Namazi i teravive

Namazi i teravive është një lloj namazi i veçantë për muajin e Ramazanit, i cili falet pas namazit të jatsisë si namaz sunet-i muekede. Profeti ynë i Nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) ua ka drejtuar sahabëve faljen e teravive për disa net me radhë, pastaj i shqetësuar se myslimanët mund të mos kenë fuqi për t’ia dalë faljes së tyre bashkë me Të, ka zgjedhur faljen e tyre vetëm. Por i ka nxitur sahabët drejt këtij namazi duke i këshilluar: “Kush i kalon netët e agjërimit me adhurime duke e shpresuar shpërblimin vetëmse nga Allahu, atij i falen të gjitha mëkatet e shkuara.”

Më vonë, në periudhën e kalifatit të tij, Omeri i nderuar pati menduar se falja e këtij namazi me xhemat në xhami do t’i nxiste njerëzit më shumë drejt këtij namazi, pati caktuar disa nga sahabët që të shërbenin si imamë për faljen e teravive në bashkësi. Domethënë themeluesi këtij zakoni të bukur në çdo anë të botës islame është Profeti ynë (paqja qoftë mbi Të), ndërsa shkaku i vazhdimësisë dhe përhapjes së saj është Omeri i nderuar (radijallahu anh).

Një besimtar, krahas faljes së pesë kohëve të namazit, duhet të bëjë përpjekje që të falë edhe namazet e tjera që janë nafile. E thënë me fjalët e hadithit, kur të ngrihet peshorja matanë, nëse namazet e detyruara të robit janë të mangëta, Allahu do të thotë: “Shikoni, a ka namaze nafile robi im? Merrini dhe mbushini me nafile-t boshllëkun e krijuar nga mungesa e farz-eve!”

Një çështje tjetër, mbi të cilën lipset të ndalet është edhe ajo që numri i rekateve të namazit të teravive është po njëzet, pikërisht sa ç’është edhe numri i rekateve të pesë namazeve të një dite gjithsej. Njësoj si namazet sunete që ekzistojnë mes namazeve të detyruara të një dite, njëzet rekatet e namazit të teravive mund të shikohen si plotësuese të mangësive në ato që janë të detyruara. Nëse ka diçka të metë e të mangët në namazet e detyruara; i kemi falur namazet të përhumbur; kemi lënë diçka të mangët në abdesin e marrë… këto do të arnohen e mbështillen me namazet sunet dhe nafile, dhe edhe kjo e ka burimin te thellësia e mëshirës së Allahut të Madhërishëm.

Falja e namazit të teravive me bashkësi është shumë e rëndësishme edhe për bashkëveprimin në çështjet që kanë të bëjnë me amshimin. Falja e tij duke dhënë selam në çdo dy rekate është më i virtytshmi. Mes tyre mund të lexohen edhe lutje të ndryshme, si Xheusheni, Esmau’l- Husna, dhe Hizbul-hasinapo Hizbu’l-masun.

Dijetarët kanë theksuar se falja e namazit të teravive duke e bërë Kuranin hatme të paktën njëherë gjatë muajit është sunet, ndërsa falja e tij duke e bërë më hatme më shumë se një herë është virtyt. Të parët tanë të mirë, ose e kanë kënduar vetë të gjithë Kuranin nga fillimi deri në fund, ose kanë falur namaz pas dikujt që e ka kënduar me hatme atë.

Kur falet namazi i teravive, qoftë duke u kënduar suret e shkurtra, qoftë duke u bërë hatme, e qenësishme është që ato që këndohen të këndohen me saktësi dhe namazi të falet sipas të gjithë mënyrës së përsosur të faljes së tij. Përndryshe, këndimi i ajeteve shumë shpejt, sikur të jesh duke garuar me kohën, apo ulja në ruku dhe në sexhde sikur do që t’i heqësh qafe një orë e më parë, nuk janë kurrsesi të drejta dhe mund të konsiderohen edhe si mungesë respekti ndaj shpirtit të namazit. Besimtarët duhet të tregohen më se të matur në këtë çështje; duhet ta shohin edhe namazin e teravive si të gjitha adhurimet dhe namazet e tjera, ta konsiderojnë atë si një kafshë transporti shpirtëror në rrugën e afrimit me Allahun dhe ta pranojnë atë si një mënyrë mjaft të mirë për t’u afruar me Allahun. Për rrjedhojë, ne duhet ta vlerësojmë më së miri këtë mundësi që Zoti na e ka falur si mirësi, dhe të mos i falim sa për të kaluar radhën ato rekate, por duke i përmbushur siç duhet.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: