Kujt i përket qypi?
“Paraja është rrënja e të gjitha të këqijave”, thuhet në një fjalë popullore. Kjo është e vërtetë për disa, por jo për ata, në zemrën e të cilëve pasuria nuk ka hedhur rrënjë. Për ta kuptuar më mirë këtë, lexoni historinë që transmetohet në hadithin e mëposhtëm.
Ebu Hurejre transmeton se Profeti (a.s) ka thënë:
“Një njeri i bleu dikujt një copë tokë. Ai që bleu tokën, gjeti në të një qyp me flori. Nuk e mbajti, por shkoi dhe i tha ish-pronarit të tokës: “Merre floririn, sepse unë prej teje bleva tokën dhe jo floririn.” Ai i përgjigjet: “Po unë ta shita tokën me gjithçka ka në të.” Duke qenë se nuk po binin në ujdi, i ndihmoi gjykimi i një personi, i cili i pyeti:
-A keni fëmijë?
-Unë kam një djalë, – u përgjigj njëri.
-Unë kam një vajzë, – u përgjigj tjetri.
-Martojini djalin me vajzën dhe këto para shpenzojini për ata të dy, si dhe jepni lëmoshë, – i këshilloi ai.
(Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi)