Musai a.s dhe shoku i tij në xhenet

Një ditë në lutjet e tij, Musai a.s., i lutet Allahut t’i tregojë shokun e tij në xhenet. Allahu me anë të frymëzimit ja tregon shokun se kush ishte.

– O Musa! Shoku yt është filani, në filan qytet në filan pazar, me këtë pamje.

Musai a.s., niset menjëherë për rrugë për të gjetur shokun e tij, kur e gjen shikon se ai ishte një kasap i cili kishte një dyqan mishi, kështu që ulet një farë kohe përballë dyqanit, për ta parë dhe njohur se çfarë personi ishte shoku i tij. Por shikon se ai ishte një person mizor, i cili bënte padrejtësi duke i mashtruar njerëzit në peshë.

Për një moment Musai a.s., fillon të mendojë se ky nuk mund të jetë shoku i tij, mos ndoshta e ka ngatërruar. Në ato momente i vjen Xhebraili dhe i thotë se ai ishte shoku i tij.  Musai a.s., pret përballë dyqanit deri në mbrëmje, që ai të mbyllë dyqanin. Kasapi merr një copë mish në një torbë, e mbyll dyqanin dhe niset për në shtëpi.

Musai a.s e pyet:

– O kasap a më pranon mua sonte si mysafir?

Kasapi i thotë:

– Urdhëroni! Nuk kam parë mysafir më të dashur se ju, është një nder për mua t’ju shërbej sonte.

Nisen për në shtëpi, pasi arrijnë futen brenda dhe kasapi përgatit ushqimin, ja servir atë mysafirit dhe i thotë:

– Nëse dëshiron mund të vazhdosh, po nëse thua që do të hamë bashkë atëherë duhet të presësh pak, sepse unë kam një punë të vogël, sa të kryej atë kthehem menjëherë.

Merr mishin që kishte sjellë nga dyqani, e gatuan mirë e mirë dhe nis të ushqejë një grua trupvogël dhe të dobët. Gruaja ngopet dhe nuk kërkon më të hajë, pastaj ai e pastron gruan dhe e dërgon në vendin e saj.

Kthehet përsëri te Musai a.s dhe pasi i kërkon të falur për vonesën nisin të hanin darkë sëbashku. Musai a.s kishte parë që gruaja gjatë ngrënies së ushqimit nis t’i thotë diçka në vesh djali dhe kjo gjë e bëri kureshtar.

– A mos është nëna jote ajo? E pyet Musai a.s.

– Po nëna ime është, ajo është shumë e sëmurë dhe prekur nga pleqëria, gjithmonë pasi kthehem nga dyqani kujdesem dhe i shërbej asaj. I përgjigjet.

– Kur po hante ushqim, po të pëshpëriste diçka, a i kuptohet çfarë flet? E pyet Musai a.s.

– Po i kuptohet, gjithmonë pasi e ushqej ajo lutet për mua, thotë: ‘O Zot bëje djalin tim shok në xhenet me Musain.’

– Përgëzime për ty! Lutja e nënës tënde është pranuar nga Allahu. Unë jam Musai dhe kam ardhur këtu pasi Allahu më tregoi për ty.

Personi u gëzua shumë nga kjo gjë, u pendua për gjynahet dhe gabimet e tij dhe i kthehet adhurimeve me një përkushtim të madh. Ai u bë pjesë e njerëzve të devotshëm dhe punëmirë për shkak të shërbimit që i bëri nënës së tij të sëmurë.

 

Përktheu: Marius Tafani

© URTËSI.AL

 

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: