Më i miri ndër ju…
Kur’ani është drita hyjnore me të cilën u ndriçua njerëzimi që para shumë shekujsh. Është manuali më i saktë që e orienton njeriun kah e mira dhe që shpjegon çdo gjë të fshehtë e të dukshme. Kur’ani u bë dritë ndriçuese jo vetëm në kohën e tij më të artë, por ai vazhdon edhe sot të jetë margaritari mëi çmuar për zemrat e pastra dhe të sinqerta që rrezatojnë në mënyrën më të rregullt dhe të qartë bukurinë e Islamit.
Allahu zbriti si mesazh të parë “Ikra” pra “Lexo”, që përbën ndriçimin e mendjes së njeriut. Kur’ani zbriti si dritë ndriçuese për shpellën Hira mbi malin e Dritës, si orientues dhe gurë kilometrik në rrugën e dritës, i dërguar njeriut më të ndritur, u transformua në pishtar ndriçues për të gjithë kohërat dhe për gjithë njerëzimin. Kjo sepse zemrat që u ndriçuan me të, u bënë më të buta, mendjet mbi të cilat rrezatoi ai u bënë më të afta dhe njerëzit që u zbukuruan me dritën e Tij, u ngritën në horizontet më të larta qiellore.
Kur’ani, përveçse një manual orientues për njerëzimin, është kreu i dijes së shëndoshë dhe i mendimit të shëndoshë; gjithashtu është baza e shprehjes së drejtë dhe e deklaratës logjike. Bashkëbiseduesi i tij i parë është Vula e Profetësisë, Muhamedi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të), kurse ai vetë, diferencuesi i shquar i të vërtetës nga gënjeshtra, është mbreti i të gjithë librave qiellorë e joqiellorë.
Po, Kur’ani ka parashtruar një këndvështrim të veçantë me një stil jashtëzakonisht të qëlluar për të vërtetën e gjithësisë, materies dhe njeriut, një këndvështrim me të cilin ai i trajton si një të tërë ekzistencën dhe njeriun brenda ekzistencës dhe e vendos çdo gjë në vendin e vet pa nënvlerësuar dhe lënë mënjanë asnjë pikë madje.
Në periudhën e parë kur Kur’ani e nderoi faqen e tokës me ardhjen e tij, ushtroi një ndikim aq të papërfytyrueshëm si në shpirtra, ashtu dhe në mendje e zemra, saqë përsosmëria e brezave të rizgjuar në jetë nën atmosferën e tij prej drite është një mrekulli në përmasa që s’lënë nevojë për mrekulli të tjera mbi të dhe, gjithashtu, është e pamundur të gjenden të ngjashmit e atyre njerëzve përsa u përket besimit, fesë, horizontit të mendimit, moralit, si dhe njohjes dhe ndjerjes prej tyre të enigmës së pozitës së robit ndaj Allahut dhe adhurimit ndaj Tij! Ç’është e vërteta, në atë periudhë, Kur’ani përgatiti një brez të tillë me emrin “sahabe”. Prandaj dhe ne e quajmë sot brezi i të ndriturve.
Nuk është një befasi që ai brez të arrinte horizonte të tilla shpirtërore, sepse përkushtimi që ata kishin në leximin e Kur’anit dhe të pasurit në krye Mësuesin e Mësuesve, të Dërguarin e Allahut e bënte shumë më të lehtë çështjen. Atëherë kjo na e bën më të lehtë të arrijmë në një konkluzion se, nëse duam të jemi prej njerëzve të klasifikuar si të mirë, duhet t’i përkushtohemi kësaj rruge që i ka dhënë provat e saj që para qindra vitesh dhe sot vazhdon të jetë po aq e suksesshme sa në kohërat e para.
Përkushtimi i ndaj Kur’anit është një prej veprave më të rëndësishme dhe më të pëlqyera nga Allahu i Lartësuar. Ajo është lavdëruar në shumë ajete kuranore si dhe nga Profeti a.s. në hadithet e tij plot urtësi. Allahu i Lartësuar na ka urdhëruar për të lexuar Kur’anin, të meditojmë dhe të punojmë sipas porosive të tij. Atyre që e lexojnë Kur’anin ashtu siç duhet lexuar, u ka premtuar një shpërblim të madh, kur thotë: “Ata të cilët e lexojnë librin e Allahut, e falin namazin dhe dhurojnë në fshehtësi dhe haptazi nga ajo që i kemi furnizuar, ata kërkojnë një tregti që nuk shteron. Kështu që Allahu t’i shpërblejë për atë ç’kanë vepruar dhe t’u shtojë nga mirësia e Tij. Ai është Falës dhe Falenderues”. Ndërsa i Dërguari i Allahut në një hadith të transmetuar nga Osman bin Affani r.a. thotë kështu: “Më i miri prej jush është ai i cili e mëson Kur’anin me të gjitha hollësitë e tij dhe pastaj ua mëson të tjerëve”.
