Këshilla e Ahtojit
Në Egjiptin e lashtë ishte e vështirë të bëheshe i ditur, sepse duhet të mësoje shumë shenja hieroglifësh dhe kjo kushtonte shumë, por me to e ardhmja ishte e sigurt. Shkruesi (kështu quhej nëpunësi i arsimuar në Egjiptin e Lashtë) nuk ishte kurrë i varfër. Egjiptianët e pasur donin patjetër t’u mësonin fëmijëve të tyre gramatikën. Ja si dikush me emrin Ahtoji këshillonte djalin e tij, që vazhdonte shkollën:
“…Drejtoje tani zemrën tënde nga librat. Shiko se s’ka asgjë më të lartë se ata! Oh, sikur të të bëja që t’i doje librat, sikur të mundja të shfaqja para teje bukurinë e tyre! Është e dobishme dita në shkollë, punët e saj janë të përjetshme, sikurse malet.”