Kujt i jepet sadekatul fitri ?

Personat ose institucionet që kanë të drejtë ta pranojnë zekatin, mund ta marrin edhe sadakatul-fitrin, sepse përkatësisht atyre që iu takon zekati, iu takon edhe sadakatul-fitri. Nisur nga kjo domethënie, vetëkuptohet se personave që nuk mund t’u jepet zekat, nuk mund t’u jepet as sadakatul-fitr.  Allahu i Madhërishëm ka thënë:

إِنَّمَا الصَّدَقَاتُ لِلْفُقَرَاءِ وَ الْمَسَاكِينِ وَ الْعَامِلِينَ عَلَيْهَا وَ الْمُؤَلَّفَةِ قُلُوبُهُمْ وَ فِي الرِّقَابِ وَ الْغَارِمِينَ وَ فِي سَبِيلِ اللَّهِ وَ ابْنِ السَّبِيلِ فَرِيضَةً مِنَ اللَّهِ وَ اللَّهُ عَلِيمٌ حَكِيمٌ

Vërtet, sadakaja (zekati dhe sadakatu-l-fitri) është për: të varfrit, të ngratët, punonjësit (që e tubojnë atë), ata të cilëve duhet përfituar zemrat, për lirimin e robërve, për ata që kanë shumë borxhe, në rrugën e Allahut dhe atë që ka mbetur në rrugë pa mjete. Këto janë dispozita të Allahut, e Allahu është i Dijshëm, i Urtë.

Sadakatul-fitri nuk mund t’u jepet personave që konsiderohen fetarisht të pasur (që zotërojnë sasinë e nisabit, pavarësisht nëse është efektiv ose jo), me fjalë të tjera ata që i kanë kushtet minimale për jetë. Gjithashtu, sadakatu-l-fitri nuk mund t’i jepet gruas-bashkëshortes; paraardhësve të vet: babait, nënës, gjyshit dhe gjyshes; pasardhësve të vet: djalit, vajzës, nipit, mbesës dhe të tjerëve, që i ka nën kujdestarinë e tij.

Me rastin e dhënies së sadakatul-fitrit, duhet t’u jepet përparësi të varfërve të vendit pranë, gjegjësisht mjedisit ku jeton, farefisit që mund të banojë edhe larg, të varfërve me sjellje morale të mira si dhe nxënësve të varfër.

Në realitetin e sotëm, është bërë praktikë, që përveç njerëzve të varfër, sadakatul-fitri dhe zekati të jepen për fondet e bashkësive (komuniteteve) islame, të formuara në bazë të vendimeve të marra nga dijetarët kompetentë të çështjes. Mjetet e tubuara nga sadakatul-fitri dhe zekati kryesisht janë të destinuara për mirëmbajtjen e shkollave fetare: medreseve e fakulteteve dhe kanë qenë mjaft dobiprurëse për zhvillimin normal të arsimit dhe jetës fetare në përgjithësi në trevat ku ato shtrihen.

 

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: