Liria e shprehjes dhe e drejta për të jetuar
“Njerëzimi ka bërë sakrifica të mëdha dhe ka paguar çmime të larta në emër të lirisë”
Liria e shprehjes është një nga kushtet themelore të përparimit të çdo njeriu e shoqërie, ndërsa e drejta për të jetuar është një e drejtë hyjnore e paprekshme. Mes të dyjave nuk mundim të vëmë shenjën e barazisë megjithëse këto të drejta nuk kanë pse të përplasen. Njerëzorja nuk mund ta prekë hyjnoren, ndërsa nga ana tjetër, vetë hyjnorja nuk ka ndërmarrë asnjë akt që mund të dëmtojë njerëzoren.
Liria pa përgjegjësi mund të cenojë shumë liri të tjera dhe kjo është një çështje që kërkon diskutim. Nga ana tjetër, trumbetimi vetëm i lirisë së shprehjes mund të na bëjë të harrojmë të drejta e liri të tjera të rëndësishme po aq sa kjo, apo edhe më tepër ndonjëherë.
Liria e shprehjes padyshim që duhet mbrojtur. Nisur edhe nga pozicioni i gazetarit, jam dyfish për të drejtën dhe mbrojtjen e të shprehurit lirshëm. Por a mjafton kjo? Deri ku duhet të shkojë kjo liri? Sigurisht që çdo gjë e ka një kufi dhe jo çdo kufi mund të shkelet. A mundet liria e shprehjes që të shkelë e nëpërkëmbë nderin dhe dinjitetin e tjetrit, të tallet me vlerat dhe parimet e shenjta, aq më tepër të një populli të tërë? A është kjo ajo që nënkupton liria e shprehjes? Mendoj që jo.
Jam për lirinë e shprehjes, ashtu siç të gjithë e shprehën në rastin e ngjarjeve të fundit në Francë, por mbi ç’mënyrë dhe ç’rrugë duhet mbrojtur ajo, këtu ndahen edhe mendimet e këndvështrimet, megjithëse në këtë rast për mua do të kish qenë me e drejtë të ngriheshim për të mbrojtur të drejtën për të jetuar, pasi ishte ajo që u cenua më shumë sesa liria e shprehjes.
Duke mos dashur ta zbeh rëndësinë e ngjarjes, edhe pse besoj se iu dha gjithë rëndësia e duhur, por nuk do të tregohesha i drejtë nëse nuk do të përmendja raste analoge edhe më të dhimbshme, qoftë edhe pa hyrë në detaje, jo për të justifikuar aktin, por për të thënë se e drejta dhe liria e shprehjes dhe e të jetuarit është njëkohësisht e njëjtë për të gjithë dhe nuk duhet e nuk mund të respektohet me dy standarde.
A e kemi hedhur ndonjëherë shikimin tek ato grupe shoqërore, minoritete, pakica, etni, që nuk gëzojnë as të drejtat më minimale të jetës, dhe besomëni, po të shfletoni pak, apo me një kërkim të shpejtë në Google do të gjeni shumë prej tyre.
Liria e shprehjes vërtet është një etalon, që me të drejtë ne e mbrojmë fuqishëm dhe duhet, ashtu siç është e drejta e besimit, e jetës, etj.
Nëse kemi shkelje dhe pengesë të lirisë së shprehjes ne nuk duhet të heshtim. Por edhe kur kemi cenim të drejtës së besimit dhe fyerje ne nuk duhet të heshtim, nuk duhet të heshtim para çdo shkeljeje.
Ndërsa në një pjesë të globit sot po “luftohet” për mbrojtjen e lirisë së shprehjes, ku kohët e fundit, duket se Evropa ka marrë rolin e mbrojtësit suprem të kësaj lirie, duke valëvitur pankartën “nuk heshtim”, pak më tutje, në këtë botë të vogël, në Siri, Palestinë, Libi, etj., a po respektohet e drejta më themelore e njeriut, të jetuarit? Ky nuk është një justifikim se meqë nuk po zbatohet në një pjesë te globit, nuk duhet të zbatohet askund, por kjo është një thirrje për barazi. Të drejtat janë të drejta, si për evropianin ashtu edhe për aziatikun, si për skandinavin ashtu edhe për atë që është në cepin më të largët të Polit të Jugut, si për perëndimorin ashtu edhe për lindorin.
Në disa vende të Lindjes njerëzit kanë ngritur flamurin e bardhë për pushim të luftës së pakuptimtë, sa groteske aq edhe të dhimbshme, atje kanë ngritur pankartën “na lini të jetojmë”. Më tutje, në Azi, Afrikë, njerëzit vdesin nga uria, pasi pasuritë e tyre nën e mbitokësore nuk reshtën së zhvaturi. Këta njerëz kanë ngritur pankartën “Liri”. Duan të jetojnë të lirë në vendin e tyre, të punojnë e ta shfrytëzojnë atë që u ka falur Zoti. A po kërkojnë shumë këta njerëz? Ata po kërkojnë thjesht të jetojnë? Një të drejtë që ua ka falur Zoti, një të drejtë që de jure e mbron çdo ligj.
Historia e njerëzimit përherë e ka njohur këtë fenomen, ku shfrytëzuesi hiqet si viktima dhe viktima si e keqja më e madhe e globit. Kjo nuk ndodh vetëm me kombet, por edhe me njerëzit mes tyre, ndodh edhe brenda një grupi shoqëror, sot po ndodh edhe brenda një familjeje.
Mesa duket perceptimi mbi respektimin e të drejtave njerëzore Perëndim-Lindje dhe anasjelltas, është rritur përherë në përpjesëtim të zhdrejtë dhe të drejtat universale janë vlerësuar me dy standarde. Fakte për këtë ka shumë, por nuk dua të ndalem në përmendjen e tyre, pasi do të shkonte gjatë.
Në ngjarjet e fundit në Francë u ngritëm të gjithë për të mbrojtur lirinë e shprehjes, por nga ana tjetër, a mos e lamë mënjanë postulatin e famshëm se “liria (e drejta) jote përfundon aty ku fillon liria (e drejta) ime”? U ngritëm të gjithë kundër terrorit, vrasjeve, urrejtjes, dhunës e diskriminimit dhe me të drejtë, por nga ana tjetër, a mos diskriminuam apo lënduam duke lënë mënjanë fyerjen që iu bë mbi 1.7 miliard të tjerëve, fyerje e cila ripërsëritet?
Asnjë akt barbar, terrori e dhune nuk ka justifikim, ashtu sikur dhe nuk mund të lidhen me besimin, paqen, pasi janë diametralisht të kundërta, por ajo që kërkohet në këtë rast dhe në të gjithë rastet e ngjashme, është që të mos i shohim gjërat vetëm nga njëri xham i syzeve. Edhe në këtë rast feja përbën shembullin më perfekt përkundër çdo sistemi qeverisës. Për fenë, Islamin, të drejtat janë të tilla që i takojnë dhe i gëzon çdo individ në çdo cep të globit. Ashtu sikurse dënon çdo gjë të gabuar a të ndaluar pa diferencime dhe myslimanët e treguan këtë.
Në parantezë të gjithë kësaj sa thashë më lart, desha të rikujtoj se Islami ishte ai që ia njohu dhe i dha njeriut të drejtën dhe lirinë e shprehjes së mendimit, besimit, duke ndaluar të gjitha format e diskriminimit e duke nxitur barazinë.
Të barabartë mes të barabartëve, si në të drejta ashtu edhe në detyrime e përgjegjësi, këtë nuk duhet ta harrojmë.