Pavarësia nga krijesat dhe mbështetja tek Allahu (xh.sh)

Shpeshherë jeta e kësaj bote bëhet e vështirë për gjithsecilin prej nesh dhe ne përballemi me sprova të ndryshme. Gjendja fillestare e shumicës prej nesh është që në ato çaste të telefonojmë dikë të afërm, t’i shprehim atij shqetësimin tonë dhe më pas të presim pak mëshirë nga ai person. Por ne duhet të dimë diçka; çdo njeri përballet me sfida në jetë dhe gjithsecili ka nevojë për mëshirë. Ndonjëherë njerëzit lodhen duke na dëgjuar, por vazhdojnë ta bëjnë këtë vetëm për të mos na pikëlluar më tepër.

Ka një derë, e cila është gjithnjë e hapur dhe e gatshme për ta pritur gjithsecilin prej nesh. Ajo është dera e mëshirës së Allahut, e cila ka vend për të gjithë ata që trokasin në të. Ibn Rexheb Hanbeliu ka thënë: “Njerëzit do të shkojnë të trokasin në derën e këtij mbreti dhe në derën e tij mbreti, por ata do të harrojnë që dera e Mbretit të mbretërve është gjithmonë e hapur.” Kjo s’do të thotë që njeriu s’duhet të bashkëpunojë me të tjerët, por ai duhet të dijë që e gjithë çështja qëndron në dorën e Allahut.

Nëse kemi diçka për t’u ankuar nga situatat e ndryshme të jetës sonë, atëherë le ta bëjmë këtë duke i ngritur duart lart nga qielli dhe duke pritur përgjigje nga Zoti i Gjithësisë. Ndoshta të gjitha këto sprova janë që ti t’i ngresh duart drejt Tij dhe të kërkosh nga Ai gjithçka që ke nevojë. Nëse njerëzit do të mërziten dhe lodhen nga kërkesat tona të shumta, shembulli me Allahun është tërësisht ndryshe. Ai pëlqen dhe do që robi i Tij t’i lutet vetëm Atij. I Dërguari i Allahut (s.a.s) ka thënë: “Allahu zemërohet me atë i cili nuk i lutet Atij.”

Sigurisht, të fitosh pavarësinë nga njerëzit është një gradë e lartë dhe e vështirë për t’u arritur. Të fitosh pavarësinë e tyre do të thotë që çdo gjë ta bësh me punën, përpjekjen tënde dhe për çdo nevojë t’i lutesh vetëm Allahut. Ebu Bekri (r.a) ka thënë: “I dhashë besën të Dërguarit të Allahut që s’do të kërkoja asgjë nga askush.” Ai kishte vendosur që të mos kërkonte, por vetëm të ndihmonte dhe t’i dhuronte diçka të tjerëve. Ai ishte bërë pjesë e lëvdatës; ‘dora që jep është më e mirë sesa ajo që merr’ dhe si i tillë e kishte vazhduar të gjithë jetën e tij.

Të kërkosh vetëm nga Allahu do të thotë të jesh i bindur se çdo gjë vjen vetëm prej Tij. Që ta arrish këtë gjë sigurisht që duhet të kesh një lidhje të fort shpirtërore me Zotin tënd. Për ta kuptuar më qartë këtë koncept le të përmendim një Hadith Kudsi, ku Xhebraili (a.s) zbret për t’i transmetuar Profetit (a.s) fjalët e Allahut (xh.sh). Ai i tha: “O Muhamed! Jeto sa të duash, por dije se një ditë do të vdesësh. Duaj kë të duash, por dije se një ditë do të ndahesh prej tij. Vepro çfarë të duash, por dije se të shpërblehesh për të. Dije mirë se nderi i besimtarit qëndron në të falurit natën dhe dinjiteti i tij është në pavarësinë që ai ka prej njerëzve.”

Le të bashkëpunojmë gjithmonë me njerëzit për punë të mira, por duhet ta dimë që çdo gjë që vjen është prej Allahut. Sa herë që jemi në nevojë, por edhe kur jemi mirë, duhet ta lusim me ngulm Zotin tonë. Që të arrijmë gradën e pavarësisë nga njerëzit duhet të jemi të aftë për të bërë diçka në çështjet e kësaj bote dhe gjithashtu duhet të kemi një lidhje shumë të ngushtë me adhurimet.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: