Mbështetja tek Allahu, çelësi i lumturisë
Një nga cilësitë më të veçanta të Profetit tonë të dashur ishte mbështetja e thellë që ai kishte tek Allahu. Këtë ndjenjë të bukur ai ua mësoi edhe atyre që kishte pranë vetes, duke i kthyer ata në një bashkësi shpresëplotë dhe të vendosur në çdo sferë të jetës. Mënyra se si i Dërguari i Allahut e ruante balancën ndërmjet mbështetjes tek Allahu dhe kapjes pas shkaqeve është vërtet për t’u mahnitur. Ai nuk hodhi poshtë asnjërën prej tyre, përkundrazi vendosi balancën ideale.
Kurrë në jetën e tij nuk propagandoi që besimtari të jetë i verbër ndaj shkaqeve, por as edhe t’i neglizhojë ato në një mënyrë apo në një tjetër. Shpjegimi është si në vijim: “Respektoji shkaqet që Zoti ka vendosur në krijim, sepse ato janë vepër e Tij dhe ndjekje e ligjeve të Tij. Asnjëherë mos harro që është vetëm Allahu Ai që u jep ndikim shkaqeve. Në kushte normale ato japin rezultat në bazë të ligjeve të vendosura, por nëse do Allahu, ky rezultat mund edhe të ndryshojë. Së fundmi, besimtari duhet të jetë i kënaqur me rezultatet e krijuara nga Allahu.”
Profeti (a.s) e shpreh shumë bukur në një hadith realitetin e mbështetjes tek Allahu. Ai thotë: “Sikur njëmend t’i mbështeteshit Allahut, Ai do t’ju furnizonte ashtu sikurse furnizon zogjtë. Ata gdhihen të uritur dhe ngrysen të ngopur.”
A keni parë ndonjëherë zogj që rrinë në folenë e tyre dhe presin t’ju vijë ushqimi vetvetiu? A keni qenë ndonjëherë në ndonjë mjedis ku jetojnë zogj dhe të mos i shihni ata teksa fluturojnë në qiell dhe kërkojnë ushqimin e tyre? Kjo s’ndodh asnjëherë!
Atëherë mund të themi që tevekkuli është një gjendje e zemrës së njeriut. Ai përjetohet duke qenë i sigurt për ardhjen e furnizimit nga Zoti i Gjithësisë. Jo vetëm kaq, por kemi besim e siguri tek Ai për çdo çështje. Manifestimi i jashtëm i kësaj cilësie tregohet me anë të veprave tona dhe përpjekjes për t’i respektuar të gjitha shkaqet. Mos harro, është Allahu ai që u jep ndikim shkaqeve!