Këshillat e Hz. Ali r.a në lidhje me etikën e nxënësit
Aliu r.a ka thënë: “Disa nga të drejtat e mësuesit nga dija e të cilit ti përfiton, janë këto:
Nuk do t’i drejtosh atij shumë pyetje tejet të vështira.
Kur ai nuk do që të të kthejë përgjigje, ti nuk do ta detyrosh të të përgjigjet me zor.
Kur ai të shfaqet i ndrojtur, nuk do t’i kapesh pas rrobave, duke këmbëngulur që të të mësojë çdo gjë.
Nuk do t’i bësh atij shenja me sy, me duar a fytyrë.
Nuk do t’i bësh atij pyetje para një kuvendi me shumë njerëz.
Edhe nëse ai gabon, ti nuk do ta dëshirosh të gabuarit e tij; në raste të tilla do të tregohesh i duruar dhe do të presësh që ai të kthejë nga gabimi i bërë.
Nuk duhet t’i thuash atij: “Po filan njeri thotë krejt të kundërtën!
Nuk do t’ia zbulosh para të tjerëve të fshehtat.
Nuk duhet të ngacmosh askënd në praninë e tij, duke u përpjekur që t’i provokosh ata me njëri-tjetrin dhe si në praninë e tij, si në distancë, do të jesh ti që do t’i dalësh atij në mbrojtje.
Sa herë që të hysh në ndonjë kuvend me njerëz, xhematin do ta përshëndetësh me një përshëndetje të përgjithshme, ndërsa atë veçanërisht.
Do të ulesh përpara tij dhe në çdo nevojë të tij të jesh ti që të çohesh e t’i shërbesh.
Ti nuk duhet të bezdisesh nga bisedat e tij të gjata, sepse dijetari i ngjan një peme me kokrra frutash të mira; do të presësh me durim, që nga goja e tij të dalë ndonjë fjalë e dobishme, njësoj siç pret që të bjerë ndonjë hurmë e pjekur nga pema e hurmave!
Kjo sepse dijetari është porsi një luftëtar që lufton në rrugën e Allahut në agjërim e sipër. Kur vdes një njeri i ditur, në kështjellën e Islamit hapet një e çarë e atillë, riparimi i së cilës është i pamundur deri në ditën e Kijametit. Kur vdes një nxënës i dijes, në xhenazen e tij marrin pjesë prej qiejve edhe shtatëdhjetëmijë engjëj nga më të afërmit.”