HAXHI- PËSHKRIMI DHE RËNDËSIA

Haxhi ka kuptimin e të synuarit, të orientuarit. Sidoqoftë, nuk është e saktë që kjo të merret në kuptimin e synimit absolut apo të drejtimit abstrakt. Haxh quhet të vizituarit e një numri vendesh të caktuara brenda një hapësire kohore të caktuar sipas disa rregullave të caktuara; çka pohohet se përkon, në ditë të caktuara të vitit, pas hyrjes në ihram me nijetin e kryerjes së haxhit, me të ndalurit në Arafat dhe me të kryerit e tavafit në Qabe. Ihrami është kusht i haxhit, ndërsa të ndalurit dhe tavafi janë ruknet e tij. Riteve që kryhen në haxh, me një shprehje të përgjithshme, u thuhet “menasik”, ndërsa ai që e zbaton këtë ritual quhet “haxhi”. Haxhi, si një ndër pesë kushtet themelore të Islamit, është caktuar si farz në vitin 9 të hixhretit. Të qenit e haxhit farz është bërë i ditur në Kuranin fisnik dhe në sunet. Në lidhje më këtë konkludim, myslimanët janë në njëmendje (ixhma). Në Kuran është urdhëruar e thënë: “Vizita e Shtëpisë së Allahut, për këdo që ka mundësi, është e drejtë e Allahut ndaj tij.” (Ali Imran 3/97) Profeti ynë paqja qoftë mbi Të në një hadith na ka urdhëruar: “Pa dyshim, Allahu jua ka bërë detyrim haxhin, ndaj kryejeni atë.” Ndërsa një tjetër hadith pohon: “Islami ngrihet mbi pesë shtylla. Këto janë: të dëshmosh se nuk ka tjetër hyjni përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, të falësh namazin, të mbash agjërimin, të japësh zekatin dhe të kryesh haxhin.” Kështu, Profeti e ka cilësuar haxhin si një ndër pesë kushtet themelore të Islamit dhe ka treguar personalisht në mënyrë praktike se si duhet bërë ai. Kur Profeti ynë paqja qoftë mbi Të u bëri të ditur sahabëve fisnikë bërjen farz të haxhit, njëri prej tyre pyeti: “Çdo vit?” Profeti heshti. Kur kjo pyetje u përsërit tri herë, ai u përgjigj: “Nëse do të thosha po, haxhi do t’ju bëhej i detyruar për çdo vit dhe ju për këtë nuk do të kishit mundësi.” Në transmetimin e këtij hadithi përmes ibn Abasit (r.a.), në fund të rivajetit shtohet kjo shprehje: “Për këdo që kryen më shumë se një haxh, kjo është nafile.” Çdo mysliman, qoftë burrë apo grua, që plotëson kushtet përkatëse, pra që ka mundësitë shëndetësore dhe financiare për të kryer haxhin, të paktën një herë në jetën e tij duhet ta çojë në vend këtë detyrim. Riti i haxhit, sapo të krijohen mundësitë, duhet të përmbushet pa vonesë. Çdo mysliman që e ka kryer haxhin një herë në jetën e tij, llogaritet ta ketë kryer këtë detyrim. Kryerja e haxhit pa u vonuar, krahas ajeteve përkatëse që shërbejnë si argument, theksohet edhe prej këtyre haditheve: “Nxitoni të shkoni në haxh, sepse askush prej jush nuk mund ta dijë se kur do t’i vijë vdekja.” Rituali i haxhit, në formën e tij të njohur, është një ibadet që na mbërrin që nga koha e Ibrahimit (a.s.). Kurani fisnik, në ajetet 22/27–28 të sures “Haxh”, bën fjalë për haxhin e Ibrahimit, për thirrjen e drejtuar prej tij njerëzve për të marrë pjesë në haxh, për historinë e Qabesë e të riteve të haxhit.

Postime të ngashme