Nevoja për ripërtëritje
Vetë-ripërtëritja është kushti themelor për të mbijetuar. Ata që nuk arrijnë të përtërijnë vetveten, shpejt apo vonë, do të ndodhen para asgjësimit, sado të fortë e të fuqishëm qofshin. Çdo gjë jeton dhe vazhdon të jetojë, nëpërmjet përpjekjeve për ripërtëritje. Kur ripërtëritja ndërpritet, ashtu siç ndosh në një kufomë, atëherë zë vend dekompozimi.
Toka ku ne jetojmë është një pasqyrë e qartë e imazheve të mrekullueshme të ripërtëritjes. Njeriu, gjithashtu, si çdo krijesë tjetër përpiqet të vetë-ripërtërihet qoftë si individ ashtu edhe kolektivisht. Sa më shumë bashkësitë dhe shoqëritë do ta ripërtërijnë vetveten në mendime dhe në shpirt, aq më të afta do të jenë ato për të mbajtur mbi shpatulla përgjegjësitë. Kjo arrihet nëpërmjet ndriçimit të shkencave me dritën e besimit, duke zbatuar shkencën me urtësi dhe besim, duke përcjellë mesazhin e domosdoshmërisë së ripërtëritjes te të gjithë njerëzit.
Vetë-ripërtëritja nuk duhet parë si një kozmetikë, për të mbuluar të metat tona. Ripërtëritja e vërtetë, synon të arrijë nivelet më të larta e më të dëlira të veprimit. Ajo mbron pastërtinë e farës së rrënjës. Vetëripërtëritja është ripërtëritje e shpirtit dhe jetës shpirtërore.
Profeti Muhamed (a.s) ka thënë: “Sikurse rrobat edhe besimi vjetërohet, pra përtërijeni atë përmes lutjeve ndaj Allahut të Madhëruar.”
Një njeri që ka ripërtërirë me sukses vetveten, përbën një mbështetje të qëndrueshme për mirëqenien e bashkësisë. Një shoqëri që ka shumë individë të tillë bëhet një element i rëndësishëm në ekuilibrin e botës.