Idhujtaria në periudhën e injorancës
Të gjithë politeistët krenoheshin dhe gjenin prehje në adhurimin e idhujve me të cilët kishin mbushur Qaben. Kurse ata vetë mes tyre që kishin pak njohuri, thoshin se idhujt i pranonin vetëm si ndërmjetës që i afronin ata te Zoti. Në një ajet-argument të Kur’anit kjo specifikë pohohet kështu: “Ne i adhurojmë ata vetëm që të na afrojnë më shumë tek Allahu.” (Kur’ani, Zumer: 3). Kështu, ndjenja e adhurimit e dedikuar si një amanet i rëndësishëm krijimit të njeriut, edhe një herë tjetër shpër-dorohej, edhe një herë tjetër tradhëtohej! Njerëzit adhuronin drurin, gurin, tokën, diellin, hënën dhe yjet, madje, u kushtoheshin një copë herë idhujve që i kishin bërë me duart e veta prej gjërave të ngrënshme si prej hallve dhe djathi dhe pastaj, pasi i kapte uria, u hynin e i hanin.
Këtë mendim arkaik e këtë botëkuptim të tejkaluar Kur’ani e trajton në këtë mënyrë: “Ata lenë Allahun e jepen pas gjërave nga të cilat nuk kanë as dëm e as dobi dhe thonë:”Këta janë ndërmjetësit tanë te Allahu.” Thuaju: “Mos vallë ju i tregoni Allahut për ndonjë gjë që mund të mos e dijë ai në tokë e në qiej? Hasha, mos qoftë e thënë! Ai është i lartë e s’ka të bëjë me gjërat me të cilat ata e barazojnë!” (Junus: 18).
Si dhe: “Kujdes! Feja e vërtetë është vetëm feja e Allahut. Ata që e lenë Atë dhe zënë miq të tjerë, thonë: “Ne i adhurojmë ata për të na afruar më shumë te Allahu. S’ka dyshim se Allahu do të gjykojë për kontradiktën e tyre. Padyshim, Allahu nuk i orienton në udhë të drejtë mohuesit dhe gënjeshtarët!”(Zumer:3).
Përveç kësaj, ata kërkonin edhe justifikim për këtë gjë. Justifikimi më i madh i tyre qe se kështu kishin pasë vepruar edhe etërit e tyre: “Kur politeistëve u thuhet që ta pranojnë revelacionin e Allahut, ata përgjigjen: “Jo, ne shkojmë pas traditës së etërve tanë!” Mos vallë edhe në se etërit e tyre s’kanë kuptuar asgjë e s’e kanë gjetur të vërtetën?” (Bakara: 170).