Nuk i kujtohet as surja Fatiha…
Është treguar në historinë Islame për një njeri të mirë, i cili ishte nisur për në Qabe. Dikush e ndaloi rrugës dhe i tha: “Nëse do të shkosh në Qabe, eja pas meje se do të ta tregoj unë rrugën”. E futi në disa rrugë të huaja që ky person nuk i njihte. Atëherë ky person i tha:
– O njeri ku po më çon kështu. Jam nisur për në shtëpinë e Zotit, për në Qabe. A e di mirë rrugën.
Por tjetri ia ktheu:
– Eja pas meje se unë di disa rrugë të shkurtra.
E çoi në një luginë të frikshme, atje ku nuk kishte këmbë njeriu. Atëherë kthehet nga ky njeri dhe i thotë:
– Sot do të vdesësh, sepse unë do të të vras”. Ky njeri i tha:
– Kije frikë Zotin! Unë jam nisur për në Qabe, prandaj më lër të shkoj”. Por vrasësi i tha:
– E kam vendosur që të të vras, por thuaj dëshirën e fundit. Burri i thotë:
– Merre pasurinë time e më ler të shkoj në Qabe. Tjetri ia ktheu:
-Pasurinë do të ta marr, por edhe kokën do të ta heq. Atëherë ky njeri tha:
– Më jep kohë dy minuta, sa të fal dy rekate namaz, se nuk dua gjë tjetër prej teje. Tjetri ia ktheu:
– Falu, por mos e zgjat shumë.
Burri filloi namazin, por i harroi të gjitha. Madje harroi edhe suren Fatiha që e lexonte me dhjetëra herë. Por i kujtohej vetëm një ajet: “Kush është ai që i përgjigjet hallexhiut kur ai ka hall, kush është ai që i a largon të keqen njeriut, kush është ai që ju bën juve mëkëmbës në tokë, a ka Zot tjetër veç Allahut. Sa pak që kujtoheni o njerëz.”
Kur njeriu dorëzohet totalisht përpara Zotit, shkunden qiejt dhe melekët vijnë me vrap për t`i ardhur në ndihmë njeriut. Zoti na bëftë nga ata njerëz, që gjithmonë e ndjejnë nevojën ndaj Tij.