Nevoja për fe në pikëpamjen shpirtërore, morale, juridike e shoqërore
Po të shfletojmë faqet e historisë së jetës së popujve, nuk ndeshemi në asnjë periudhë ku populli të mos ketë qenë i ushqyer me ndjenja fetare. Sado larg që të shkojmë në të kaluarën e njeriut, në periudhat e qytetërimit të tij, si dhe në etapat e nivelit më të ulët të zhvillimit të tij shoqëror, gjithnjë do të hasim në gjurmët e mendimit fetar. Bashkëveprimi ndërmjet fesë dhe shoqërisë ka qenë gjithmonë ndër temat kryesore, dhe pyetjet që vënë në dyshim efektin e fesë ë jetën shoqërore kanë qenë fushat kryesore të interesit të shkencëtarëve. Cila është marrëdhënia midis fesë dhe shoqërisë? A ndikon feja në shoqëri, apo ndikon shoqëria në fe? Ç’vënd zë feja në jetën e përditshme? A ka një rol feja në ngritjen dhe zhvillimin e shoqërive? Duke iu dhënë përgjigje këtyre pyetjeve kanë arritur në përfundimin se feja dhe shoqëria janë në marrëdhënie ndërveprimi ndërmjet njëra-tjetrës. Feja, si një sistem besimi që përpiqet t’i përgjigjet pyetjeve rreth natyrës së qenies njerëzore dhe burimit të ekzistencës së saj me konceptin e Zotit; luan një rol shumë të rëndësishëm si përcaktuese dhe udhëzuese në jetën e përditshme.
Sipas sociologëve hollandezë Van Baal dhe Van Beek; “feja është një sistem i simboleve që njerëzit vijnë në kontakt me mjedisin ku jetojnë duke ofruar një mundësi për të zhdukur ndjenjën e vetmisë dhe nevojës si një pasojë e pashmangshme e paaftësisë së tyre për të zgjidhur problemet e tyre.” Sipas këtyre dy studiuesve, të gjitha fetë e transformojnë jetën kaotike të njeriut në kozmos dhe i japin një kuptim të ri duke e bërë atë të rregullt. Këtu shihet se feja ka më shumë dimensione simbolike dhe kuptim për njeriun.Prandaj feja, e cila është përvoja e shenjtë, tenton të formësojë jetën e përditshme shoqërore duke hyrë në qoshet më të fshehta të shpirtit njerëzor, paraqet një botëkuptim dhe perceptim unik për besimtarët. Në teori, feja, e cila përcakton normat e jetës shoqërore në shoqëri, depërton në shoqërinë që ka ekzistuar për një kohë të gjatë dhe e vendos atë brenda rregullave hyjnore. Në këtë kuptim, feja gjithmonë ka pasur fuqinë për të drejtuar shoqërinë dhe për ta ndryshuar dhe zhvilluar atë brenda kuadrit
të kuptimit të saj. Feja ka qenë burim i vlerave të reja në shoqëri dhe ka vazhduar funksionimin e saj si faktori kryesor në fenomenin e ndryshimeve shoqërore.
Njeriu është, sipas natyrës, me predispozicion fetar dhe vlerat fetare janë të skalitura në brendësinë më të thellë të aparatit të tij psiqik. Asnjë njeri nuk është krejtësisht pa besim, vetëm se disa njerëz kanë ndjenja fetare negative, çka është edhe një argument për nevojën e tij natyrore. Nevoja për fenë është e rrënjosur në themelet e ekzistencës së gjinisë njerëzore. Njeriu ka nevojë jo vetëm për sistem mendor, por edhe për një objekt besimi, i cili i jep kuptim ekzistencës dhe pozitës së tij në botë. Nuk është njeri i plotë, ai që nuk ndalet në jetë, të paktën për një moment e të pyes: “Ç’është esenca e jetës? Kush jam unë? Nga vij dhe ku do të shkoj? Cili është fati im? Ç’kuptim ka dhembja e vuajtja? Ç’është qëllimi dhe kuptimi i ekzistencës? Në këto pyetje dhe shumë të tjera të ngjashme që i interesojnë njeriut, përgjigjet feja e cila është e vetmja ‘shkencë’ që nuk dështon përballë çdo zhvillimi të ditëve të sotme.
Feja ia tregon njeriut natyrën dhe karakterin e tij, nga ka ardhur dhe ku do të shkojë, ia mëson qëllimin përse ai ka ardhur në këtë botë. Ia tregon detyrat e robërisë ndaj Krijuesit të vet dhe detyrat njerëzore ndaj krijesave të tjera që gjenden rreth tij. Feja është faktori më i madh që i nxit njerëzit në ndihmë reciproke e në bashkëjetesë, është faktori më i madh i cili në shoqëri siguron dhe mbjell moralin e bukur dhe drejtësinë sociale. Ndjenja fetare dhe frikë-respekti ndaj Zotit, gjithnjë e mbikëqyrin njeriun dhe e mbrojnë atë nga veprat dhe sjelljet e këqija dhe e çojnë drejt të mirës e të bukurës. Edhe përkundër të gjitha llojeve të kushteve dhe mundësive teknike që i ka sot njeriu bashkëkohor, për fat të keq, tensionet dhe jorehatitë fizike e psiqike shtohen çdo ditë e më shumë. Përdorimi i drogës, konsumimi i alkoolit, problemet dhe krizat brenda familjeve, vetëvrasjet, dhuna, lufta dhe agresioni, plaçkitja, e të tjera dukuri negative, në masë të madhe dhe thellë-thellë po ndikojnë në shëndetin shpirtëror dhe psikologjik të shoqërisë dhe më kryesisht tek zemra e shoqërisë që janë të rinjtë. Të gjitha këto, duam apo nuk duam ta pranojmë, vijnë si pasojë e largimit në masë të madhe të njeriut bashkëkohor nga vlerat e besimit dhe nga mosrespektimi dhe mosaplikimi i mesazhit a porosisë hyjnore të përmbledhur në Kur’anin Famëlartë, e cila i jep frymë dhe jetë shoqërisë dhe individëve të saj. Ndërkaq, synimi i fesë islame është që të krijojë e prodhojë breza e shoqëri të pastra e të dëlira dhe të brumosura me besim e shkencë.
Feja pra, është hallka kryesore, përkatësisht faktori më ekuilibrues në jetën e individit dhe në jetën e shoqërisë në përgjithësi. Ajo është identiteti më madhështor i njeriut si vazhdimësi e shpirtit, ndërsa njohja është e drejta më e madhe e njeriut si kërkesë për liri. Feja lidh kalueshmërinë me jo-kalueshmërinë, të kufishmën me të Pakufishmen, jetën me Përjetshmërinë, përkatësisht idealin me njëmendësinë, njeriun me Zotin.