I Dërguari i Allahut s.a.s i nxit besimtarët që ta përmendin Allahun xh.sh sa më shumë

E tregon Ebu Hurejreja r.a: “Një ditë Krenaria e Gjithësisë po shkonte për në Mekë. Kur mbërritën pranë një mali, të cilin e kishin quajtur Xhumdan, ai ndaloi dhe tha:

“Kaloni Xhumdanin, sepse që këtej kanë kaluar edhe përmendësit para jush.” E kur e pyetën:

“E kush janë këta përmendësit, çfarë janë ata, o i Dërguari i Allahut?”, – ai u dha atyre përgjigjen:

“Ata që e përmendin shumë Allahun.”

Ndërsa, në një transmetim tjetër thuhet se ai ka thënë: “Janë ata që e kalojnë jetën duke e përmendur Allahun gjithë dashuri e pasion, përmendje që ka për t’ua lehtësuar barrën dhe në Ditën e Gjykimit do të dalin përpara Allahut fare të qetë e të çliruar.”[1]

Muadh bin Enesi r.a tregon se: “Një burrë i bëri të Dërguarit të Allahut s.a.s këtë pyetje:

“Kush nga luftëtarët e ka shpërblimin më të madh e më të shumtë?” I Dërguari Fisnik i tha atij:

“Ata që e përmendin më së shumti Allahun.” Kësaj here ai e pyeti sërish:

“Kush nga robërit e mirë të Allahut e ka shpërblimin më të madh e më të shumtë?” I Dërguari i Allahut i dha atij prapë të njëjtën përgjigje:

“Ata që e përmendin më së shumti Allahun.” Ai burrë të njëjtën pyetje e bëri edhe për ata që falin namaz, japin zekat dhe shkojnë në haxh, dhe për secilën nga pyetjet përgjigjja e të Dërguarit Fisnik s.a.s ishte po e njëjta:

“Ata që e përmendin më së shumti Allahun.” Atëherë, Ebu Bekri r.a iu drejtua Omerit r.a:

“O Eba Hafs! Të gjitha shpërblimet i morën ata që përmendin Allahun e për ne nuk mbeti asgjë.”, – dhe i Dërguari i Allahut pohoi: “Po, ashtu është.”[2]

Tregon edhe Abdullah bin Busri: “Erdhi një burrë tek i Dërguari i Allahut s.a.s dhe i tha:

“O Resulullah, unë nuk po i përmbush dot të gjitha detyrimet e fesë islame. Më jep një këshillë, diçka që unë mund ta bëj medoemos.” I Dërguari i Allahut iu përgjigj atij:

“Mos e lër kurrë pa e përmendur Allahun.”[3]

[1] Muslim, Sabib, 4/2062 (2676)

[2] Hejthemi, Mexhmeu’z-Zenaid, 10/71 (16748)

[3] Tirmidhi, Sunen, 5/458 (3375)

Postime të ngashme

%d bloggers like this: