Drejt dritës së shpirtit

Çdo njeri e di se jo të gjithë mund të bëhen mjekë të shquar, inxhinierë të përkryer, mjeshtër të shkëlqyer…

Mirëpo, në të njëjtën kohë, ekziston e vërteta tjetër: të gjithë njerëzit, vërtet të gjithë, nëse dëshirojnë mund të realizojnë qëllimin më të lartë jetësor – përsosmërinë e shpirtit. Gradualisht, me guxim dhe punë këmbëngulëse mund të pushtojmë mbretërinë e shpirtit tonë, sepse në parimet fisnike e të shenjta qëndron kuptimi i vërtetë i jetës. Shpirti i ndritur shpie drejt shpëtimit dhe lumturisë në të dy botët. Të luftosh për ndriçimin e tij, nuk ka qëllim më fisnik e më të bukur!

Jeta e atij, i cili që nga ditët e para të jetës së vet, me dritën e së vërtetës pushton hapësirat shpirtërore, është plot lumturi reale, shpirtin e përsosur e presin dhuratat e Allahut.

Asnjë vepër e madhe nuk arrihet lehtë. Allahu kërkon nga besimtari mundin e përpjekjet e tij për të arritur qëllimet më të larta, që rruga jetësore të jetë e pajisur me dashuri ndaj Islamit dhe ndaj çdo vepre që është e mirë dhe fisnike, për të mënjanuar të keqen nga trupi dhe shpirti, duke arritur përsosmërinë e mundshme maksimale.

Rruga për përsosmërinë e shpirtit është e gjerë, e ndriçuar, por edhe e mbushur me pengesa. Në këtë rrugë njeriu do të ndeshet me përplasje, me luftën midis të mirës dhe të keqes. Këtu duhet shumë forcë e durim. Ngadhënjimi i së mirës në shpirt, rruga e ndritshme jetësore do të mund të arrihen vetëm nëpërmjet përkushtimit dhe bindjes ndaj Allahut të Madhëruar. Rruga drejt përsosjes së shpirtit hap horizonte të reja, të cilat ndriçojnë kuptimin e jetës.

Le të kemi parasysh gjithmonë thënien: “Nëpër vështirësi drejt dritës së shpirtit, drejt përsosmërisë së tij.”

Postime të ngashme

%d bloggers like this: