Llojet e i’tikafit

Disa dijetarë janë të mendimit se praktikisht janë tri lloje të i’tikafit:

  1. I’tikafi i obliguar-vaxhib, që është ai i premtuar (nedhr). P.sh. kur premtohet se: nëse kthehet djali i shtëpisë nga kurbeti, atëherë ky apo ai pjesëtar i familjes do të bëjë i’tikaf për Zotin duke caktuar sasinë e ditëve.
  2. I’tikafi si traditë e vërtetuar – syneti muekede, (disa dijetarë ia shtojnë edhe “alel-kifaje” pra, nëse dikush e bën, të tjerët lirohen nga ai veprim), kur ai kryhet gjatë dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit.
  3. I’tikafi i pëlqyer – mustehab, i cili bëhet gjatë ditëve të tjera jashtë Ramazanit dhe për këtë lloj nuk është detyrim agjërimi, siç është te dy llojet pararendëse.

Personi, i cili qëndron në i’tikaf, mund të dalë nga xhamia vetëm sa për të kryer nevojën fiziologjike, sa për të marrë abdes ose edhe për t’u pastruar, nëse e ka këtë nevojë patjetër. Ai mund të dalë nga xhamia edhe për një arsye sheriatike, siç është falja e xhumasë ose e Bajramit në xhami tjetër, nëse në atë ku është, nuk falen. Në xhaminë në të cilën realisht ka shkuar për të falur namazin e xhumasë, nuk mund të qëndrojë më shumë se ai që fal farzin dhe synetin e xhumasë dhe menjëherë duhet të kthehet në i’tikaf. Në qoftë se del nga izolimi për një kohë të caktuar, pa ndonjë arsye, qoftë edhe vetëm një orë, izolimi prishet. Ngrënia, pirja dhe fjetja gjatë kohës së i’tikaf bëhen brenda xhamisë.

Lidhur me minimumin e qëndrimit në izolim, Ebu Hanifja arsyeton se mjafton një ditë, megjithëse rregulla për izolimin fetar është saktësuar për dhjetë ditë.

Me rastin e izolimit në xhami, duhet bërë kujdes edhe sa vijon:

  • Personit që është në izolim (mu’tekifi) i ndalohet marrëdhënia seksuale me bashkëshorten, puthja ose prekja e saj me epsh. Në Kur’an, Allahu (xh. sh.) urdhëron e thotë:

وَلَا تُبَاشِرُوهُنَّ وَأَنْتُمْ عَاكِفُونَ فِي الْمَسَاجِدِ

  • “…Dhe mos iu afrohuni atyre (bashkëshorteve për të bërë marrëdhënie seksuale) sa kohë që ju jeni duke qëndruar (në i’tikaf) në xhami…”(Bekare: 187).
  • Derdhja e lëngjeve seksuale nuk e prish i’tikafin nëse bëhet vetëm me përfytyrim në ëndërr.
  • Personi që është në izolim (mu’tekifi) duhet patjetër të jetë i pastër nga të qenët xhunub, sepse i’tikafi kryhet duke qëndruar në xhami ku kryhen adhurimet gjatë asaj kohe, ndërkaq të papastrit nuk i lejohet hyrja në xhami, e aq më pak qëndrimi në të ose edhe bërja e adhurimit. Kjo mbështetet në thënien e Profetit a.s.:

وجّهُوا هذهِ البيوتَ عن المسجدِ فإني لا أُحِلّ المسجد لحائضٍ و لا جنبٍ

“Drejtoni këto shtëpi nga xhamia, sepse unë nuk e lejoj xhaminë për atë që është me të përmuajshmet femërore dhe për atë që është i papastër.” (Transmeton Ebu Davudi)

  • Gjatë kohës së qëndrimit në xhami, mu’tekifi (i izoluari) duhet që të kalojë sa më shumë kohë duke bërë adhurim e jo të qëndrojë në xhami vetëm sa për të fjetur, apo me veprime të tilla të zakonshme. Ai, kryesisht, krahas vakteve të rregullta të namazit, duhet të falë sa ma shumë namaz nafile, të lexojë Kur’an, të përsiatë për Allahun, apo të merret me veprimtari të ngjashme.
  • I lejohet mu’tekifit të blejë aq sa i mjafton për të dhe familjen e tij në shitore ose treg, sepse shitblerja në xhami përgjithësisht është vepër e papëlqyeshme (mekruh). Kjo, natyrisht, nëse këtë s’mund ta bëjë ndonjë anëtar tjetër i familjes.
  • Personi që e ka bërë nijet të hyjë në i’tikaf, duhet të hyjë në xhami para perëndimit të diellit të ditës së 20-të të Ramazanit dhe të qëndrojë në të deri pas perëndimit të diellit, natën e Bajramit. Mirëpo, nëse qëndron deri pas faljes së Bajramit, kjo është më me vlerë.
  • I’tikafi nuk do të prishet në qoftë se mu’tekifi detyrohet të kalojë nga një xhami në tjetrën, nëse këtë veprim e bën për shkaqe të arsyeshme.

Postime të ngashme