Çfarë është I’tikafi dhe cilat janë kushtet e tij?

I’tikaf” në aspektin gjuhësor do të thotë: qëndrim, ndalim në një vend, ruajtje, ndejë, vetmim, izolim … Ndërkaq, në aspektin sheriatik, fjala është për qëndrimin dhe ndenien në xhami me qëllim të përkushtimit në adhurim duke qenë agjërueshëm.  Kurse, akif ose mu’tekif quhet personi, i cili qëndron në xhami për të bërë adhurim. I’tikafi gjatë dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit është prej veprave që konsiderohen syneti muekede – i fortë. Në kushte dhe rrethana normale është kështu, ndërkaq, nëse dikush e ka për të përmbushur premtimin e dhënë (nedher), atëherë nuk është më syneti muekede, por vaxhib – detyrim.

Urtësia e izolimit (i’tikafit) është se njeriu, duke iu përkushtuar adhurimit në formën më të përkryer, në të vërtetë, i afrohet Allahut të Gjithëmëshirshëm, tregon praktikisht dashurinë dhe respektin ndaj Krijuesit dhe, natyrisht, e shpreh devotshmërinë ndaj Tij. Duke qenë agjërueshëm dhe duke qëndruar vazhdimisht i pastër në xhami, në të cilën falen pesë kohët e namazit me xhemat, i tretur në adhurim, sikur e lë pas shpine këtë botë me plot telashe e trysni, qoftë edhe për një kohë të shkurtër, shpirti sadopak i pushon. Në këto dhjetë ditë  në veçim (I’tikaf), njeriu duke iu përkushtuar me adhurim Allahut xh. sh. do ta përjetojë edhe Natën e Kadrit, që për të është një fitore shumë e madhe.

I’tikafi më i vlefshëm është ai që bëhet në Qabe (në Mekë), pastaj ai në xhaminë e Profetit a.s. në Medinë, më pas në xhaminë e Aksasë në Kudsi-sherif, kurse në xhamitë e tjera, pa dallim në mes tyre, është i njëjtë.

Personi, i cili hyn në izolim, duhet t’i plotësojë këto kushte:

1. Të jetë mysliman,

2. Të jetë i aftë psikikisht,

3. Ta bëjë nijetin-ta ketë qëllimin e qëndrimit për i’tikaf,

4. Të jetë i pastër nga xhunubllëku (gjendja pas kryerjes së marrëdhënieve seksuale mes burrit dhe gruas).

5. Gruaja të jetë e pastër nga të përmuajshmet femërore dhe nga lehonia, por dhe të ketë marrë leje nga bashkëshorti.

I’tikafi (veçimi) bëhet në xhaminë ku rregullisht falen pesë kohët e namazit me xhemat, xhami në të cilën ka imam të rregullt. Aliu r.a. ka thënë: “Nuk ka i’tikaf përveçse në xhaminë ku falen me imam dhe xhemat – pesë kohët.” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi).  

Kjo vlen për meshkujt, kurse femrat izolimin e bëjnë në vendin ku i falin kohët e namazit në shtëpitë e tyre, natyrisht pa dalë nga shtëpia, përveçse për nevoja personale. Transmetohet nga Aisheja të ketë thënë: “Pejgamberi a.s. e ka bërë i’tikafin gjatë dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit, derisa nuk e ka marrë Allahu tek Ai, e pastaj e kanë bërë bashkëshortet e tij.” (Transmeton Buhariu).

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: