Krijimi i folesë familjare në emër të Allahut
Bashkëshortët që kanë arritur të ngrenë një fole familjare brenda kritereve tona, quhet se kanë realizuar një ngjarje me rëndësi shumë të madhe. Një fole e tillë, kur duhet, shërben si faltore, kur duhet, si shkollë dhe shërben si një “Shtëpi e Zotit” që i fryn ringjallje tërë një kombi! Fole të tilla të lidhura ngushtë pas parimeve të vëna nga Allahu, disa herë kanë shërbyer si një DNA për të gjithë shoqërinë.
Këtu kërkoj t’ju tërheq vëmendjen edhe mbi një moment tjetër. Kur nisim të hamë bukë, ne themi “Bismil’lahi’r-rahmani’r-rahim”. Madje besojmë se, po ta themi nga zemra, na shtohet bereqeti, begatia. Mes nesh, ata që besojnë mirë, shumë herë edhe e kanë parë haptazi këtë bereqet.
Po kështu, në shumë punë, ne mbështetemi te Allahu nga e keqja e shejtanit (djallit) dhe i lutemi Atij të na mbrojë. Kësaj disipline i kushtojmë kujdes në çdo çështje, gjer në ato më intimet. Dhe besojmë se fëmijët që do të na vijnë në botë si rezultat i mbështetjes sonë te Zoti duke e kërkuar ndihmën dhe udhëzimin vetëm prej Tij, do të bëhen të mirë dhe se djalli nuk do të mund të fusë gishtin në këtë rezultat.
Atij që nuk e bën këtë mbështetje te Zoti duke e kërkuar ndihmën dhe udhëzimin vetëm prej Tij, i bien në kokë, si rezultat i nënvleftësimit të kësaj gjëje që mund të duket si e vogël, shqetësime të tilla që ai nuk e di se nga i vijnë, por ama shembet nën peshën e tyre! Në këtë çështje, njeriu nuk duhet të nënvleftësojë asnjë moment. Duhet ta kryejë çdo gjë të madhe ose të vogël që është ngarkuar për ta kryer, duhet t’i plotësojë të gjitha kushtet e provës para së cilës është vënë. Duke çuar në vend përgjegjësitë që ia ka ngarkuar feja, duhet të sillet jashtëzakonisht i kujdesshëm e i ndjeshëm për të mos rënë kurrë në indiferentizëm e befasi.
Disa herë, një çast plogështie mund të japë si përfundim një fatkeqësi të tillë si ajo që jep plogështia dhe mungesa më e vogël e vëmendjes së njeriut që ndodhet në timon. Po, besimtari duhet çdo çast të mbështetet te Allahu, të strehohet te Ai! Po me këtë ndjenjë duhet vepruar edhe në kurorën që duket si një trajtim i thjeshtë. Kurora lidhet në emër të Allahut. Nuk mund të mendohet që kurora e lidhur pa u mbështetur te Allahu, të ketë begati, të bëhet pretekst për dobi. Sigurisht, kurora është një lidhje shpirtërore, sublime; edhe perspektiva e saj varet nga raportet me Allahun.
Nisur nga kjo, kurora do të lidhet në emër të Allahut që të ketë begati. Brenda saj do të ketë lutje dhe do të realizohet brenda kuadrit të parimeve të vendosura nga Allahu, madje do të përcaktohet garancia e kurorës në mënyrë që të premtojë perspektivë. Allahu (xh.xh.) e bën kurorën e lidhur në emër të Tij, të bekuar e të lumtur. Një kurorë e tillë është nën garancinë e Allahut (xh.xh). Ajo premton mundësi e perspektivë dhe bëhet pretekst për shkuarje mirë dhe harmoni mes bashkëshortëve.
Në ditët tona po bëhemi dëshmitarë të ndarjeve të shpeshta dhe në martesat po shihet një pashkuarje, një mungesë mbarësie e qetësie serioze. Fakti që punët nuk bëhen në emër të Allahut, që janë spontane e pa synim, që çdo gjë lidhet me parimin e kënaqjes vetëm të ndjenjave epshore dhe hedhja pas krahëve e të gjitha vlerave njerëzore, ashtu siç e ka tronditur nga themelet sistemin familjar perëndimor, ashtu na ka shkundur edhe ne. Gjendja e përgjithshme këtë tregon. Zoti na ndihmoftë!