] el-Dejlemi, el-Firdeus, 133-38.
[2] Fragment nga hutbeja (ligjërata) e lamtumirës e profetit Muhammed mbajtur në haxhin e tij të lamtumirës para mëse njëqind mijë muslimanëve.
[3] shih. Karl R. Popper, The Poverty of Historicism, përkth. Sabri Orman, Istanbul, Insan Yayinlari, 1985.
[4] el-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 6:89.

Postime të ngashme