Pa dyshim se njeriu i cili lexon, kupton dhe mediton mbi Kur’anin përvetëson mësimet e sakta me të cilat ai orientohet kah punëve të mira dhe kështu transformohet në një individ që vepron vetëm të mirën. Ai bëhet njeriu i besueshëm dhe i zgjedhur në shoqëri, aq sa gjen një pëlqim dhe pranim nga çdo person me të cilin takohet. Kjo është edhe zanafilla e rregullimit të të gjitha problemeve të shoqërisë. Pra, individi i shëndoshë sjell automatikisht dhe shoqërinë pa probleme. Profeti e tregon kështu gjendjen e besimtarit që i përkushtohet leximit të Kur’anit dhe atij që e neglizhon: “Shembulli i besimtarit që lexon Kur’an është si shembulli i qitros, era dhe shija e saj është e mirë. Ndërsa shembulli i besimtarit që nuk lexon Kur’an, është si shembulli i hurmës arabe, ajo nuk ka aromë, por shija e saj është e ëmbël…”
Për shkak të epokës ku jetojmë dhe falë zhvillimit të vrullshëm teknologjik, mendja e njeriut pothuajse është e fokusuar e gjitha mbi materialen. E fokusuar në fitime, në shit-blerje, interesa, veshje, ndërtime dhe ka shumë njerëz që kanë arritur në atë pikë që, edhe pse falen dhe agjërojnë, mundohen të gjejnë një lidhje interesash me adhurimet. Ndërsa një besimtar i mirë, largpamës, duhet të mësojë t’i bëjë balancën këtyre dy gjërave dhe duke qenë se 23 orë nga 24 orëshi ynë është pothuajse larg marrëdhënies sonë me të Vërtetin, duhet patjetër të shfrytëzojmë rastet që na paraqet Allahu xh.sh. për të riforcuar lidhjet me Të, për t’u Dashuruar edhe një herë me Madhështinë e Tij, Cilësitë e Tij.
Një nga këto mundësi që do të flasim sot, janë edhe 3 muajt e mirë që po na afrohen, Rexheb, Shaban e Ramazan. Njeriu e ka gjithmonë nevojën e një pikënisjeje ose një shtyse. Kështu që, tre muajt janë shumë domethënës për këtë psikologji të njeriut. Krahas shtimit të adhurimit dhe veprave të mira gjatë këtyre muajve, është një rast i mirë për të filluar një jetë të re me Kur’anin. Na bën përshtypje jeta e të Dërguarit të Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) dhe jeta e njerëzve të tij më të afërt, sahabet e nderuar (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre). Ata ishin shumë larg aktualitetit tonë. Edhe pse në netët e tyre nuk mungonte namazi i tehexhudit, nuk mungonin agjërimet nafile, nuk mungonin namazet e falura gjatë, nuk mungonin asnjëherë leximet e Kur’anit ditë e natë, hatmet të cilat përfundonin në 2-3 ditë, kur vinte puna te muajt e mirë, i konsideronin sikur po vinte ramazani. Pothuajse Ramazani i tyre ishte 3 muaj. Në të dy sahihët përcillet nga Ibn Abbasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) të ketë thënë: “I Dërguari i Zotit a.s. ishte njeriu më bujar. Bujaria e tij arrinte kulmin gjatë ramazanit, kur takohej me Xhibrilin dhe e përsërisnin së bashku Kur’anin. Xhibrili e takonte atë për çdo natë të ramazanit dhe i lexonte Kur’an. Kur takohej me Xhibrilin ishte më zemërgjerë në mirësi se një erë e lehtë (të cilën e sjell Allahu si lajmëtare të shiut)”
Në një hadith tjetër Profeti a.s. thotë kështu: “Tri kategori njerëzish Allahu i dashuron: Ai që zgjohet natën dhe lexon librin e Allahut. Ai që kur jep me dorën e djathtë nuk e kupton as dora e majtë. Ai që, në kohë lufte, edhe pse shokët e tij janë të shpërndarë duke u larguar nga aty, ai qëndron, nuk kthehet dhe lufton i vetëm me armikun”
Sigurisht që kur themi “lexim Kur’ani” nuk e kemi fjalën për një lexim sipërfaqësor, por të thelluar, të menduar, po aq sa të qartë, të saktë, të kuptueshëm e të bukur nga ana jonë. Stina e këtyre tre muajve është më e mira për t’u fokusuar në leximin e Kur’anit.
Atëherë le t’i përkushtohemi Kur’anit, ndërkohë që po trokasim ne derën e këtyre ditëve të shënuara për ne dhe ta forcojmë akoma më tepër lidhjen, përkushtimin dhe shoqërinë me të. Sepse kjo do të ishte mënyra për t’u bërë më i miri ndër besimtarë dhë më i dashuri për Allahun xh.sh.
Nga Lauren Luli